Tiranë, 19 mars 2022 – Mijëra qytetarë morën pjesë sot në Tiranë në protestën e tetë kundër rritjes së çmimeve për karburantet dhe ushqimet.
Ata kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale përballë tregjeve të shtrenjtuara si dhe heqjen e disa taksave gjatë kohës, që tregjet po ndikohen nga lufta në Ukrainë.
Qeveria ka shpallur një paketë subvensionesh për pensionistët, transportin dhe bujqësinë si dhe po mbikëqyr çmimet e naftës dhe ushqimeve, por ato vlerësohen si të pamjaftueshme nga protestuesit.
Ata u mblodhën në sheshin Skënderbej dhe ecën përgjatë shëtitores Dëshmorët e Kombit për t’u bashkuar para kryeministrisë.
Protestuesit u mblodhën si dhe herë të tjera nga njoftimet përmes rrjeteve sociale, ndërsa folësit kryesorë theksuan se protesta po bëhej për shqetësimet kryesore të familjeve shqiptare dhe nuk kishte ndonjë sfond politik.
Protestat nisën 10 ditë më parë kur çmimi i naftës u ngrit befas me afro 40 përqind brenda një pak orësh si dhe nisi shtrenjtimi i ushqimeve.
Qeveria tha fillimisht se nuk mund të ndërhynte në tregun e lirë për të frenuar çmimet, por më pas ngriti dy borde kundër spekullimeve; një për të unifikuar çmimet e naftës e gazit, si dhe tjetrin për të mbikëqyrur çmimet e ushqimeve.
Autoritetet miratuan më herët një paketë me financime dhe subvensione për pensionet, transportin, bujqësinë, por protestuesit pohuan se ajo ishte e pamjaftueshme dhe kërkuan një paketë të dytë të bazuar mbi kërkesat e tyre të përkohshme.
Ata kërkojnë heqjen e taksës së qarkullimit dhe pezullimin e barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.
Po ashtu u kërkua pezullimi i tvsh-së për produktet e shportës së ushqimeve bazë, zgjerim të skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.
Protestuesit kërkuan një paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri në tejkalimin e krizës dhe përcaktim të minimumit jetik.
Një ndër kërkesat e tyre është po ashtu hetimi e mbikqyrja e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.
Paketa e qeverisë parashikon rimbursime cash për pensionistët, për biletat e transportit qytetas dhe për energjinë elektrike, mbështetje për fermerët, zerimin e taksave për një pjesë të pagave dhe përgjysmimin e taksave për pjesën tjetër, si dhe rritjen e pagës minimale në 320 dollarë nga prilli.
Por protestuesit thonë se këto masa nuk janë themelore, se ata kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale, ndaj u shprehën se do të qëndronin pa kufizim në sheshin para kryeministrisë në përpjekjen për të fituar vëmendjen e qeverisë ndaj kërkesave të tyre.
(Zëri i Amerikës)