Policia në Zvicër i ka arrestuar disa persona dhe ka hapur një çështje penale në lidhje me vdekjen e një gruaje 64-vjeçare në një “kapsulë të re vetëvrasëse”.
Kapsula Sarco, e cila nuk është përdorur kurrë më parë, është projektuar për të lejuar një person brenda të shtypë një buton që injekton azot të gaztë në dhomën e mbyllur.
Njeriu më pas supozohet se bie në gjumë dhe vdes nga ngufatja brenda pak minutash.
Në një deklaratë, policia tha se prokurorët u informuan nga një firmë ligjore se një vetëvrasje e asistuar që përfshinte kapsulën “Sarco”, kishte ndodhur të hënën pranë një kabine pyjore në Merishausen, veri të Zvicrës.
“Disa persona” u dërguan në mbajtje dhe prokurorët hapën hetimet për shkak të dyshimit për nxitje dhe ndihmës në vetëvrasje.
Gazeta holandeze “Volkskrant” raportoi se policia e kishte arrestuar edhe një fotograf të saj që ka dashur të bënte fotografi të përdorimit të kapsulës “Sarco”.
“Exit International”, një grup i asistuar vetëvrasës me bazë në Holandë, ka thënë se qëndron pas pajisjes së printuar 3D që kushtoi më shumë se 1 milion dollarë për t’u zhvilluar.
Në një deklaratë, grupi tha se një grua nga Midwest i SHBA-së (nuk jep më shumë detaje), e cila kishte vuajtur nga “një problem i rëndë imunitar” kishte vdekur të hënën pasdite pranë kufirit gjerman, duke përdorur pajisjen “Sarco”.
Florian Willet, bashkë-president i “The Last Resort”, degë e “Exit International” në Zvicër, ishte i vetmi person i pranishëm. Ai e përshkroi vdekjen e gruas si “paqësore, të shpejtë dhe dinjitoze”, shtoi grupi.
Mjeku Philip Nitschke, i lindur në Australi, i cili qëndron pas “Exit International”, ka thënë më parë se organizata e tij mori këshilla nga avokatët zviceranë se përdorimi i “Sarco” do të ishte i ligjshëm në këtë vend.
Në deklaratën e “Exit International”, të martën, Dr Nitschke tha se ishte “i kënaqur që ‘Sarco’ kishte performuar saktësisht siç ishte projektuar… për të siguruar një vdekje paqësore, pa drogë”.
Ligji zviceran e lejon vetëvrasjen e asistuar nëse personi ia merr jetën vetes “pa ndihmë të jashtme”, dhe nëse ata që e ndihmojnë personin të vdesë nuk e bëjnë këtë për “asnjë motiv egoist”.
Zvicra është ndër vendet e vetme në botë ku të huajt mund të udhëtojnë për t’i dhënë fund jetës së tyre ligjërisht. Ajo është shtëpia e disa organizatave të përkushtuara për të ndihmuar njerëzit që ta arrijnë këtë.
Megjithatë, disa politikanë kanë thënë se ligji është i paqartë dhe kanë kërkuar të mbyllin ato që ata thonë se janë boshllëqe ligjore.
Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, sugjeroi se përdorimi i “Sarco” nuk do të ishte i ligjshëm.
“Nga njëra anë, ai nuk përmbush kërkesat e ligjit për sigurinë e produkteve dhe si i tillë, nuk duhet të vihet në qarkullim”, tha ajo në parlamentin zviceran.