Në Tiranë promovohet libri “Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare”

Tiranë, 24 prill 2022 – Në ditën e dytë të Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor organizuar nga  Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), u promovua edhe  Libri “Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare”, i botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, i cli  u mirëprit nga një audiencë e zgjedhur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ky promovim ofroi një optikë të gjerë mbi problematikat që ngre libri, falë edhe debatit të pjesëmarrësve, të cilët me përkushtim ndoqën këtë ngjarje.

Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, duke elaboruar nevojën e botimit të këtij libri theksoi se veprat e tilla janë pjesë e strategjisë mbi hulumtimin dhe edukimin e Holokaustit. Ai vuri në dukje se ITSHKSH është ndër institucionet e para në rajon dhe më gjerë që ka themeluar Departamentin për huliumtimin dhe edukimin e Holokaustit, si përgjigje e drejtpërdrejt ndaj dy objektivave fundamentale – në njërën anë të argumentohet shkencërisht gjithë ajo përvojë koletive e popullit hebre në kuadër të  sakrificave sublime gjatë ditëve të vështira të Luftës së Dytë Botërore dhe në anën tjetër të rifreskohet memorja e atyre që mbijetuan holokaustin por edhe të atyre që i shpëtuan hebrenjt nga kthetrat naziste. Kjo edhe për një arsye, tha Asani, sepse në diskursin publik në Maqedoninë  eVeriut dhe me gjerë, një kohë të gjatë kishte ekzistuar padrejtsisht një etikë mbi shqiptarët si gjoja bashkëpunëtorë të fashizmit.Duke themeluar  Departamentin për huliumtimin dhe edukimin e Holokaustit,në një shoqëri me popullsi dominuese myslimane, ITSHKSH ka demantuar në mënyrë të argumentuar të gjitha këto akuza dhe pretendime në adresë të shqiptarëve.

Ndërkaq duke bërë fjalë për librin dhe sidomos mbi qëllimin e botimit të tij, Dr. Asani, theksoi se Bullgaria e atëhershme cariste, duke u rreshtuar me Hitlerin, ka dashur të realizojë pjesë të padrejtësive të pretenduara territoriale ndaj Bullgarisë nga e kaluara që nga Marrëveshja e Shën Stefanit, duke e shtri dominimin e saj edhe në Maqedoninë e sotme. Paradoksalisht, tha ai, Bullgaria kishte nxjerrë ligje antisemite madje edhe më shumë se vet Gjermania naziste, vetëm e vetëm që të gëzojë përkrahjen  e Hitlerit mbi pretendimet e saja bullgaromëdha.

“Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare”, është vepër e parë e këtij karakteri në rajonin tone, tha Dr. Sefer Tahiri, sekretar shkencor në ITSHKSH i cili duke iu referuar njërit prej bashkautorëve të librit, Vllado Popovski, tha se Mbretëria Bullgaria aksionin e asgjësimit të hebrenjve e kishte ndërmarrë me vetënismë dhe pa shtypje nga ana e Gjermanisë fashiste, meqë nga kjo e fundit priste benefite tjera.

“Vepra në fjalë trajton hollësisht ligjet kundër – hebraike në Mbretërinë e Bullgarisë, që janë miratuar nga Kuvendi i Popullor në periudhën prej janarit të vitit 1941 deri në korrik të vitit 1942, kur me “Ligjin për urdhërdhënien që Këshilli Ministror t’i ndërmarrë të gjitha masat për zgjidhjen e çështjes hebraike dhe të gjitha çështjet tjera, të ndërlidhura me të” ose Ligji i Autorizimeve të Këshillit Ministror, kompetencat për këtë çështje i delegohen qeverisë përkatësisht Këshillit Ministror të Bullgarisë”, nënvizoi Tahiri.

Përpos rëndësisë eksplicite studimore nga fusha e legjislacionit, tha ai, kjo vepër nxjerr në pah edhe një rëndësi tjetër që lidhet me objektivat e ITSHKSH-së në zhvillimin e mëtejmë të Departamentit për Studimin dhe Edukimin e Holokaustit.

Ndërkaq udhëheqësi i Departamentit të letërsisë në ITSHKSH, Emin Azemi, nënvizoi se  materia e këtij libri, ashtu siç e kanë ideuar dhe konceptuar autorët, nxjerr në dritë zbërthimin e doktrinës shtetërore bullgare, me proviniencë fashiste, ndaj çështjes hebreje. Libri ka peshën e padiskutueshme të dëshmisë historike-shkencore, përmes dokumenteve autentike, mbi një politikë të planifikuar dhe mirë të organizuar naziste kundër popullatës hebreje brenda territorit që kontrollohej nga administrata fashiste bullgare, përfshi edhe një pjesë të Maqedonisë së sotme.

“Libri “Legjislacioni bazik antisemitik në Mbretërinë e Bullgarisë”, duke qenë pjesë e Strategjisë për edukimin mbi holokaustin, e bën Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup një adresë mjaft kredibile të trajtimit të temave me peshë, jo vetëm të karakterit të ngushtë nacional, por edhe ato me përmasa globale.

Kjo veprimtari ambicioze e Institutit ndjek përvojat më të avancuara në fushën e momoaristikës, kurse si shprehje e drejtpërdrejtë e këtij interesimi është edhe ideja për të sjellë në vëmendjen e publikut tonë historinë orale përmes rrëfimeve autentike të të mbijetuarve nga Holokausti dhe të atyre që kontribuuan në shpëtimin e hebrenjve”, vuri në dukje Emin Azemi.

Në promovim ishin të pranishëm disa personalitete të shquara të jetës publike, ndër ta edhe, Petrit Zorba, kryetar i Shoqatës së miqësisë Shqipëri – Izrael, Rexhep Hoxha një nga protagonistët e dokumentarit “ Besa” kushtuar sakrificave shqiptare në shpëtimin e hebrebjve, Klodeta Cane , bashkëpuntore e jashtme nga Izraeli e ITSHKSH në temën e Holokaustit, ambasadori Arben Çejku etj. të cilët gjithashtu me paraqitjet e tyre kontribuuan në debatin mbi librin “Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare”.

(e.a.)