Në shtëpinë e lindjes në Long Island të shkrimtarit të shquar amerikan Walt Whitman

Nga Keze Kozeta Zylo

Në shtëpinë e lindjes në Long Island të shkrimtarit të shquar amerikan Walt Whitman

U flas shtetevet, a njerit nga ata, a çdo qyteti në Shtetet: Kundërshtoni shumë, binduni pak/

Se bindja e verbër të shpie në skllavëri të plotë/ Prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës/

Nuk e fitoi dot përsëri lirinë.  Skender Luarasi

Ka disa shkrimtarë të shquar që i kanë munguar kulturës sonë në universitete apo në shkolla të mesme për t’i studjuar në kohën e diktaturës, pa mohuar studimet për autorë të tjerë të njohur botërore filluar me Antikitetin të cilët formuan dukshëm botën tonë të dijeve rreth artit, letërsisë, kulturës, historisë natyrisht duke hequr ujërat e tepërta.  Ndonëse shkrimtari Whtiman u soll i përkthyer nga korifejtë e letërsisë si Skender Luarasi në vitin 1956 që ne ishim ende pa lindur, ato u bllokuan ose u fshehën në Bilbiotekën Kombëtare dhe ishin në përdorim vetëm për njerëzit e besuar të regjimit.  E duke pasur këtë kërshëri për ta lexuar dhe pasuruar kulturën time ethshëm e lexova dhe e mësova më shumë kur erdha në Amerikë në vitin e mbrapshtë të Atdheut tim, 1997.  Shtëpitë e tij janë dy në New York, përkatësisht Brooklyn dhe Long Island dhe e viteve të fundit të jetës së tij është në New Jersey, jo shumë larg prej shtëpisë sime në Staten Island.

Brenda shtëpisë së lindjes kthyer në muzѐ

Ajo që më ngacmoi më shume për ta vizituar sot dhe ta harxhoja kohën kulturalisht me Qemalin në këtë ditë të diel pushimi ishin vargjet e tij që më frymëzuan si: “Kundërshtoni shumë, binduni pak”… 

Po jetojmë në kohë të shpërfytyruara herë me skllevër përreth dhe herë matanë oqeanit bash m’u në zemër të Atdheut tim, ku shumica vazhdojnë të adhurojnë diktatorët që mjerisht lindin si kërpudhat, pa kuptuar se prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës nuk e fitoi dot përsëri Lirinë.  Qielli si shpirti dhe sytë e Whitman ishte blu, ndonëse pak i ftohtë ne udhëtonim drejt shtëpisë së tij thjesht ta takonim, të dëgjonim ciceronin i cili quhej Cameron, një djalë i ri plot kulturë që nuk pushoi për jetën dhe veprimtarinë e tij së treguari.  Habitshëm ai dinte mirë emrin e diktatorit Enver Hoxha dhe tha se është hera e parë që unë takoj këtu në këtë muzѐ shqiptarë.  Ciceroni tha se Whitman frymëzoi popujt, shkrimtarët dhe vlerësonte njeriun thjesht si qenie njerëzore, jo nga ngjyra, rraca, orientimi seksual, besimi fetar, por thjesht të ishte njeri në veprime dhe në jetë.  Whitman vazhdoi ai ka shkruajtur se: “Çdo atom që më përket mua si i mirë, të përket dhe ty”.

Muzeu ishte komplet me veprat e tij që i botoi në edicione si “Gjethet e Barit” ishin koleksion me poezi botuar për herë të parë si një grup prej 12 poezish të botuara në mënyrë anonime, më 1855. Ajo u pasua nga pesë botime të rishikuara dhe tre të ribotuara gjatë jetës së autorit.  Duke përdorur standardet aktuale bibliografike, zbulojmë se Whitman nxori gjashtë botime të “Leaves of Grass”: në 1855, 1856, 1860, 1867, 1871-1872 dhe 1881-1882 dhe edicioni i fundit, në janar 1892.

