Më 29 tetor 2021, në QKI “Malësia”, në Tuz, u bë promovimi i librave “Mbyllur për pushime” (roman) dhe “Tregimet e tranzicionit” ( tregime), të autorit Stefan Çapaliku.
Në këtë promovim, Sidorela Berishaj ishte në dialog me autorin Stefan Çapaliku.
Mbrëmja ishte e shoqërurar me muzikë në piano nga Anton Harapaj.
Në romanin “Mbyllur për pushime” autori Stefan Çapaliku sjell në vëmendje një periudhë shumë dinamike të Shqipërisë, e cila përkon me shtatorin e vitit 1943 dhe nëntorin e vitit 1944, me periudhën e çlirimit.
“Origjina e këtij libri ka qenë një pyetje, Ernest Koliqi si iku në Romë? Me kolonën e fundit gjermane. Po Mustafa Kruja, Bib Miraka etj? Përherë kam pyet veten çfarë ka qenë kolona e fundit gjermane? S’kam ditë asnjëherë t’i jap përgjigjen derisa një ditë më ra në duar romani i Karl Gurakuqit për “Kolonën e fundit gjermane”. Unë kam dashur të dal në një breg tjetër të lumit, për ta parë historinë në një tjetër këndvështrim Kështu mendova që të bëj një roman që të shikoj historinë me sytë e humbësve, jo të fitimtarëve”, shprehet shkrimtari Stefan Çapaliku.
Ngjarjet e këtij romani zhvillohen në 3 qytete kryesore, në Beograd, në Tiranë dhe në Shkodër. Ndërkohë, autori pohon se personazhet janë të gjithë të vërtetë.
Romani ka një strukturë të “copëzuar” në formën e një mozaiku, të cilat rrinë më vete, zhvillohen më vete dhe të tubuara së toku na japin gjithë rilievin sociokulturor e politik të Shqipërisë. Pena e shkrimtarit ecejaket nga situatat e ndrojtura e delikate të artit, tek krimi, lufta, përgjakja, përçarja, ankthi i vëllavrasjes, te kurthet e situatave ndërkombëtare, te përpëlitja për të gjetur shtigje daljeje nga tragjedia, gjer te idiotësitë dhe budallallëku.
Në një vështrim të përgjithshëm libri është ndërthurje me fatet e tri çifteve të dashuruar, në një hallakatje psikike, kombëtare e mbarëbotërore, në zgripin e ditës me natën dhe jetës me vdekjen.
Ndërsa libri “Tregimeve të Tranzicionit” të Stefan Çapalikut, zë fill 25 vite më parë nga qyteti i lindjes së autorit , Shkodër, për të përvijuar në kryeqytetin e Shqipërisë.Autori e ka konceptuar të ndarë në tre kapituj të mëdhenj: “Libri i ëndërrimeve”, “libri i dyshimeve” dhe “libri i dështimeve”.
Në këto tregime autori, shqyrton fatin e intelektualit si dhe njeriut të thjeshtë të cilët vërtiten në një tranzicion të pafund.
Malesia.Org