Prishtinë, 8 mars 2024 – Dy lokale afariste, të ngjitura me njëra-tjetrën, në qendër të Zveçanit, janë djegur të premten, 45 minuta pas mesnatës. Lokalet e djegura janë pronë e nënkryetares së komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq.
Policia e Kosovës raportoi se zonja Tomaniq dyshon që zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona tash për tash të paidentifikur.
“Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin butikut të saj, zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Lidhur me rastin ankuesja dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar. Sipas ankueses, vlera e dëmit është e lartë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.
Vetë Tomaniq ka dyshime se ky është një akt i partisë Lista Serbe dhe nga organizata ilegale e sigurisë “Severna Brigada”, për shkak se ajo është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Dyshoj se ‘Severna Brigada’ ose Lista Serbe e kanë kryer këtë akt. Për shkak se unë jam pjesë e një institucioni të Republikës të Kosovës dhe politikat tona janë në kundërshtim me ato të tyre”, ka thënë.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë kjo zjarrvënnie është përpjekje për frikësimin e serbëve që janë “çliruar nga thundra e terroristëve të Listës Serbe”.
“Banditët ia dogjën dy lokalet e saj zv.kryetarës së Komunës së Zveçanit, znj. Natasa Tomanic, në përpjekjen e kotë për t’i frikësuar serbët e çliruar nga thundra e terroristëve të Listës Serbe. Kjo vjen një muaj pas bllokimit të paligjshëm të biznesit të familjes së zv.kryetares së Mitrovicës Veriore znj. Katarina Agjançiq nga regjimi i Vuçiqit dhe dy muaj pas djegies së veturës së kryesuesit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, z. Gorski Buriç”, ka shkruar Vokrri në Facebook.
“Terroristët dhe banditët ndihen të trimëruar sa herë që ndërkombëtarët i kërkojnë Republikës së Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti dhe zbatimi i ligjit”, ka theksuar ai.
(r.m.)