Uashington, 11 shtator 2022 – Këtë fundjavë në Uashington u nderua jeta dhe vepra e Nënës Terezë me aktivitete përkujtimore, 25 vjet pas vdekjes së saj, mes së cilave hapja e “Institutit Nëna Tereza” me pjesëmarrjen e disa prej figurave dhe studiuesve më të rëndësishëm të Kishës Katolike në SHBA. Zëri i Amerikës shkoi në Universitetin Katolik të Amerikës dhe sjell bisedat me miqtë e afërt dhe bashkëpunëtorët e nobelistes me origjinë shqiptare që sollën histori personale si edhe studiues që folën për figurën dhe rolin e saj.
“Unë jam tue u lutë për ju, Zoti kjoftë me ju!”
Kjo lutje e Nënës Tereza u bë për shqiptarët e Amerikës, në vitin 1988 në lagjen Bronx të Nju Jorkut.
Por, lutjet e saj për të hapur shtëpitë e para të bamirësisë në Shqipëri, u pranuan pas tre vjetësh, në vitin 1991.
Megjithë gëzimin, udhëtimi kishte një nevojë urgjente, kryerjen e kungimit të shenjtë që mund të bëhet vetëm nga një prift, i cili do të ishte në gjendje edhe të udhëtonte nëpër rrugët e zonave të thella të Shqipërisë. Nëna Tereza telefonoi nga Roma priftin spanjoll Pasqual.
“Unë isha në Nju Jork, ajo më thirri dhe më tha, At unë kam nevojë për ty, a mund të vish në Shqipëri? Unë e ndjeja se kishte urgjencë në kërkesën e saj …. Qytete si Tirana mund të kenë pasur një prift, por asaj i duhej një që i shoqëronte motrat në vende të largëta. Shqipëria është vend i vogël, shumë i bukur, por që ka male të larta ku ishte shumë e vështirë të udhëtoje. Komunikimi në atë kohë ishte shumë i vështirë dhe nuk kishte makina”, thotë prifti i Urdhërit Nëna Tereza, Pasqual.
Ishte koha kur në vend sapo kishin filluar ndryshimet demokratike, por në pushtet vazhdonte të ishte udhëheqja e vjetër. I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse e kishin diskutuar me Nënë Terezën, gjatë qëndrimit në Shqipëri, për mbi 45 vitet kur regjimi i asaj kohe kishte mbyllur objeket fetare dhe kishte ekzekutuar udhëheqës fetarë, prifti Pasqual kujton reagimin e vetëm të Nënës Tereza.
“Ajo më tha, mos fol. Ne kemi ardhur për të ndihmuar. Do të shohim gjëra (të këqija), por mos fol se këtu jemi vetëm për të ndihmuar”
Për dy ditë në Uashington u kujtuan momente të pathëna më parë dhe u dhanë vlerësimet më të larta për shenjtoren Tereza të Kalkutës. Në Universitetin Katolik të Amerikës u hap edhe Instituti Nëna Tereza që ndër të tjera do të ofrojë ndihmë për studentë e studiues që duan të mësojnë më shumë për punën dhe veprën e saj.
Mëngjesi i të shtunës u nis me një meshë në Bazilikën e Faltores Kombëtare, kisha katolike më e madhe në Amerikën Veriore, dhe një nga dhjetë kishat më të mëdha të botës.
Një nga faltoret brenda kishës ka një kopje të Zojës së Këshillit të Mirë.
Shënimi e sqaron se origjinali që gjendet në kishën në Gjenacan të Italisë besohet se u bart nga kisha e Zojës së Shkodres, në vitin 1479. Shënimet historike thonë se kjo ndodhi pas sulmit të asaj kohe të forcave osmane ndaj Shkodrës.
Pak hapa më tutje, mesha për Nënë Terezën, statuja e të cilës gjithashtu gjendet brenda kishës, udhëhiqej nga Kryepeshkopi i Baltimore, William Lori.
“Më kujtohet një rast kur ajo e vizitoi shtëpinë e Kardinalit të ndjerë amerikan, Hickey. Unë i dhashë një gotë ujë. Besoj që ky ishte rasti im më i mirë për të siguruar parajsën. Isha i mahnitur me të, jo vetëm pse ajo ishte e njohur. Si shumë të tjerë, unë e ndjeja ndikimin e shenjtërisë së saj”, tha para besimtarëve Kryepeshkopi Lori.
Një nga pjesëmarrësit e fundjavës që iu kushtua nobelistes me origjinë shqiptare ishte edhe James Towey, një nga miqtë më të afërt të saj, i cili para pak ditësh ka publikuar librin: “Të duash dhe të jesh i dashur: Portreti Personal i Nënës Tereza”.
“Takimi ynë i parë ishte shumë i shkurtër, në gusht të vitit 1985. Ishte aq befasuese kur e shihje atë grua të vogël kur doli jashtë sikur të ishte nxënëse shkolle, me plot energji dhe jetë. Atë javë ajo mbushi 75 vjeç. Ky ishte fillimi i një miqësie të gjatë për ne”, tha zoti Towey për Zërin e Amerikës.
Nëna Tereza u lind në Shkup në një familje shqiptare, ndërsa vendimin për t’u bërë murgeshë e mori në një kishë të vogël në fshatin Litnicë të Kosovës, afër kufirit me Maqedoninë.
