Në Zubin Potok sulmohet prona e ish-kryetarit të komunës, Stevan Vulloviq

Prishtinë, 3 tetor 2024 – Një objekt banimi në ndërtim e sipër, pronë e ish-kryetarit të Komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, është sulmuar natën mes të mërkurës dhe të enjtes.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pas shpërthimit dhe ka konstatuar se sulmi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Elashani ka thënë se policia po punon për të zbuluar autorët dhe motivet e sulmit.

Por, Kryetari aktual i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dyshon se sulmi ka prapavijë politike, sepse sulmi u krye  disa ditë pas takimit që ai ishte takuar me Vulloviqin në një kafene në Zubin Potok.

“Ka qenë shumë takim shoqëror, takim i rastit. Kemi pirë nga një kafe, kemi biseduar si ish-kryetar që ka qenë. Kemi biseduar natyrisht edhe për interesin qytetar”, ka shkruar Zeqiri në Facebook.

Zeqiri e ka dënuar sulmin, duke u bërë thirrje organeve të rendit që autorët t’I nxjerrin para drejtësisë.

“Dënoj fuqishëm sulmin e mbrëmshëm ndaj pronës së ish kryetarit të komunës së Zubin Potokut dhe apeloj te organet e rendit që sulmuesit t’i kapin dhe t’i vënë përpara drejtësisë”, ka shkruar Zeqiri në Facebook.

“Sulmet e tilla kundër jetës dhe pronave të qytetarëve janë të papranueshme dhe nuk do të na ndalin në punën dhe angazhimet tona për rehati dhe rend dhe ligj”, ka theksuar ai.

Zeqiri e ka vlerësuar z. Vulloviq. Ai ka thënë se pret që ta takojë sërish sa më parë dhe t’i shprehë keqardhje për sulmin ndaj pronës së tij.

“Këto gjëra janë shumë të papranueshme. Unë do të bisedoj edhe me organet e sigurisë. Brenda tre muajve është sulmi i katërt që po ndodh ndaj aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të mi”, shtoi Zeqiri.

Stevan Vulloviq ishte kryetar i Zubin Potokut nga Lista Serbe nga viti 2013 deri më 2018, kur dha dorëheqje së bashku me kryetarët e tjerë të komunave në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, vendosi taksën prej 100 për qind ndaj importeve të mallrave nga Serbia.

Ai kishte deklaruar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që kishte dhënë dorëheqje sepse, siç ishte shprehur, e kishte bartur “barrën e të qenët kryetar i institucioneve të Kosovës”.

Të shtunën, më 28 shtator, një mjet shpërthyes u hodh në afërsi të një pike karburanti në Zveçan. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe të automjeteve me targat legjitime të Kosovës “RKS” (Republika e Kosovës, në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kanë ndodhur një sërë rastesh të hedhjes së mjeteve shpërthyese dhe djegies së veturave me targat RKS.

(r.m.)