Prishtinë, 19 nëntor 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se sot, në një operacion policor të kryer në Zveçan, ka gjetur e sekuestruar armë, municione, veshje e pajisje të ndryshme ushtarake.
Policia bëri të ditur se armët dhe mjetet e pajisjet ushtarake janë gjetur në tri fuqi plastike të groposura në tokë, në rrugën “Mbreti Petar” në Zveçan.
“Gjatë kontrollimit janë gjetur tri fuqi plastike të groposura në tokë, në të cilat kishte uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë. Fillimisht një fuqi është gjetur nga njësitet e DRP Mitrovicë e Veriut, e më pas nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive janë gjetur edhe dy fuqi të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim thuhet se gjatë aksionit janë gjetur e konfiskuar: 4 granata dore M75, dy pushkë automatike AK 47, gjashtë karikatorë me municion të AK 47, një karikator i zbrazët, 156 fishek të AK 47, 179 fishekë të pushkës M48, një antiplumb ushtarak me dy pllaka, tri palë pantallona, katër xhaketa ushtarake, dy jelekë taktikë, dy maska gazi, dy çanta ushtarake krahu, rripa ushtarakë të brezit dhe një bluzë e zezë.
Në njoftim thuhet se rasti ka të bëjë me një person të dyshuar për lidhje me sulmin e grupit të armatosur serb në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku ishte vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili konsiderohet njeri i afërt me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 46 personave të përfshirë në sulm, i cili është kualifikuar si sulm terrorist. Mes të akuzuarve është edhe Radojçiqi, i cili jeton i lirë në Serbi. Autoritetet e Kosovës kërkojnë me ngulm ekstradimin e tij në Kosovë.
(r.m.)