Në trarët e drunjta të tavanit ishin varur portretet e autorëve të famshëm botërore që ishin frymëzuar nga autori si Pablo Neruda  i cili ka shkruajtur: “Walt Whitman ishte një shok i shkëlqyer për mua. Unë nuk kam qenë shumë Whitmanian në stilin tim, por jam thellësisht Whitmanian në marrjen e mësimit të tij jetësor”.

Walt Whitman u lind, më 31 maj 1819, në lagjen West Hills, Long Island, New York, rreth 50 milje në lindje të qytetit të Nju Jorkut. Ai ishte i dyti nga tetë fëmijët.

Babai i Whitman ishte me prejardhje angleze, dhe familja e nënës së tij, Van Velsors, ishte holandeze. Në jetën e mëvonshme ai do t’i referohej paraardhësve të tij si njerëz që ishin kolonët e hershëm të Long Island.

Në fillim të vitit 1822, kur Walt ishte katër vjeç, familja Whitman u zhvendos në Brooklyn, e cila ishte ende një qytet i vogël. Whitman do të kalonte shumicën e 40 viteve të ardhshme të jetës së tij në Brooklyn.  Në fillim të viteve 1850 vazhdoi të shkruante për gazetat, por fokusi i tij ishte kthyer në poezi.

Vepra e famshme “Fijet e Barit”

Poezitë në edicionin origjinal të “Fijeve te Barit” ishin frymëzuar nga gjërat që Whitman i shihte si interesante: turmat publike të Nju Jorkut, shpikjet moderne që publiku u mrekullua dhe madje politika e ashpër e viteve 1850.

Whitman admironte shkrimtarin dhe folësin e shkëlqyer Ralph Waldo Emerson.  Ai i dërgoi atij një kopje të librit të tij. Emerson pasi e lexoi atë, u impresionua shumë dhe u përgjigj me një letër që do të bëhej e famshme.  Ndermjet te tjerash i shkruan:

“Ju përshëndes në fillim të një karriere të madhe”, i shkroi Emerson në një letër private për Whitman. I zellshëm për të promovuar librin e tij, Whitman publikoi fragmente nga letra e Emerson, pa leje, në një gazetë të Nju Jorkut.

Whitman prodhoi përafërsisht 800 kopje të edicionit të parë të Fijeve te Barit, dhe vitin e ardhshëm ai botoi një botim të dytë, i cili përmbante 20 poema të tjera.

“Kënga për veten time” që ështe aq e njohur për amerikanët, është shumë filozofike dhe duket sikur predikon shenjtërisht një poet. 

Ai thotë se ne jemi të gjithë të barabartë, dhe ai na e shkruan këtë në rreshta si:

“Çdo atom që më përket mua si i mirë, të përket ty”.  Me shumë shpirt ka shkruar për jetën që e dashuronte:

“A ka menduar dikush se është me fat që ka lindur?  Unë nxitoj t’i them atij ose asaj se është po aq fat të vdesësh”.

“Leaves of Grass” ka mjaft vargje erotike te kënaqësive sensuale gjatë një kohe kur shfaqje të tilla të sinqerta konsideroheshin imorale. Kontradiktat për imazhet e tij eksplicite seksuale shpesh u ironizuan nga kritikë bashkëkohorë.

Në çdo rast, rreshtat e tij të parë të fletores “Gjetheve të Barit” fokusohen drejtpërdrejt në çështjen themelore që ndan Shtetet e Bashkuara. Ai shpërthen në vargje të lira që kërkojnë të lidhin kategoritë e kundërta, të lidhin njerëzit me ngjyrë me të bardhë, të bashkohen me zotërinë dhe skllavin:

Unë jam poeti i skllevërve dhe i zotërve të skllevërve

Unë jam poeti i trupit,

Dhe unë jam poeti i shpirtit,

Unë shkoj me skllevërit e tokës njëlloj me zotërinjtë,

Dhe unë do të qëndroj midis zotërinjve dhe skllevërve,

Do te hyj në të dyja në mënyrë që të dy të më kuptojnë njësoj…

Whitman dhe Abraham Linkoln Presidenti i 16-të i Amerikës

O Kapiten! Kapiteni im!

