Në Zubin Potok digjen dy vetura me targa RKS

Prishtinë, 30 mars 2023 – Dy vetura që ishin riregjistruar me targat e Republikës së Kosovës (RKS) rreth një javë më parë janë djegur në Zubin Potok, njoftoi Policia e Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se dy persona, të nacionalitetit serb, të cilët e kanë raportuar rastin në polici, kanë treguar se veturat e tyre janë djegur rreth orës 02:30, pas menatës, nga persona të panjohur.

“Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit”, thuhet në njoftim.

Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri përgjegjëse strukturat ilegale të Serbisë.

“Strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë të kërcënojnë serbët lokalë. Mbrëmë, dy makina në pronësi të serbëve të Kosovës duket se u dogjën vetëm pse kishin targa RKS. Sipas marrëveshjes së Brukselit, këto janë targat e vetme legale në gjithë Kosovën”, ka shkrjuar Vela në Twitter.

Kjo nuk është hera e parë që në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë djegur vetura me targa RKS.

Në fund të vitit të kaluar, serbët në pjesën veriore të Kosovës vendosën barrikada në rrugë, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve të regjistruara në Serbi dhe zëvendësimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia me targat legale të Kosovës, RKS.

Barrikadat u hoqën disa ditë më vonë, pas vendimit për pezullimin e përkohshëm të vendimit, i cili u  mor me sugjerimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, u pajtuan me një zgjidhje të përkohshme për çështjen e targave. Kosova e pezulloi vendimin për riregjistrimin e targave, ndërkaq Serbia u pajtua të mos lëshonte targa të reja për automjete të serbëve të Kosovës.

(r.m.)