Në vitet ‘50 ajo e nisi misionin që tani numëron pesë mijë motra nderi në gjithë botën. Në vitin 1979, ajo fitoi çmimin Nobel për Paqe, ndërsa puna e saj i hapi dyert nëpër zyrat më të rëndësishme të qeverive të botës.
“Mendoj se prejardhja shqiptare i dha asaj një vendosmëri e këmbëngulje e nganjëherë edhe kokëfortësi, pasi ajo ishte shumë e vendosur për qëllimin që donte të arrinte. Kjo më bënte shumë përshtypje dhe jam i sigurt që kjo kishte të bënte me mënyrën se si ishte rritur ajo dhe kujtimet e fëmijësirë”, tha zoti Towey për Zërin e Amerikës.
Për aktivisten e shoqatës shqiptaro-amerikane, “Vatra”, Merita Bajraktari McCormack, nderimet që po i bëhen Nënës Tereza në Uashington janë me rëndësi për të mbajtur gjallë trashegiminë e punës së saj.
“Për ne shqiptarët ka rëndësi të dyfishtë pasi kjo figurë kaq e madhe, një nga shenjtorët më të mëdhenj të shekullit të kaluar i jepet një vëmendje kaq të madhe në përvjetorin e thirrjes së saj për t’i shërbyer të varfërve si dhe 25 vjetorit të kalimit të saj në amshim”, tha zonja Bajraktari McCormack për Zërin e Amerikës.
Në vitin 2016 Nënë Tereza u shenjtërua nga Papa Françesku I. Por biografët thonë se ishte miqësia me Papa Gjon Palin e Dytë që i dha asaj lumturinë më të madhe të jetës.
“Koha më e lumtur siç ma tha vetë ajo ishte në vitin 1986 kur Papa Gjon Pali II shkoi për vizitë tek ajo në Kalkutë dhe ajo eci me të përmes rrugëve të ngushta, ndërsa Papa i përshëndeti të gjithë. Nëna kishte dashuri të madhe për Papa Gjon Palin II”, thotë biografi i Nënës Tereza, James Towey.
“Ata kishin miqësi shumë të afërt shpirtërore. Njëherë kur ne bisedonim me Papa Gjon Palin II, për marrëdhënien e tyre, ai më tha se ata nuk përdorin shumë fjalë. Unë mendoj se ata instinktivisht e kuptonin njëri tjetrin. Nëna Tereza gjithmonë e informonte Papën për qendrat që kishte hapur. Ata nuk janë ulur që të analizojnë politikën globale, por kishin një miqësi shpirtërore intuitive”, e konfirmon biografi i Papa Gjon palit të Dytë, George Weigel.
Për një nga studiuesit më të njohur të katolicizmit, George Weigel suksesi i misionit të Nënë Terezës nuk është i befasishëm dhe këtë e lidh edhe me faktin që ajo u rrit në një “udhëkryq fesh të ndryshme”.
“Shqipëria është një udhëkryq i kulturave, ka myslimanë , ka pjesëtarë të krishterimit lindor dhe perëndimor. Dikush që rritet në atë mjedis shumë kulturor mendoj se mund ta parashikosh që ishte veçanërisht e përgatitur të shkonte në Indi, një vend ku ishte shumë vështirë të vësh rrënjet e krishterimit dhe të jesh afër atyre njerëzve në një mënyrë që megjithëse ishte dëshmitare e fuqishme e krishterimit, nuk iu jepte atyre ndjesinë e kërcënimit”, tha zoti Weigel.
Por, Nëna Tereza brenda saj kishte edhe pikëllim të thellë, për jo pak arsye, një nga më kryesoret familja e saj, e sidomos e ëma.
“Ajo ishte një grua që mbante trishtime brenda vetes ndonëse dukej gazmore… + Ajo më fliste për nënën e saj dhe thoshte një ditë e ëma do e gjykonte për shkak se ishte larguar në vitin 1928, (viti kur ajo shkoi si murgeshë në Irlandë). Ai vendim ishte një hap i madh për Nënë Terezën, por për të ëmen ishte një gjë e vështirë. Ajo e kishte humbur burrin, djalin e kishte me shërbim ushtarak dhe ajo kishte mbetur vetëm me motrën e Nënës Tereza, Age”, kujton bisedat me Nënën Tereza miku i saj, James Towey.
Dhimbja për familjen shqiptare rëndohej edhe më shumë nga fakti se Nënë Tereza nuk kishte mundësi të kishte kurrfarë kontakti me të ëmen dhe motrën të mbetura në Shqipërinë e vetizoluar. Por me gjithë dhimbjet e saj personale, ajo i solli botës shumë gëzim dhe besim në vlerat njerëzore, për çka në Uashington ajo u kujtua dhe nderua këto dyditë.
25 vjetori i vdekjes të Shenjtes Tereza të Kalkutës, ka rikthyer vëmendjen tek humanistja më me ndikim në shekullin e 20-të, murgeshës shqiptare e lindur Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.
Përpos hapjes së Institutit me emrin e saj, këtu në Uashington këto dy ditë janë mbajtur aktivitete për të nderuar jetën dhe veprën e saj.
Të dielën po shfaqet filmi dokumentar “Nëna Tereza: Dashuria më e Madhe”, që është filmuar në pesë kontinente, me çasje të paprecedentë në arkiva institucionalë.
Filmi përveçse hedh dritë me jetën e saj, tregon edhe se si vizioni i saj për të ndihmuar të varfërit e botës po vazhdon edhe sot e kësaj dite.
(Artan Haraqija, Zëri i Amerikës)