Vdekja e presidentit Amerikan Abraham Lincoln e tronditi jashtë mase poetin dhe njeriun Whitman.  Pena e tij derdhi në letër gjithë pikëllimin nëpërmjet lules së jargavanit qe është një lule simbol elegjiak i hedhur në arkivolin e Linkolnit.  Dhe ai shkruan:

Tek arkivoli që kalon ngadalë/ Unë ju jap degën time të Jargavanit.

“O kapiten! Kapiteni im! “është poezia më e njohur e Uitmanit. Dhimbja e tij ndihet thellë në këto rreshta teksa kupton se kapiteni i tij, kapiteni i Amerikës, ka vdekur. “O Kapiten! Kapiteni im! Vajton vdekjen e Linkolnit.  Vdekja e Presidentit Lincoln ishte një humbje e pabesueshme për Whitman, por ai ishte në gjendje ta nderonte Linkolnin dhe ta rreshtonte atë me paqen për të cilën luftuan dhe mbroheshin aq dëshpërimisht për ruajtjen e Shteteve të Bashkuara.

NGA WALT WHITMAN

O kapiten! Kapiteni im! udhëtimi ynë i frikshëm mbaroi,

Anija bërë copash në shkëmb, çmimin e saj ka paguar,

Porti është afër, kambanat dëgjoj, njerëzit ngazëllehen,

Ndërsa ndjekin me sy anijen e shkatërruar që afrohet.

Por o zemër! zemër! Imja zemër!

O pika të kuqe të gjakosura,

Në kuvertë shtrihet kapiteni im,

I ngrire, i ftohtë dhe i vdekur.

O kapiten! Kapiteni im!

Ngrihu dhe dëgjo këmbanat;

Ngrihu – për ty Flamuri valëvitet,

Nga trillet e ëndrrave çohu,

Për ju jane buqetat dhe kurorat me fjongo,

Për ju brigjet janë të mbushura me njerëz,

Për ju ata thërrasin, masën që lëkundet,

Fytyrat e tyre të dhembshura duke thirrur;

Ja kapiten! I dashur baba!

Është një ëndërr që në kuvertë,

Ju keni rënë të ftohtë dhe të vdekur.

Kapiteni im nuk përgjigjet,

Buzët e tij janë të zbehta dhe të qeta,

Babai im nuk e ndjen krahun tim, nuk ka puls e as vullnet,

Anija është ankoruar e sigurtë dhe e shëndoshë,

Udhëtimi i saj i mbyllur dhe i përfunduar,

Nga udhëtimi i frikshëm anija hyn fitimtar

Gëzohuni o brigje dhe bini o këmbanat!

 Por unë me ecje të pikëlluar,

 Arrij në kuvertë, i dërrmuar për kapitenin tim,

 Rënë i ftohtë dhe i vdekur.

Whitman, poet, gazetar dhe nëpunës civil me kohë të pjesshme në qeverinë federale, kishte përgatitur një vëllim me poezi, “Drum-Taps”, për botim kur u përhap lajmi për vrasjen e presidentit. Gjatë verës, ai shkroi disa poezi të reja, duke përfshirë tre pjesë në kujtim të Linkolnit që u shfaqën në një koleksion të zgjeruar, “Sequel to Drum-Taps”, në tetor.

Treni që solli trupin e Abraham Lincoln-it përsëri në Springfield, Ill., iu deshën pothuajse dy javë për të përfunduar udhëtimin e tij, duke bërë një qark të gjatë verilindor përmes Maryland, Pensilvani, Nju Jork, Ohio dhe Indiana. Shtrirja e fundit, nga Çikago në Springfield, u përfundua në mëngjesin e 3 majit 1865.

Udhëtimi u mbulua gjerësisht në shtyp pasi miliona amerikanë dolën për të bërë nderimet e tyre të fundit. Gjenerata të tëra historianësh kanë përshkruar dhe janë përpjekur të interpretojnë kuptimin e këtij procesioni funeral unik. Por asnjë autor nuk e ka hetuar ngjarjen më thellë se Walt Whitman.

