Nenad Çanak: Rusia planifikon vrasjen e Vuçiqit

Sarajevë, 26 qershor 2022 – Lideri i Ligës Socialdemokrate të Vojovodinës (LSDV), Nenad Çanak, ka thënë se Rusia, nëpërmjet rrjetit të saj agjenturor në Serbi, synon ta vrasë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse, sipas tij, konsiderohet “partner jobesnik”

“Do ta vrasin sepse ai nuk është mjaftueshëm i tyre. Çfarë u duhet Vuçiqi, kur e kanë Boshko Obradoviqin (liderin e partisë ultranacionaliste ‘Dveri’ që është mbështetëse e fuqishme e Rusisë së Vladimir Putinit), i cili e ka vendosur nëpër bilborde foton e tij me Vladimir Putinin, shoqëruar me sloganin ‘Serbët dhe rusët – vëllezër përgjithmonë’”, ka thënë Çanak, në një intervistë të gjatë për televizionin e Sarajevës “Face”.

Çanak ka thënë se tani Putini po e përdor kundër Vuçiqit liderin e serbëve të Bosnës, Milorad Dodik. Sipas tij, Dodiku, me urdhër të Putinit, është kthyer kundër Vuçiqit për të ushtruar presion në mënyrë që Serbia të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.

“… Dodik ka marrë urdhër nga ‘xhuxhi i Kremlinit’ (Putini) që t’i vërsulet Vuçiqit, që të ushtrojë ndaj tij presion dhe ta thyejë ashtu që të mos i shkojë në mend të vendosë sanksione (Rusisë), ka thënë Çanak.

“Milorad Dodik është shpirt i shitur. Kjo dihet. Ai është njeri i paskurpullt dhe i pamoralshëm. Edhe kjo dihet. Tani ai është lidhur me Putinin dhe me ekipin e tij”, është shprehur ai.

Sipas Çanakut, Vuçiqi është koshient për rrezikun që i kanoset atij.

“Ai gjykon se nëse vendos sanksione (Rusisë) do ta vrasin me helmin ‘noviçok’. Do ta vrasin si vremçin. A i vranë agjentët e tyre nëpër Britani?”, është shprehur ai.

Nenad Çanak, i cili është njëri ndër kritikët më të mëdhenj të Vuçiqit dhe të lidershipit aktual të Serbisë, ka thënë se fajtor për pozicionin aktual të Serbisë është vetë Vuçiqi.

“Është Vuçiqi ai që ‘ua ka hequr zingjirët’ djathtistësve dhe shumë të tjerëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, Vuçiqi tani po përpiqet që nga kjo situatë të dalë përmes OKB-së.

(r.m.)