Këpucë, pantallona, xhemperë, xhaketa, libra, fletore e sende të tjera qëndrojnë si dëshmi të krimeve të luftës në shtëpinë-muze në fshatin Poklek të Drenasit.
Ato u takojnë disa prej 53 civilëve shqiptarë, kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar që u vranë dhe më pas u dogjën nga forcat policore serbe më 17 prill të vitit 1999.
Shtëpia u shndërrua në muze të kujtesës së krimeve ndaj popullatës civile nëpërmjet një intervenimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Por, dyert e këtij objekti shumicën e kohës mbesin të mbyllura në mungesë të një ciceroni që vizitorëve do t’ua rrëfente këtë ngjarje tragjike.
Në këtë shtëpi, më 17 prill të vitit 1999 u vranë 24 fëmijë të moshës nga 6-muajsh e deri në 14 vjeç.
Atë ditë u vranë bashkëshortja dhe katër fëmijët e Fadil Muqollit.
Vajza, Shehidja, ishte 14 vjeçe, ndërsa djemtë: Naseri 12 vjeç, Ylberi 10 vjeç dhe Egzoni 4 vjeç.
“Është shumë e vështirë për t’u futur aty. Për ne, familjarët, është shumë e rëndë ta vizitojmë atë vend e lëre më ta mirëmbajmë”, shprehet Muqolli.
Por, ai e kaloi këtë vështirësi qindra herë në dy dekadat e fundit.
Ai u kujdes që asnjë nga gjurmët e masakrës të mos dëmtohet apo zhduket.
“Për ne, familjarët, kur të shkojmë aty është një ndjenjë që është e vështirë ta them me fjalë, sepse sidomos unë që kam shkuar e i kam tubuar eshtrat e fëmijëve, të familjarëve, me duart e mia që sot kur i afroj duart afër fytyrës, ende e ndiej aromën e eshtrave të fëmijëve… është e rëndë”, thotë Muqolli.
Njëzetepesë vjet pas masakrës së Poklekut, shtëpia e familjes Muqolli ku u vranë dhe u dogjën 53 civilët, ka marrë pamjen e një muzeu.
“Unë nuk kam menduar ndonjëherë se do të bëhet ky muze. Unë i kam ruajtur vetëm për veten time, që t’i kem sepse kur kam shkuar unë aty i kam pa familjarët e mi, 14 anëtarë [të familjes], që m’u kanë vra”, shprehet Muqolli.
Në muret e shtëpisë janë ngjitur fotografitë e shumicës së viktimave, nisur nga fëmijët e deri te më të vjetrit.
Aty janë ekspozuar edhe fotografi të shkrepura pak kohë pas masakrës.
Përveç familjes Muqolli, në këtë shtëpi u vranë edhe anëtarë të familjeve Cerraku, Elshani e Hoxha.
Kjo shtëpi është në mesin e pak objekteve – në të cilat kanë ndodhur krime – që i mbijetuan kohës.
Qindra objekte të tjera si kjo shtëpi, janë shkatërruar ose rrënuar.
Me rrënimin e tyre janë zhdukur edhe ato pak gjurmë që dëshmonin vrasjet dhe krimet mbi popullatën civile.
Si për shumë vrasje e masakra të tjera në mbarë Kosovën, as për Poklekun nuk pati dënime.
Disa familjarë, përfshirë Fadilin, shpresojnë se ndonjëherë do të ketë drejtësi dhe të dënohen personat që kryen vrasjet, por shumë të tjerë e kanë humbur shpresën.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13.500 persona – 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.
Për më shumë se 1.600 persona të zhdukur në luftë vazhdon kërkimi.