Tiranë, 20 nëntor 2023 – Të dielën në Tiranë, në kuadër të “Panairit të librit 2023”, në stendën e shtëpisë botuese “Toena”, u promovua libri “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)” i autorit Skender Asani. Ky promovim u ndoq nga një numër i konsiderueshëm i lexuesve që ishin edhe vizitorë të panairit të librit.
Fatmir Toçi, në cilësinë e organizatorit dhe moderatorit të këtij promovimi, vuri në dukje rëndësinë e këtij libri si dhe seriozitetin e autorit Skender Asani për t’iu rrekur temave të rëndësishme, të cilat jo vetëm që janë aktuale, por janë edhe problemore përnga mënyra se si e i ka shtjelluar autori.
Për librin “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)”, foli edhe profesori universitar dhe ambasadori i ardhshëm i Maqedonisë në Gjermani, Ylber Sela, i cili tha se ky libër ngërthen brenda vetes një çështje vërtet të madhe, siç është bota shqiptare e cila vuan nga sprovat dhe paradokset historike e politike. Të gjitha këto situata të ndërlikuara, nënvizoi Sela, autori i trajton në mënyrë induktive dhe deduktive, domethënë duke e parë këtë botë si një pjesë të veçantë brenda tërësisë së përgjithshme, përkatësisht shqiptarët në kontekstin ballkanik, europian dhe në atë botëror.
“Në fakt ky libër është një vrojtim historik dhe politik i çështjes shqiptare. Dhe pikërisht si i tillë na çon në thellësi të saj, duke zbuluar e shpërfaqur shkaqet dhe arsyet e ngjarjeve të ndryshme, por edhe duke ofruar zgjidhje vizionare për veprim të drejtë e legjitim. Krahas ngjarjeve dhe proceseve që kanë ndodhur në kohë dhe në hapësirë, autori njëkohësisht merret edhe me personalitetet shqiptare si Skënderbeu, Nënë Tereza, Hasan Prishtina, Gjerasim Qiriazi, Parashqevi Qiriazi etj., të cilët janë bartës të idesë dhe të kauzës kombëtare në kuptimin etnik dhe kulturor. Në këtë kontekst, mund të vërehet se një vëmendje të veçantë ia kushton edhe Shkupit si njëra nga qendrat e rëndësishme të shqiptarëve gjatë historisë, ku janë zhvilluar shumë ngjarje, procese, vendime, lëvizje, kryengritje etj. Ky qytet nuk është thjesht vetëm një topos i nostalgjisë dhe i krenarisë historike, por sigurisht edhe një vizion aktual ku zhvillohen shumë aktivitete e nisma në interes të kauzës kombëtare. Pra, zëri intelektual i Skënder Asanit dëgjohet pikërisht nga Shkupi si induksion gjeografik dhe politik, për të shkruar drejt një deduksioni kombëtar dhe ndërkombëtar”, vuri në dukje Prof. dr. Ylber Sela.
Redaktori dhe botuesi i librit “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)”, Emin Azemi, pasi vlerësoi se i studiuesit dhe historianit Skender Asani përfaqëson men-dimin e artikuluar intelektual e shkencor mbi disa trajta të formimit dhe zhvillimit të botës shqiptare përballë proceseve që kanë ndodhur në një të kaluar jo shumë të largët, por edhe në përmasën aktuale, tha se me këtë libër, autori determinon nevojën e rishikimit të raporteve në mes të njerëzve dhe ven¬deve, por mbi disa premisa krejtësisht humane e bashkëpunuese.
“I ardhur nga bota shkencore e historisë politike, Sken¬der Asani është një detektues preciz i proceseve, duke e shi¬kuar të ardhmen në bazë të një empirizmi retrospektiv, por edhe të një deshifrimi të dritëhijeve nëpër të cilat po kalon aktualiteti dhe ngjarjet që e bëjnë këtë aktualitet të jetë fluid dhe here-herë i vendosur para sfidave të shumta vendore e rajonale, diplomatike e gjeopolitike. Nga libri i Skender Asanit kuptojmë se Bota shqiptare nuk është hegjemoni e ndërtuar mbi elaborate për të push¬tuar toka dhe popuj të tjerë. Bota shqiptare, sipas autorit, është integrim vlerash e idesh kulturore e shpirtëror mbi parimet e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me kulturat dhe etnitë tjera. Libri “Bota shqiptare (e veçanta dhe universalja)” i Skender Asanit është një ofertë idesh e pikëpamjesh për të gji¬thë ata që iu mungon atdheu, për të gjithë ata që me vete kanë bartur një copë dhe nga vendlindja dhe në të kanë mbjellë lule kujtimi. Ky është një kapërcim kontinental mbi hartat e ngushta etnike, duke ofruar një vizion më pragmatik për të ardhmen e gjeneratave të reja, në kushtet kur ata ndodhen larg frymës dhe ndikimit kombëtar të vendlindjes”, nënvizoi Emin Azemi.
Autori i librit, Skender Asani, tha se një kohë të gjatë është marrë me çështjet që kërkojnë një përgjigje, siç është edhe bota shqiptare, e cila në kushtet dhe rrethanat aktuale, ajo por shkon duke u deatomizuar deh nuk mund të flitet më për një botë shqiptare kompakte, në aspektin territorial e socio-kulturor.
“Në këtë kontekst turbulencash demogtrafike, hapësira shqiptare në Ballkan jo vetëm që nuk mund të jetë imune ndaj pasojave që jell shpopullimi, por ajo do të përballet me probleme të tjera, ndoshta edhe më të rënda, nëse bota shqiptare nuk arrin të konfigurohet ndryshe nga ajo që është tani. Procesi i shpopullimit të vendeve tona ka krijuar një hartë të re globale të diperzimit etnik, ku tani kemi shumë shumë Shqipëri të shpërndara në çdo cep të botës dhe ky paraqet një moment të ri për të gjithë ata individë, subjekte e intitucione që në një farë mënyre merren me studimin dhe menaxhimin e botës shqiptare, në tërësinë e saj, por tani në një kontekt më të gjerë global. Ashti siç veproi Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze, ecila erdhi nga perdiferia dhe e globalizoi humanzmin në gjithë botën, edhe shqiptarët duhet të ndjekin këtë kauzë, duke bartur me vete specifikat etno-kulturore në një shtrat më të gjerë integrimesh në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë”, tha Asani.
E veçanta e këtij promovimi ishte pjesëmarrja e Rozi Dako, stërmbesa e Sevasti Qiriazit, e cila kishte ardhur enkas nga Torinoja e Italisë për të shprehur respektin dhe konsoderatat ndaj autorit të këtij libri, studiuesit Skender Asani. Ajo e konsideroi tepër të rëndësishëm botimin e këtij libri dhe vuri në dukje se Skender Asani po bëhet një promotor ideve dhe kauzave sublime kombëtare.
(e.a.)