Nëna e djaloshit të plagosur në Shtërpcë: Autori i dyshuar nuk ka shtënë ndaj dy të rinjëve

Prishtinë, 7 janar 2023 – Nëna e njërit nga dy të rinjtë që uplagosën të premten në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës ka deklaruar se nga informacionet në dispozicion autori i dyshuar nuk ka shtënë ndaj të rinjëve, por plagosja e tyreka ndodhur në mënyrë aksidentale.

Zorica Stojanoviq, nëna e djaloshit 11 vjeçar, Stefanit, ka treguar se dy të rinjtë ishin duke bartur dushk për natën e Buzmit, kur u plagosën. Ajo ka thënë se, sipas informacioneve që ka marrë, autori ka shtënë në rrugë, por një plumb i shkrepur e ka ndërruar drejtimin në asfalt (rikoshet) dhe i ka plagosur dy të rinjtë që gjendeshin buzë rrugës.

“Me që ishte nata e Buzmit, (dy të rinjtë) kanë qenë duke u fotografuar në (fshatin) Gotovushë, kur ka ardhur ai person, shqiptar, nuk di cili, dhe ka shtënë në rrugë, në asphalt.Nuk  ka shtënë ndaj tyre (të rinjëve) dhe përveç djalit tim është plagosur edhe një tjetër i ri. Falë Zotit (Stefani) është gjallë dhe mirë e shëndosh”, ka deklaruar ajo, citon agjencia beogradase “Beta”.

Zonja Stojanoviq ka treguar se dy të rinjtë e plagosur, pas marrjes së ndihmës së parë në ambulancën e Shtëpcës, janë dërguar për trajtim në qendrën spitalore në Llaple Sellë, në periferi të Prishtinës.

Atori i dyshuar i plagosjes së dy të rinjëve serbë është arrestuar më pak se një orë pas ngjarjes. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Armend Mehaj, ka konfirmuar se ai është pjesëtar i kësaj force dhe ka shprehur bindjen se organet e hetuesisë dhe të drejtësisë do ta ndriçojnë plotësisht rastin.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar që autorit të dyshuar t’i caktohet masa e sigurisë arrest me burg.

Akti i plagosjes së dy të rinjëve serbë në Drajkoc të Shtërpcës është dënuar ashpër nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

(r.m.)