Në Zveçan digjet edhe një veturë me targa RKS

Prishtinë, 8 nëntor 2022 – Një veturë me targa RKS është djegur sot në Komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe, në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetura së cilës i është vënë zjarri, është pronë e një qytetareje serbe të Kosovës.

Sipas njoftimit, nuk ka pasur ndonjë të lënduar “përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet”.

Ky incident po shënon rastin e pestë të djegieve të veturave me targa RKS në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dënuan, më 2 nëntor, djegien e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS – Republika e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës janë duke zbatuar një plan tre fazësh të qeverisë, përmes së cilit inkurajohen qytetarët serbë në katër komunat veriore të vendit që t’i riregjistrojnë veturat e tyre.

Riregjistrimi ka qëllim heqjen nga qarkullimi të automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, vendosi të tërheqë përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovë në pjesën veriore të vendit, si edhe nga sistemi gjyqësor e prokurorial, nga policia dhe nga administrate.

Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë dhe për shmangien e eskalimit të tensioneve në veri.

(r.m.)