Tiranë, 8 jana 2024 – Vetëvrasja e 41 vjeçares në qytetin e Durrësit në Shqipëri, ringjall debatin e dhunës ndaj grave. Autoritetet kanë vënë në pranga bashkëshortin si shkaktar të këtij akti, pasi kishte ushtruar dhunë në një kohë të shtrirë ndaj saj.
Më herët e ndjera ishte denigruar edhe në një rrjet social, për të cilin kishte bërë denoncim në polici. Kjo ngjarje komplekse po nxit ndërkohë debatin e mangësive në legjislacion me qëllim për t’u ballafaquar me zhvillimet e vrullshme teknologjike.
Ngjarja e rëndë që ndodhi në fundjavë në qytetin e Durrësit ku Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve, 41 vjeç, u vetëvra me lëndë helmuese ka ngjallur një valë të gjerë zemërimi në opinionin publik. Fillimisht, në media u raportua se kjo vetëvrasje mund të jetë nxitur nga denigrimi i figurës së saj në rrjetin social TikTok. Policia njoftoi se e ndjera kishte kishte bërë denoncim, se në rrjete sociale ishte hapur një adresë false në emrin e saj.
Por pas hetimeve të orëve në vazhdim u arrestua bashkëshorti i viktimës nën akuzë për shkaktim të vetëvrasjes. Detaje të hetimit zbuluan se ai kishe ushtruar dhunë ndaj të ndjerës në një kohë të shtrirë. Por kjo ngjarje komplekse po nxit një debat publik, mbi ballafaqimin legjislacionit me zhvillimet e vrullshme teknologjike, si dhe në lidhje me dhunën në familje, një plagë e vazhdueshme e shoqërisë.
“Është ndjerë e vetme përballë një presioni të shtuar, sigurisht edhe nga dhuna e shtuar nga teknologjia. Situata nuk është aspak e mirë. Gratë janë të vetme. Shpeshherë ato nuk mbështeten. Legjislacioni nuk i ofron një mekanizëm të menjëhershëm mbrojtjeje. Ka raste që kjo bëhet shkak për një dhunë akoma më të shtuar në familje”- u shpreh për Zërin e Amerikës Klodiana Beshku, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT
Analisti Lutfi Dervishi i tha Zërit të Amerikës, se roli i drejtësisë është vendimtar për parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda, ku mpleksen sjellje kriminale të individëve në rrjete sociale me dhunën në familje.
“Rasti konkret mund të quhet dhe kronikë e një vrasje të paralajmëruar. E ndjera ka bërë denoncim në polici, policia e ka dërguar në prokurori. Por në këto raste ka të bëjë ajo që quhet drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar. Koha që ka kaluar ka bërë të vetën. Hetimi do të nxjerrë konkluzionet e veta, por është koha për të menduar, se si mund të përballohet në të ardhmen, si do të minimizohen dëmet që vijnë nga jeta online, nga gjuha e urrejtjes apo keqinformimi”- u shpreh për Zërin e Amerikës Lutfi Dervishi, analist.
Zëri i Amerikës pyeti policinë e qytetit të Durrësit lidhur me shpejtësinë e reagimit pas kallëzimit të së ndjerës Bedrie Loka, në lidhje me denigrimin e figurës në një faqe me emrin e saj në rrjetin social TikTok. Policia tha se ajo ka bërë denoncim në dhjetor të vitit 2022, dhe materiali është referuar në Prokurori brenda afatit. Çështja është shumë komplekse thuhet në përgjigjen me shkrim të policisë, pasi përfshihen gjithë elementët, social, shoqëror ekonomik apo marrëdhëniet familjare. Krimet kibernetike gjithashtu kanë vështirësinë e tyre dhe kërkojnë kohë për t’u zbuluar thuhet më tej në përgjigje.
Nga ana tjetër Prokuroria e Durrësit i tha Zërit të Amerikës së referimi i policisë në Prokurori është bërë po në dhjetor të vitit 2022, dhe vepra penale e regjistruar është “falsifikim kompjuterik” në kuadër të krimit kibernetik. Hetimet fillimisht janë kryer nga një prokuror i cili është larguar nga vetting-u dhe çështja i ka kaluar një prokurori tjetër. Organi i akuzës saktëson, se nga hetimet e deritanishme rezultone se vetëvrasja nuk ka ardhur për shkak të denigrimit në rrjetin social TikTok, por nga dhuna e shtrirë në kohë e bashkëshortit. Ndërkohë organi i akuzës pritet t’i drejtohet edhe rrjetit social TikTok për t’i marrë IP, element i vlefshëm për të zbuluar se nga kush dhe ku është çelur faqja anonime që ka kryer denigrimin e figurës së të ndjerës Bedrie Loka.
