Në Springfield e anulohet festivali kulturor për shkak të kërcënimeve ndaj emigrantëve haitianë

Uashington, 17 shtator 2024 – Një qytet i Ohajos, në qendër të debatit politik mbi emigrantët nga Haiti, anuloi festën e tij vjetore të diversitetit kulturor të hënën në përgjigje të kërcënimeve të dhunshme që kanë shkaktuar mbylljen e shkollave dhe zyrave qeveritare. Guvernatori i Ohajos tha se masat e sigurisë do të shtohen në qytetin e Springfieldit për të ndihmuar zyrtarët e qytetit të merren me pasojat e kërcënimeve.

Festivali dy-ditor i Springfieldit “CultureFest”, i cili thekson diversitetin, artin dhe kulturën, ishte planifikuar të fillonte më 27 shtator, por u anulua “në dritën e kërcënimeve të fundit dhe shqetësimeve të sigurisë”, njoftoi qyteti.

“Na vjen shumë keq që duhet të anulojmë festivalin “CultureFest”, sepse e dimë se është një ngjarje e dashur për komunitetin tonë”, tha përmes një deklarate menaxheri i qytetit Bryan Heck. “Megjithatë, siguria e banorëve dhe vizitorëve tanë duhet të jetë përparësia jonë kryesore”, shtoi ai.

Springfieldi ka qenë në qendër të vëmendjes në ditët e fundit pasi ish-presidenti Donald Trump dhe kandidati republikan për nënpresident JD Vance kanë përsëritur pretendimet e pasakta se emigrantët nga Haiti po hanë kafshët shtëpiake të amerikanëve.

Guvernatori i Ohajos, Mike DeWine, një republikan, ka denoncuar thashethemet e rreme, duke thënë se nuk ka prova për këtë. Ai tha në një konferencë shtypi në Springfield të hënën se dhjetëra anëtarët e Patrullës së Autostradave Shtetërore të Ohajos do të dislokohen në shkollat e Springfieldit, duke filluar nga e marta, duke fshirë çdo ndërtesë çdo mëngjes përpara mbërritjes së mësuesve dhe nxënësve. Edha kamerat e sigurisë janë vendosur në pika të ndryshme të qytetit.

Bashkia e Springfieldit, disa shkolla dhe zyra shtetërore janë detyruar të evakuohen javën e kaluar pasi morën kërcënime me bombë. Të paktën 33 kërcënime të veçanta me bombë janë bërë në ditët e fundit, të gjitha të rreme, tha guvernatori DeWine. Ai tha se disa nga kërcënimet vinin nga jashtë, por nuk pranoi të përmendte emrat e vendeve.

“Ne nuk mund t’i lëmë të këqinjtë të fitojnë. Shkollat tona duhet të qëndrojnë të hapura. Ato do të mbeten të hapura”, tha zoti DeWine.

Dy kolegje në Springfield mbajtën mësime në distancë të hënën. Universiteti Wittenberg tha se mori dy kërcënime gjatë fundjavës, “të dyja kërcënimet kishin në shënjestër anëtarët e komunitetit haitian”. Kolegji Shtetëror Clark tha se do të vazhdojë mësimin në internet deri të premten “për shkak të ngjarjeve të fundit në Springfield”.

Mijëra emigrantë nga Haiti janë vendosur vitet e fundit në qytetin kryesisht të bardhë, me rreth 60,000 banorë, rreth 70 kilometra large kryeqytetit të shtetit Kolumbus, ku kanë gjetur punë në fabrika dhe magazina që kishin vështirësi në gjetjen e punëtorëve. Fluksi i papritur ka rënduar shkollat, institucionet e kujdesit shëndetësor dhe shërbimet e qytetit dhe ka rritur koston e strehimit.

Presidenti Joe Biden të hënën dënoi atë që ai e quajti “gënjeshtra dhe urrejtje” në qytetin e Springfieldit.

“Është e gabuar. Është thjesht e gabuar. Dhe duhet të ndalet”, tha ai.

 

(Zëri i Amerikës)