Tiranë, 21 janar 2023 – Në Tiranë, familjarë të viktimave dhe pushtetarë socialistë nderuan sot në Shëtitoren Dëshmorët e Kombit 4 protestuesit e vrarë, 12 vjet më parë, gjatë një demonstrate të organizuar nga opozita.
Kryeministri Edi Rama theksoi se drejtësia duhet të bëjë drejtësi, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha përsëriti se zoti Rama kontrollon sot të gjithë pushtetet.
Ky përvjetor u shënua me shpresën e rihapjes së hetimeve, pas publikimit për herë të parë të urdhërave në radiot e Gardës gjatë protestës.
Pak metra pranë selisë së qeverisë, ku humbën jetën nga plumbat e gardës kombëtare 4 protestues opozitarë, kryeministri Edi Rama, familjarë dhe përfaqësues të tjerë të shumicës së majtë vendosën lule në 4 vendet ku ata mbetën të vrarë.
Ky ritual u zhvillua edhe sot në 12 vjetorin e kësaj ngjarje, ashtu siç është përsëritur vazhdimisht bashkë me thirrjet për rihapjen e kësaj çështje.
Zoti Rama shënoi në rrjetin Facebook se bëri homazhe “në pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi, ndërkohë që e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri rrënqethës sapo ka dalë në dritë”.
Ai iu referua publikimit një ditë më parë nga gazetari Artan Hoxha të komunikimeve në radiot e komandantëve të Gardës së Republikës, të cilët kërkonin mbajtjen e armëve gati për zjarr, ndërsa vëzhgonin demonstratën e thirrur nga Partia Socialiste nën thirrjet “O Sali, dorëzo bllokun”.
Ishte fjala për një bllok shënimesh të ish ministrit Ilir Meta, ku dyshohej se ai mbante shënim aferat korruptive, në video që u regjistruan fshehtas nga ish ministri Dritan Prifti dhe u publikuan nga programi Fiks Fare në televizionin Top Channel.
Urdhërave që shkëmbente komanda e Gardës dhe që u publikuan një ditë para përvjetorit të 12 nga gazetari Artan Hoxha iu referua edhe ministrja Elisa Spiropali.
Ajo tha se pritej fjala e drejtësisë, por të gjithë e dinin se në 21 janar ndodhën vrasje shtetërore dhe jo ngjarje aksidentale.
“Publikimi dje i transkriptit të një audioje ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit të kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmorët e asaj dite të zymtë u vranë shumë larg gardhit të Kryeministrisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë. Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi në emër të viktimave, jetimëve, familjarëve dhe vetë demokracisë së përgjakur në 21 janar”, tha zonja Spiropali.
Ajo dhe përfaqësues të tjerë socialistë kanë deklaruar se asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga drejtësia për 21 janarin, dhe se drejtësinë e kërkojnë nga drejtësia.
Po sot doli para publikut edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili akuzohet nga socialistët si autor i ngjarjes tragjitke të 21 janarit.
Ai ka thënë më herët se vrasjet ishin aksidentale, ndërsa Garda po zbatonte ligjin, duke kujtuar se ai ishte jashtë kryeministrisë dhe u kthye me ngut brenda saj për të qëndruar në institucion gjatë protestës.
Zoti Berisha tha sot se kryeministri Rama kontrollon drejtësinë dhe më shumë pushtet se sa diktatori më i fundit i diktaturës komuniste.
“Një njeri me një etje të pashuar për pushtet dhe pasurim, nën shembujt më të zinj të etërve politikë dhe paraardhësve, ka vënë nën kontroll të gjithë pushtetet. Edi Rama sot kontrollon 10 për qind më shumë pushtete se Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist, në vitin 1991”, tha zoti Berisha.
Mijëra protestues, përkrahës të opozitës socialiste, vërshuan më 21 janar 2011 nga gjithë qytetet e vendit në shëtitoren Dëshmorët e Kombit për të marrë pjesë në demonstratën e organizuar nga Partia Socialiste kundër korrupsionit të dyshuar të qeverisë Berisha, pas publikimit të videove, ku shfaqej ish ministri Ilir Meta, teksa fliste me një bllok në dorë për qindra mijëra eurove.
Protestuesit u përleshën për disa orë me policinë e shtetit, që mbronte kryeministrinë, më vonë u dogjën makina dhe pemë, një automjet goditi portën e rrethimit metalik në për të hyrë brenda perimetrit, derisa shpërthyen breshëritë e armëve të zjarrit nga Garda e Republikës, në përfundim të të cilave mbetën 4 të vrarë dhe shumë të plagosur.
(lirian Agolli, Zëri i Amerikës)