Java e dytë e ekspozitës së librit shqip organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Ditën e diel, më 3 tetor 2021, në Stamford të shtetit të Connecticut-it, u hap ekspozita e librit shqip në Amerikë, në javën e saj të dytë tashmë. Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me rastin e 20-vjetorit të saj dhe, siç është lajmëruar, është programuar të zhvillohet përgjatë harkut kohor 25 shtator-10 tetor 2021.
Në javën e parë të ekspozitës patëm rastin të njiheshim më gjerësisht me krijimtarinë e shkrimtarëve si: Yllka Filipi, nënkryetare e Shoqatës, me botimet: “Dante-Kadare”, “Eternitas”, “Me ipsum ames”, etj.; Sabije Dervishi Veseli me botimet: “Pse u dashurove tek unë?”, “Dangerous Road”, “The cheater and Prostitute in my bed”, etj.; Mëhill Velaj me mbi njëzet botime nga ku përmendim: “Kodi i parajsës”, “Unë e solla Doruntinën”, “Lotët e pengut”, etj; si dhe Bora Balaj me botimet “Zogu pa çerdhe”, “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë”, “Heshtja”, etj.
Në aktivitetin e sotëm ishin të pranishëm presidenti i SHSHSHA-së z. Adnan Mehmeti dhe kryetari i saj z. Mëhill Velaj; anëtarë të shoqatës si, Gjeto Turmalaj, Bexhet Asani, Veneta Callpani, Arjeta Ferlushkaj, Luz Thaçi, Sabije Dervishi Veseli, Ramiz Mulaj, Bora Balaj, etj.; editori i gazetës “Dielli” z. Sokol Paja, aktivistë dhe lexues e dashamirës të librit shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aktivitetin e kësaj dite e hapi kryetari i SHSHSHA-së, z. Velaj, i cili mbasi bëri përshëndetjet e rastit, dha një panoramë të shkurtër të ditës së parë të ekspozitës, që u zhvillua me 25 shtator. Në fjalën e tij, z. Velaj shprehu falenderimet për angazhimin serioz të presidentit të Shoqatës, z. Mehmeti për t’u finalizuar siç duhej një sipërmarrje e tillë dhe shprehu mirënjohjen ndaj editorit të ri të gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja, për punën e palodhur në kushtim të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Z. Velaj, gjithashtu, përcolli përshëndetjet e marra nga themeluesi i kësaj Shoqate, shkrimtari dhe studiuesi Gjekë Marinaj.
Fjalën e radhës e mori presidenti i Shoqatës, z. Adnan Mehmeti, i cili, mbasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, mori përsipër të bëjë një historik të shkurtër të botimeve të Shoqatës, që ishin të ekspozuar në qendër të zyrës së përkohshme të SHSHSHA-së, ku dhe po zhvillohet ky aktivitet.
Ndër pikat më të rëndësishme dhe shënjuese të prezantimit të z. Mehmeti, do të veçonim:
- Koleksioni i revistës “Pena”, me datë nistore vitin 2001, organ i SHSHSHA-së, e cila deri tani ka dalë në 8 numra. Në këtë revistë botohen kryesisht shkrime dhe materiale nga anëtarë të Shoqatës por kryesia e saj është e hapur të pranojë edhe shkrimtarë të tjerë që lëvrojnë gjuhën shqipe në SHBA.
- Viti 2017 kur një shtëpi botuese amerikane shfaq interes për letërsinë shqipe që bëhet në SHBA dhe pikërisht shkrimtarja Diane Durant përgatiti për botim antologjinë “Rozafa’s Milk. A Poetry Anthology”, libër që përfshin krijime (në anglisht) nga 19 anëtarë të Shoqatës dhe lexuesi i interesuar mund ta gjejë në Amazon.
- Botimi i dy antologjive: “Zemra prindërore”, që lidhet krejtësisht me motivin e nënës dhe antologjia më e plotë “Perëndim i mallur. Antologji me poezi të shqiptarëve në Amerikë”, ku janë të përfshirë thuajse të gjithë anëtarët e Shoqatës.
- Suksesi më i arrirë i Shoqatës është botimi i monografive: në vitin 2016 është botuar libri “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Aktivitete dhe krijimtari”, ku përfshihen të gjitha aktivitetet e Shoqatës.
Në vitin 2020 është botuar libri “Autorë dhe vepra”, ku lexuesi mund të gjejë biografinë e bibliografinë botuese për të gjithë anëtarët e Shoqatës.
Në vitin 2021 u botuan dy libra që përfshijnë përkatësisht dy dekadat e Shoqatës: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. 2001-2011” si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro. 2012-2021”, ku futen të gjitha aktivitetet që lidhen me historikun e SHSHSHA-së.
- Përmendja e anëtares së nderit, znj. Carrie Hooper, profesoreshë në New York, e cila është dashamirëse e pastër e gjuhës shqipe dhe është pjesë e kësaj Shoqate përmes librit me poezi shqip-anglisht “Piktura në fjalë”, botuar në Kosovë, në vitin 2018, libër i cili iu promovua nga SHSHSHA-ja.