Por përfaqësues të fushës juridike thonë se legjislacioni nuk i përgjigjet zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe se ka nevojë për përmirësime të ndjeshme. Legjislacioni në raport me krimin kibernetik apo vepra të tilla si denigrimi, shpifja apo fyerja në rrjetet sociale, apo mediat on line ka mjaft mangësi sipas tyre.
“Për shkak të zhvillimit të rrjeteve sociale ka avancuar shumë pjesa e subjekteve që i keqpërdorin këto rrjete. Dhe në këtë pikë mendoj se duhet të bëhen ndërhyrjet ligjore në kodin penal, por dhe ndërhyrjet e duhura ligjore përsa i takon mundësisë që këto adresa të cilat janë false, përmes bashkëpunimit dhe me kompaninë përkatëse, e cila e ofron këtë shërbim ndërkombëtarisht të bëhet e mundur që shteti shqiptar të ndërhyjë për të bërë bllokimin e tyre në kohë rekord”- argumentoi për Zërin e Amerikës Adriatik Lapaj, avokat.
Edhe përfaqësues të shumicës qeversisëse janë të vetëdijshëm se legjislacioni ka mangësi kur bëhet fjalë për respektimin e dinjitetit dhe integritetit të qytetarëve, në mediat online dhe rrjetet sociale. Këto janë elementë të cilat aktualisht janë pjesë e veprës penale të fyerjes dhe i dëmtuari i drejtohet gjykatës. Disa përpjekje për t’i përfshirë ato në Kodin Penal, kohë më parë nuk kanë dhënë rezultat.
“Për sa kohë Kodi Penal është duke i rishqyrtuar, ky do të jetë një kapitull që do të ketë një vëmendje më të madhe, sepse kërkon një rishikim të gjithë kuadrit ligjor, duke respektuar lirinë e medias, por nga ana tjetër për të marrë masat ndaj gjithë qytetarëve që janë viktima të këtyre rasteve dhe veçanërisht në rrjetet sociale, komenteve, që nuk kanë një kontroll, një rishikim apo një ndalim kur cënojnë dhe fyejnë qytetarët”- u shpreh për Zërin e Amerikës Etilda Gjonaj, ish-ministre e Drejtësisë, Nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Çështjeve Europiane.
Media online dhe rrjetet sociale në Shqipëri, funksionojnë mbi bazën e vetërregullimit. Qytetarët nëse ndjehen të dëmtuar mund t’i drejtohen gjykatës. Por në kushtet kur gjyqet zgjasin me vite, dëmet janë të pariparueshme. Analistët mendojnë se ka ardhur koha për të ndalur, gjuhën fyese dhe denigurese në platformat sociale, dhe mediat online, këto të fundit nuk kanë detyrime ligjore për t’u regjistruar dhe për t’u bërë të identifikuese.
“Në emër të lirisë së medias nuk mund t’i marrësh jetën tjetrit. Kur vjen fjala për dinjitetin e qytetarit ata që janë të padukshëm nuk mund të jenë më aq të padukshëm. Është koha që nëse ti bën një veprim të rëndomtë, nuk ecën në trotuar apo në vijat e bardha, dhe ndëshkohesh, duhet të mbash përgjegjësi edhe për veprimet që bën online, pavarësisht se mendon se je i padukshëm”- vijoi Lutfi Dervishi, analist.
“Ai që thotë diçka të mbajë përgjegjësinë për atë që thotë, dhe ti të gjurmosh fjalën, të gjurmosh nga vjen shantazhi, fyerja, denigrimi, shpifja dhe gjithçka. Të gjithë mund të thonë gjithçka pa marrë asnjë pasojë dhe kjo po e shkatërron shoqërinë tonë sepse po mbjell urrjetje, negativitet dhe shoqëria ndotet dhe bëhet e pajetueshme”- vijoi Adriatik Lapaj, avokat.
Rasti i së ndjerës Bedrie Loka, që u vetëvra disa ditë më parë, nxjerr në pah dhunën në familje dhe problemet e mëdha në funksionimin e rrjeteve sociale. Si shkaktar i aktit të vetëflijimit të saj është arrestuar dhe po hetohet bashkëshorti. Rreth 70% e viktimave të dhunës në familje sipas statistikave zyrtare janë gra dhe vajza. Autoritetet kanë shtuar përpjekjet duke forcuar ndjeshëm ligjet për parandalimin e saj, por kjo dhunë vijon të mbetet shqetësuese dhe sfidë për shoqërinë.
(Mimoza Picari, Zëri i Amerikës)