Prishtinë, 14 maj 2024 – Policia e Kosovës ka gjetur e konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media bashkë me ministyrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se armatimi është gjetur në afërsi të Zveçanit, gjatë një operacioni të zhvilluar në bazë të informacioneve të pranuara nga qytetarët dhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjenës.
“Operacioni u zhvillua pranë Urës së Hekurit dhe rezultoi me zbulimin e armatimit të rëndë dhe pajisjeve ushtarake të fshehura, të cilat dyshohet se kishin për qëllim të sulmonin institucionet e sigurisë të Kosovës dhe të trazonin qetësinë në rajon”, deklaroi Hoxha.
Hoxha bëri të ditur se gjatë këtij operacioni janë gjetur e konfiskuar: 1.588 copë municione kalibrash të ndryshme, 10 armë të gjata, 6AK 47, 2 mitralozë, 62 shok-bomba, eksplozivë të ndryshëm, dylbi, radiolidhje, pajisje shurdhuese, karikatorë, maska, jelekë antiplumb, unifroma të ushtrisë serbe, uniforma të Policisë së Kosovës dhe pajisje për dron.
Hoxh a njoftoi se një person, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, është ndaluar për intervistim, pasi dyshohet se është i lidhur me armët e gjetura në afërsi të shtëpisë së tij. Ai tha se hetimet pritet të zbardhin të gjitha rrethanat dhe përgjegjësit në lidhje me këtë rast.
Ndërkaq, ministri Sveçla shprehu vendosmërinë e institucioneve të sigurisë së Kosovës për të përballuar çdo përpjekje për cenimin e rendit kushtetues të vendit. Ai tha se në pjesën veriore të Kosovës “po çrrënjosen mbetjet kriminale të Milan Radojçiqit”, të cilat kanë provokuar tensione në pjesën veriore të Kosovës dhe e kanë terrorizuar popullsinë locale në këtë pjesë të Kosovës.
“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona”, tha Sveçla.
Ai tha se prapa përpjekjeve për tensione në Kosovës është Beogradi zyrtar dhe Presidenti I Serbisë, Aleksandar Vuçiq,
“Është e qartë se kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, pas sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ndaj gazetarëve dhe qytetarëve. Janë të njëjtit që qëndronin pas sulmit terrorist në Banjskë, ata që strehohen në Serbi dhe mbrohen e glorifikohen nga Aleksandar Vuçiqi”, theksoi ai.
Ministri Sveçla theksoi se gjithsecili që cenon rendin e sigurinë në Kosovë do të nxirret para drejtësisë dhe do të marrë dënimin e merituar.
“Askush nuk mund të shpëtojë nga përgjegjësia e veprimeve që cenojnë sigurinë e Kosovës. Drejtësia do t’i ndjekë dhe të gjithë fajtorët do të marrin dënimin e merituar, herët apo vonë”, theksoi Sveçla.
(r.m.)