- Angazhimi i shtëpisë botuese “Adriatic Press” për të përfaqësuar sa më shumë e sa më denjësisht shkrimtarët shqiptaro-amerikanë dhe kjo shtëpi botuese ka nxjerrë libra nga autorë si Gjekë Marinaj, Besim Muhadri, së fundmi Sami Repishti, etj.
- Dhe çfarë përbënte ekskluzivitetin e kësaj dite ishte prezantimi i botimit më të ri nga profesori, shkrimtari dhe studiuesi Sami Repishti: “In the shadow of Rozafa Castle. A Lived Narrative”, botim në gjuhën angleze nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, 2021. Me këtë rast, z. Mehmeti i rikujtoi të pranishmëve dhuratën e çmuar që ky autor i ka bërë Shoqatës: bibliotekën e tij të plotë, ndaj dhe, kushdo që ka interes për ta studiuar këtë autor, z. Mehmeti u tha se e kanë derën e hapur të vijnë tek Shoqata për të hulumtuar.
Në fjalën e tij të mbylljes, z. Mehmeti ftoi autorët e pranishëm që të bënin secili prezantimin e veprave të tyre para lexuesit, duke i shoqëruar me informacione të shkurtra.
Vetë z. Mehmeti si autor prezantohet para lexuesit të tij me mbi dhjetë vepra të botuara, nga ku përmendim: “Leave the door open”, “Deti në mes”, “Ndajfoljet e vendit”, “Amidst”, “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Aktivitete dhe krijimtari”, “Simfonia e udhëtimeve”, etj.
Kështu, në këtë javë të dytë të ekspozitës, u prezantuan tek lexuesit këta autorë:
- Arjeta Ferlushkaj me dy librat e saj studimorë: “Pasqyrat e postmodernitetit” (2012) dhe “The Old Bridge-Ura e vjetër” (2020).
- Sabije Dervishi Veseli vjen tek lexuesi me një krijimtari letrare prej më se 10 veprash, thuajse të gjitha në anglisht, nga ku përmendim: “Mysterious Secret” (2005), “Dangerous Road” (2013), “I live in hell” (2016), etj.
- Bexhet Asani prezantoi kontributin e tij, i përqëndruar kryesisht në tre fusha: arsim-shkencë-letërsi, nga ku përmendim: “Nuse përtej detit” (1994, 2012), “Lirika popullore shqiptare në Maqedoni” (2011), “Studime letrare” (2015), “Hyjnia e syve” (2017), etj.
- Gjekë Turmalaj përmendi shkurtimisht botimet e tij, si: “Fjala si fillim” (2002), “Borxh për nesër” (2009), “Ditënetët e jetës” (2018), etj.
- Në mbyllje, shkrimtarja Bora Balaj përcolli tek të pranishmit momentet e frymëzimit që ngjizin krijimtarinë e saj, nga ku kemi disa tituj, si: “Zogu pa çerdhe” (1997), “Loti në sy” (2003), “Heshtja” (2020), etj.
Përmendim se, bashkëshoqëruese të ekspozimit të librit u bënë edhe fotografitë-piktura me bojëra uji, të realizuara nga z. Sergio Bitici, nga ku kishte ideuar një mini-ekspoze të përbërë nga 7 të tilla, kryesisht të punuara viteve të fundit. Në prezantimin e punës së z. Bitici, kryetari i Shoqatës z. Velaj nuk harroi të përmendte një detaj interesant: ka qenë pikërisht z. Bitici ai që i ka hapur dyert e restorantit të tij për takimin e parë dhe ka mbështetur nismëtarët e parë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe sot në 20-vjetorin e saj, ai sërish vazhdon me kontributin e vet të pandalur.
Në fillim të kësaj ekspozite, kryetari i Shoqatës z. Velaj, u kujdes që të “ndante” në një hapësirë më vete anëtarët e pranishëm të SHSHSHA-së, në mënyrë që lexuesit dhe dashamirësit e librit të kishin mundësi t’i njihnin nga afër, pra jo më vetëm përmes emrit, dhe në këtë mënyrë, ata mund të krijonin një bashkëbisedim (pse jo edhe bashkëpunim në të ardhmen) për çfarëdo teme a projekti që ata mund të jenë të interesuar, apo qoftë edhe vetëm për një autograf apo fotografi që mbeten kujtim nga kjo ditë e veçantë. Nën këtë ideim, takimi u zhvillua tejet i ngrohtë e miqësor mes të pranishmëve, me mjaft pyetje e përgjigje dhe sidomos me shumë plane e dëshira për të ardhmen, për të shtuar numrin e takimeve të tilla si dhe për të pasuruar kolanën e botimeve në gjuhën shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Arjeta Ferlushkaj
Stamford, Connecticut
3 tetor, 2021