Në Tiranë hidhet dritë mbi figurën dhe kontributin e Qazim Mulletit

Tiranë, 28 gusht 2023 – Akademikë, intelektualë, historianë, figura të njohura të Tiranës dhe familjarë u mblodhën në një simpozium të organizuar nga Akademia e Shkencave Shqiptare në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës në nder të personalitetit Qazim Mulleti, i persekutuar në mënyrë të egër dhe i baltosur nga regjimi komunist, por që në më fund eshtrat e tij mbërritën dhe do të prehen përjetësisht në atdhe.

Pjesë e këtij simpoziumi ishte edhe ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili vlerësoi kontributin e çmuar të Mulletit, në një kohë tejet të vështirë të regjimit, ndërsa tha se nëse emri i tij do vendosej sot në inteligjencën artificiale, është e sigurt se do të ishte i pari që do kalonte provimin për të qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

“Sot, jemi në kohën e inteligjencës artificiale. Me algoritmin me të thjeshtë të kësaj inteligjencë, futeni identitetin e Qazim Mulletit, njeri qytetar, patriot, atdhetar, akademik, i kulturuar, futini dhe të jeni i sigurt që është i pari që kalon provimin për të qenë parlamentar i parlamentit shqiptar, dhe përfytyroni sa larg, disa prej të cilëve janë me vite dritë larg nga figura e ndritur e Qazim Mulletit.  Shoh sot nëpër portale duke bërë komente rreth kësaj ngjarje të veçantë (riatdhesimi i eshtrave) një mungesë të madhe respekti nga llogoret e provincës (nënkupton jo prejardhjen por mentalitetin provincial). Për më shumë një pjesë e të cilave janë të orkestruara”, shprehet Bamir Topi.

Ish-Presidenti Bamir Topi, i ka dedikuar një hapësirë të veçantë Qazim Mulletit në librin e tij “Betejat e humbura të Tiranës”.

Figura e Qazim Mulletit u vlerësua edhe nga regjisori e aktori i njohur, Bujar Kapexhiu, i cili tha se me sjelljen e eshtrave të tij në atdhe akrepat e sahatit nisën të lëvizin për zbardhjen e të vërtetave të atij regjimi të egër.

“Fatmirësisht, po ndodh kthesa e madhe ku t’u tregohet e gjithë njerëzve e vërteta. Sigurisht do të duhet kohë, për t’u vënë në vend siç e meriton vlera e vërtetë e kësaj figure patriotike e historike. Akrepat e sahatit nisin të lëvizin, koha është për ne”, tha ndër të tjera Bujar Kapexhiu.

Në këtë përkujtim ishin edhe familjarë të ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Të afërmit e tij, Fatbardha e Tanush Mulleti, thanë se ai luftoi për bashkimin kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Uroj që shqiptarët të mos i provojnë më këto gjëra. Është e tmerrshme të ndash një popull të ndash familje dhe t’i gënjesh”, ka thënë ndër të tjera mbesa e Qzim Mulletit.

Kreu i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, e nderoi Qazim Mulletin me titullin “Fisnikëria tiranase”, për meritat e veçanta në formimin e shtetit modern shqiptar dhe në ndërtimin e Tiranës bashkëkohore. Ndërkohë, këtë të premte të 25 gushtit, familjarët e ish-Prefektit Qazim Mulleti e pritën arkëmotin në Portin e Durrësit, të shoqëruar nga kreu i shoqatës “Tirana”, ish-prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, si dhe juristi Shkëlqim Hajdari, i cili ka qenë koordinator i procesit për kthimin e eshtrave të tij.

Qazim Mulleti i vërtetë, jo personazhi në komedinë “Prefekti” sipas artit të diktaturës, është një personazh i pazakontë në historinë e qytetit të Tiranës. Kryetar bashkie i Tiranës nga viti 1939 deri në vitin 1940 dhe prefekt i saj nga 1942-1944. Ai nuk ishte vegël e italianëve, apo zyrtari qesharak që drejtonte Tiranën në atë kohë sipas komedisë.

Qazim Mulleti i vërtetë lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893. Prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist, studimet e para i kreu në Manastir, gjimnazin në Janinë kurse studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbokroatisht dhe greqisht.

Hobi i tij ishte hipizmi, koleksionimi i suvenireve, ku në shtëpinë e vet, një kat e kishte shndërruar në muzeum të posaçëm, si dhe patinazhi në akull. Në 1912-n, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë.

Në 1914-n është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi deri në vitin 1920. Aty ai e mbulonte rajonin e Ballkanit.

(Panorama)