Tiranë, 29 maj 2023 – Akademikë, pedagogë dhe studentë përkujtuan sot në Tiranë dijetarin e njohur Mid’hat Frashëri, përmes botimit të një tjetër vëllimi të krijimtarisë së tij.
Studiues nga Shqipëria dhe Kosova theksuan në një tubim shkencor ndihmesën e tij në fusha të kulturës, diplomacisë dhe çështjes shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, e cila u fsheh nga censura e regjimit komunist.
Akademikët dhe studiuesit nga Shqipëria dhe Kosova, që morën pjesë në tubimin e sotëm shkencor kushtuar dijetarit Mid’hat Frashëri, theksuan se ai punoi me përkushtim për bashkimin e shqiptarëve dhe për shpëtimin e kombit shqiptar.
Akademiku i njohur nga Kosova, Rexhep Ismajli theksoi se “Mid’hat Frashëri ishte dijetar i shquar i kulturës shqiptare si në krijimtarinë e penës, ashtu edhe organizator dhe pjesëmarrës i ngjarjeve me rëndësi si Kongresi i Manastirit, Kongresit të Elbasanit, shërbime në dikasteret ministrore dhe diplomatike, organizimit të rrjetit bibliotekar, deri edhe në themelimin e organizatave politike, ndaj edhe krijimtaria e tij u ndalua krejtësisht gjatë 50 viteve të regjimit komunist dhe mbisundimit sllav”.
Akademiku Ismajli i bëri këto komente në tubimin përkujtimor në nderim të albanologut Mid’hat Frashëri, ku u përurua vëllimi i tetë i krijimtarisë së tij etnologjike dhe antropologjike.
Studiuesit shprehën shqetësimin për censurimin dhe bllokimin e plotë të veprës së Mid’hat Frashërit gjatë regjimit komunist, si dhe për ashpërsinë e sjelljeve ndaj figurës së tij, me akte si dëmtimi i bustit dhe i varrit të tij, ndërsa trupi i tij u kthye në atdhe pas 70 vjetësh.
Drejtuesi i Institutit të Studimeve Lumo Skëndo, studiuesi Uran Butka po riboton serinë e veprave të Mid’hat Frashërit të mbledhura me shumë përpjekje në një mori arkivash dhe bibliotekash brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ai theksoi se “Mid’hat Frashëri ia kushtoi jetën e tij mbrojtjes dhe lartësimit të shqiptarizmës, duke shkruar pa ndalim studime mbi gjuhën shqipe, studime për etnologjinë dhe albanologjinë”. Ndërsa studiuesi Enver Kushi përshkroi përpjekjet e diplomatit Mid’hat Frashëri për Kosovën dhe Çamërinë.
Studiuesit theksuan se Mid’hat Frashëri është një studiues me përmasa europiane dhe sjellja në vëmendjen e opinionit të gjerë kulturor shqiptar e shkrimeve të tij dhe veprimtarisë së tij po ndikon në ridimensionimin e gjithë historisë kulturore shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit 20, për të cilën regjimi komunist heshti dhe ndaloi studiuesit të merreshin me të.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)