Në veri mbyllen tri pompa të karburanteve që punonin pa licencë

Prishtinë, 16 korrik 2024 – Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, ua ka ndërprerë të martën veprimtarinë tri pikave të karburantit në veri të Kosovës, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ua ka ndërprerë kontratat e qirasë.

Në një komunikatë për media të AKP-së është thënë se qiramarrësit e pikave të karburantit në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok kanë punuar pa licencë dhe dy prej pikave as nuk kanë qenë të fiskalizuara.

Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se e ka ndihmuar AKP-në në ndalje të punës së pikave.

Këto pika karburanti e kanë logon e kompanisë Industria e Naftës e Serbisë (NIS).

Mirëpo, sipas informatave të REL-it, ato prej disa vitesh janë në pronësi të biznesmenëve nga veriu i Kosovës.

Pronarja kryesore e kompanisë NIS është Gazprom Neft, më pas një përqindje e kanë kompania e saj ombrellë, Gazprom dhe shteti i Serbisë.

Gazprom Neft është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi.

Marko Gjuriq, sa ka qenë në pozitën e Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pati marrë pjesë në hapjen e njërës prej pikave të pompave të NIS-it në veri.

Duke komentuar mbylljen e këtyre pikave, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon” dhe që krimi në pjesën veriore ka qenë i thellë dhe i organizuar me vite.

“Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘Nis Petrol’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Është e paqartë nëse këto pompa janë furnizuar me karburante nga NIS-i i Serbisë, apo nga burime tjera.

Hapja e pompës NIS në vitin 2016 ishte kundërshtuar ashpër nga autoritetet e Kosovës, dhe notë proteste i ishte dërguar edhe Bashkimit Evropian dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare.

Autoritetet e Kosovës e patën cilësuar punën e kësaj kompanie të naftës në Mitrovicë të Veriut si përpjekje për të përhapur ndikimin e Rusisë në Kosovë dhe rajon.

(Radio Evropa e Lirë)