Më kujtohet vetëm ajo grua që më deshi me shpirt

Është nga ato poezitë që cdo gruaje që dashuron me shpirt i ngel në mendje.  Ndonëse pa shumëbukuri nga qyteti ku jetonte e dashura e tij, ai do të kujtojë dhe I ngelet në mendje vetëm ajo grua e bukur që e deshi veç me shpirt.  Eshtë një lirikë e bukur, e hollë e virgjër ku pena e poetit skalit bukurinë shpirtërore të një gruaje dhe ja se si:

Njëherë kalova përmes një qyteti me shumë popull,

Shënoja në trut’ e mi, që të shkruaja më vonë,

Pasqyrimin e tij, arkitekturën, zakonet, traditat;

Po tani, nga gjithë ai qytet më kujtohet vetëm një grua

Që e hasa padashur dhe më mbajti se më deshi;

Ditë për ditë e natë për natë qemë bashkë –

Gjithë të tjerat më kanë dalë nga mendja;

Them, më kujtohet vetëm ajo grua që më desh me shpirt;

Prapë shkojmë bashkë, duhemi, prapë ndahemi;

Prapë më mban përdore, nuk duhet të shkoj!

E shoh ngjitur meje, buzëkyçur, t’hidhëruar, duke u dridhur…

Shtatorja e WHITMAN me një flutur në gisht

Whtiman, shkrimtar, filozof, laureat, poet botëror dhe edukator e shohim në bronz  dy metra e gjysme i lartë.  Ai ngrihet madhështor me fluturën në gishtin tregues me një unazë. 

Statuja është skalitur nga John Giannotti. Pikturat dhe skulpturat e Giannottit janë ekspozuar në mbarë botën duke përfshirë shfaqje solo në Galerinë e St. Martin-in-the-Fields, Londër, Angli; Galleria Lucia Burgassi, Galleria Uraniadue dhe Galleria Cimabue në Firence, Itali; dhe Galeria Margaret Lipworth në Boca Raton, Florida.

Poeti amerikan Walt Whitman kishte një dashuri për kafshët dhe insektet, veçanërisht për fluturat, duke i përdorur ato si një motiv të përsëritur në librat e tij.  Ai gjithashtu donte të dokumentonte veten duke u fotografuar rregullisht.  Imazhi i mësipërm i vitit 1877 ishte një nga të preferuarat e tij, i një fluture që qëndronte në gishtin tregues. Disa pretenduan se flutura ishte një përfaqësim i psikës – shpirtit të poetit. Për vite me radhë derisa ishte gjallë, Whitman-it i pëlqente të pretendonte se fotografia ishte një takim i rastësishëm me një flutur të vërtetë dhe të luante afërsinë e tij me natyrën dhe kafshët. Megjithatë, një inspektim më i afërt i figurës dhe gishtit të tij zbulon një rrip për të mbajtur “fluturën” në vend. U zbulua vetëm pas vdekjes së Whitman se “flutura” aktuale në foto, ishte në fakt një kartolinë e prodhuar në masë për të festuar Pashkët. Walt Whitman duket sikur komunikon me një flutur që i është vendosur në gisht. “Fotografia është në thelb, fjalë për fjalë,” i tha Whitman kronikut të tij Horace Traubel. “Ne ishim miq të mirë: Unë kisha shumë dëshirë t’i zbutja, ose të vëllazërohesha me disa nga insektet, kafshët.”

Në të njëjtën mënyrë, ai i tha historianit William Roscoe Thayer se “Unë kam pasur gjithmonë aftësinë për të tërhequr zogj, flutura dhe krijesa të tjera”.

Whitman në Luftën Civile

Në 1861 gjatë fillimit të Luftës Civile, vëllai i Whitman, George u regjistrua në një regjiment këmbësorie të Nju Jorkut. Në dhjetor 1862, Walt Whitman duke besuar se vëllai i tij mund të ishte plagosur në Betejën e Fredericksburg, udhëtoi për në front në Virxhinia.

Afërsia me luftën, me ushtarët dhe veçanërisht me të plagosurit patën një efekt të thellë te Whitman. Ai u bë thellësisht i interesuar për të ndihmuar të plagosurit dhe filloi vullnetarizmin në spitalet ushtarake në Uashington. Vizitat e tij me ushtarë të plagosur do të frymëzonin një numër poezish rreth Luftës Civile, të cilat ai do t’i mblidhte përfundimisht në një libër të quajtur “Drum-taps”.

