Tiranë, 24 shkurt 2023 – Qytetarë e veprimtarë të të drejtave të njeriut, organizata të shoqërisë civile, nxënës e studentë, diplomatë perëndimorë dhe përfaqësues shtetërorë zhvilluan sot një marshim në shëtitoren Dëshmorët e Kombit për të nderuar rezistencën njëvjeçare të Ukrainës përballë agresionit rus.
Folësit kryesorë theksuan se, Shqipëria ishte ndër vendet e para që strehoi shtetas ukrainas, dhe mbështeti qëndresën e popullit ukrainas.
Diplomatët amerikanë dhe europianë shprehën edhe në këtë marshim mbështetjen e gjerë, që Ukraina ka marrë dhe po merr në përballimin e agresionit rus.
Marshimi i sotëm në mbështetje të Ukrainës në njëvjetorin e qëndresës së saj kundër sulmit rus bëri bashkë grupime në mosha, e profesione nga më të ndryshmet, të gjithë së bashku për të treguar se shoqëria shqiptare i përket vlerave demokratike të SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe OKB-së.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, theksoi se pak ditë më parë Presidenti Biden shkoi në Kiev dhe tregoi qartë se përkrah kujt qëndron dhe në çfarë besojnë SHBA-të.
“Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës, përkrah kombit dhe popullit ukrainas. Ne jemi dhe do të jemi bashkë me popullin e Ukrainës për lirinë, për sovranitetin e kombeve, për të drejtën e popujve që të ekzistojnë dhe do të mbështesim këto parime, aq gjatë sa të jetë nevoja. Perëndimi është i bashkuar si kurrë më parë. Populli i Ukrainës përballoi një vit të tmerrshëm dhe ne jemi krenarë që jemi përkrah tyre, Shqipëria, SHBA, dhe e gjithë bota. Bota e di dhe i ka parë krimet që janë bërë në Ukrainë dhe të gjithë kërkojmë drejtësi dhe liri”, theksoi ambasadorja Kim.
Ajo citoi Presidentin Biden kur tha se Putin është thellësisht i gabuar në përpjekjen për t’i imponuar dëshirat e tij Ukrainës, duke menduar se ajo ishte e dobët, por doli se Ukraina ishte e fortë fortë.
“Putin mendoi se Perëndimi ishte i përçarë, por përsëri ishte gabim. Ai mendoi se do të na bllokonte ne, NATO-n, BE-ne dhe të gjithë ne që besojmë tek liria dhe integriteti, por ishte gabim”, tha ambasadorja Kim.
Ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi, vlerësoi qëndresën e jashtëzakonshme të Ukrainës përballë sulmit të Rusisë, edhe falë mbështetjes së gjerë ndërkombëtare.
Ai tha se së shpejti Shqipëria dhe Ukraina do të takohen në Bashkimin Europian, sepse mbrojnë të njëjtat vlera.
“E gjithë hapësira e aleancës së NATO-s, një aleancë më e gjerë se sa NATO, e cila udhëhiqet nga SHBA-të, po mbështesin Ukrainën në përballimin e agresinit rus. Në Ukrainë nuk luftohet vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë vlerat e aleancës perëndimore”, tha zoti Peleshi.
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Kristian Hohman, tha se Rusia, një vend anëtar i Këshillit të Sigurimit, dhunon ligjin ndërkombëtar, me një agresion të dhunshëm ndaj popullit ukrainas, dhe me shkelje të hapur të Kartës së OKB-së, që po vazhdon çdo ditë.
“Çdo ditë Ukraina po bën një qëndresë heroike, me kurajo, duke fituar admirim të gjithanshëm dhe duke u kthyer në një burim fryëzimi për gjithë Europën. Si Ukraina edhe Shqipëria, që po e mbështet, kërkojnë ashtu si gjithë vendet perëndimore, liri, demokraci, respekt për ligjin ndërkombëtarr, siguri, solidaritet, dhe paqe”, theksoi ambasadorja Hohman.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, volodimir Shkurov, se si gjatë këtij viti janë zhvilluar shumë tubime dhe veprimtari të tjera në mbështetje të popullit ukrainas, madje edhe një rrugë në kryeqytet u emërtua “Ukraina e Lirë”.
“Edhe pse shumë persona në Rusi një vit më parë mendonin se Ukraina do të binte breda pak ditësh, kjo nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodhë. Ja ku jemi sot pas një viti dhe po mbrojmë atdheun tonë dhe pavarësinë me kurajo të madhe”, tha ambasadori Shkurov.
Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj, tha se “Tirana ka ndarë fonde për Kharkivin, qytetin simotër, dhe është gati të përfshihet në ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, me aq sa kemi mundësi, sapo të jepet mundësia për të nisur ndërtimi”.
Prej një viti, krahas shumë tubimeve protestuese kundër sulmit rus ndaj Ukrainës, Shqipëria u është bashkuar me punë konkrete mbështetjejes ndërkombëtare për Ukrainën, duke strehuar shtetas ukrainas të larguar nga lufta.
Ajo është ndër vendet e para, që dha ndihma materiale dhe ushtarake, krahas shteteve të tjerë, për të mbështetur fitoren e Ukrainës në këtë luftë.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)