Në Stamboll fillojnë bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë

Stamboll, 29 mars 2022 – Të martën, më 29 mars, në Stamboll filluan bisedimet për një marrëveshje për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës.

Delegacionet është planifikuar të zhvillojnë bisedime dy ditë, në një ndërtesë qeveritare ngjitur me pallatin osman të shekullit të 19-të, Dolmabahçe, në brigjet e Bosforit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili e ka marrë rolin e ndërmjetësit në bisedimet midis dy vendeve, ka thënë se është koha që bisedimet të japin rezultate konkrete dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Në një fjalim në fillim të bisedimeve të martën, Erdogan ka thënë se përparimi në bisedime mund të hapë rrugën për një takim të udhëheqësve të të dy vendeve.

“Si anëtarë të delegacioneve ju keni marrë një përgjegjësi historike. E gjithë bota është në pritje të lajmit të mirë që do të vijë nga ju”, ka thënë Erdogan.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan e ka marrë rolin e ndërmjetësit në bizsedimet midis Ukrainës dhe Rusisë, duke mbajtur qëndrim neotralndaj palëve.

Në fjalën e hapjes së bisedimeve, ai ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, janë “miq të çmuar” të tij.

Ai ka thënë se të dyja palët kanë “shqetësime legjitime”, duke theksuar se ka ardhur koha që bisedimet midis tyre të japin rezultate konkrete.

Ditë më parë, në Stamboll, u mbajt një takim i ministrave të jashtëm të dy vendeve, ministrit rus Sergej Lavrov dher  ministrit  ukrainas Dmytro Kuleba, ku nuk ishte bërë ndonjë progres drejt arritjes së marrëveshjes për paqe, por ishte arritur marrëveshje për hapjen e korridoreve humanitare dhe për vazhdimin e bisedimeve.

Të martën, para fillimit të bisedimeve në Stamboll, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të jetë neutral, siç ka kërkuar Rusia, me kusht që nga Perëndimi të ketë garanci të forta përsigurinë e vendit. Ai ka thënë gjithashtu se Kievi nuk do të negociojë me Moskën për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Rusia, ndër të tjera, kërkon që Ukraina të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në NATO.

Në bisedimet e deritashme midis Ukrainës dhe Rusisë, të cilat janë zhvilluar në Bjellorusi ose përmes video lidhjeve, nuk u bë ndonjë përparim në drejtim të përfundimit të luftës.

(r.m.)