Ndërsa udhëtonte përreth Uashingtonit, Uitman shpesh e shihte Abraham Linkoln duke kaluar me karrocën e tij. Ai kishte një respekt të thellë për Linkoln dhe mori pjesë në inaugurimin e dytë të presidentit në 4 Mars 1865.

Whitman shkroi një ese për inaugurimin, e cila u botua në New York Times të dielën, 12 mars 1865. Në dërgimin e tij, Whitman vuri në dukje, siç kishin thënë të tjerët, se dita kishte qenë e stuhishme deri në mesditë, kur Lincoln ishte planifikuar të bënte betimin e zyrës për herë të dytë. Por Whitman solli një metaforë poetike, duke vërejtur se një re e veçantë ishte shfaqur mbi Linkoln atë ditë: “Ndërsa Presidenti doli në portikun e Kapitolit, një re e vogël e bardhë kurioze, e vetmja në atë pjesë të qiellit, u shfaq si një zog që fluturonte mbi të.”

Whitman në motin e çuditshëm tha se ishte një ogur i thellë i një lloji. Brenda disa javësh, Linkolni do të vdiste, i vrarë nga një vrasës (i cili gjithashtu ndodhej në turmë në inaugurimin e dytë).

Vdekja

I plagosur nga problemet shëndetësore, Whitman u zhvendos në Camden, New Jersey, në mes të viteve 1870. Kur vdiq më 26 mars 1892, lajmi për vdekjen e tij u raportua gjerësisht. Telefononi në San Francisko, në një nekrologji të botuar në faqen e parë të gazetës, më 27 mars 1892, shkruajti:

“Në fillim të jetës ai vendosi që misioni i tij të ishte të predikonte ungjillin e demokracisë dhe të njeriut natyror’ dhe ai shkolloi veten për punën duke kaluar gjithë kohën e tij të disponueshme midis burrave dhe grave dhe në natyrë të hapur, duke u zhytur tek ai natyra, karakteri, arti dhe në të vërtetë gjithçka që përbën universin e përjetshëm ”.

Whitman u varros në Varrezat Harleigh në Camden, New Jersey.

Ne Bibliotekën e Kongresit thuhet se stili i poezisë së Whitman ishte revolucionar, dhe ndërsa edicioni i tij i parë i “Gjetheve te barit” u lavdërua nga Ralph Waldo Emerson, ai u injorua në përgjithësi nga publiku. Me kalimin e kohës Whitman tërhoqi një audiencë, por ai shpesh iu nënshtrua kritikave.  Në dekadat e fundit një debat i vazhdueshëm ka zhvilluar rreth seksualitetit të Whitman-it.  Shumë kritikë besojnë se është homoseksual, bazuar në interpretimin e poezisë së tij.  Walt Whitman ishte një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit të 19-të, dhe është konsideruar nga shumë njerëz si poeti më i madh i Amerikës. Libri i tij “Leaves of Grass” , që ai redaktoi dhe u zgjerua përmes botimeve të njëpasnjëshme, është një kryevepër e letërsisë amerikane.  Dhe ndikimi i tij ende frymëzon.  “Poetët që shkruajnë në anglisht i detyrohen një borxhi të madh Walt Whitman,” thotë Sandy McIntosh, autore e tetë koleksioneve me poezi dhe një ish-profesor i letërsisë dhe i kritikes krijuese në Universitetin “Hofstra” dhe Universitetin “Long Island”, si dhe botuesja e Marsh Hawk Press, me bazë në East Rockaway. Ai shkroi dhe inkurajoi të tjerët të shkruanin në anglisht të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, formën tipike amerikane të të folurit.   Në vend që poezia të gjendej në skemat komplekse të rimave dhe ritmeve të poezisë klasike angleze, Whitman tregoi se nga e folura jonë e zakonshme do të buronte poezia e vërtetë.

Referencat:

Muzeu: Walt Whitman Long Island

Encyclopedia Britannica

6 Shkurt, 2022

Long Island