I pari shqiptar që ka fituar medalje në Olimpiadë. Ai vdiq pa e ditur se ishte fituesi i medaljes së argjendtë në Olimpiadën e 1970 në Siegen të Gjermanisë.
Nga Marsida T Najdeni
Absurditetet e Shqipërisë komuniste shumë herë për ne brezin e ri, që fatmirsisht nuk e jetuam atë kohë, janë të pakuptueshme. Sado që përpiqemi t’i japim kuptim çmendurisë kolektive të shqiptarëve të asaj kohe nuk arrijmë dot ta kuptojmë thellësisht gjendjen katastrofike në të cilën jetuan prindrit e gjyshrit tanë. E tillë është dhe kjo histori që do t’përpiqem ta kallxoj ashtu siç e zbulova duke lexuar studiuesin Dr. Giovanni Armillotta dhe të madhin e gazetarisë sportive Besnik Dizdarin, gjithashtu dhe si e përjetova nga afër.
Pak biografi
Eqrem Konçi lindi në një familje qytetare tiranase më 1937 dhe vdiq më 1997. Kreu “Tekniken” e mesme, dikur “Harry Fultz”, por që ia ndërruan emrin komunistët. Nga nevoja për inxhiniera ai filloi punë tek Elektromjeksorja dhe paralel me punën kreu Universitetin për Inxhinieri Elektrike. Shahu ishte pasion i hershëm i tij nga vogëlia. Një Zot e di sa orë, ditë, javë e vite pafund ka kaluar pranë klubit Tirana duke luajtur shah. Me bindje them se jeta e tij u nda ndërmjet shahut dhe ndërmarrjes së Elektromjeksores, ku ai bashk me një grup inxhinierësh nuk lanë aparaturë mjeksore pa montuar dhe mirëmbajtur në të gjithë Shqipërinë. Kushtet primitive me të cilën ata inxhinierë dhe teknikë e mbajtën gjallë mjeksinë shqiptare për afro 50 vjet meriton një artikull më vete, nëmos dhe medalje nga shteti. Babai i tij, Musai, ishte tregtar dhe njihej në Tiranë për depot e tij të mëdha me mallra nga perëndimi, prej ku furnizoheshin shumë dyqane në Tiranën e viteve ’20-’40, derisa iu konfiskua çdo gjë prej pushtetit totalitar. Ndërsa e ëma, Nadilja, rridhte nga familja patriotike tiranase me mbiemrin e mirënjohur Pazari. Duke parë rrënjët e Eqremit është afër mendjes të kuptosh se ky njeri çdo jetë që preku arriti ta ndikoi për mirë duke lënë mbresa kudo.
Si e njohu Giovanni dhe Besniku kampionin shahist Eqrem Konçi
Giovanni Armillotta është studiues i kahershëm i sportit shqiptarë. Aktualisht ai është drejtor përgjegjës për revistën shkencore në lëmin e historisë, politikës e gjeografisë “Africana”, revistë për studime ekstraeuropiane, themeluar nga Prof. Salvadorini; “Africana” është njëra ndër të vetmet periodikët italianë që konsultohet nga “Index Islamicus” e Universitetit prestigjoz të Cambridge në Angli. Ai, është dhe drejtori i revistës online (webzine) “Metodo” mbi arkitekturën, politikën ndërkombëtare, historinë dhe shkencën (Armand Plaka, Revista Shqip, 2007). Ndërsa, Besnik Dizdari gazetar, një ndër themeluesit dhe presidenti i Shoqatës Shqiptare të Shtypit Sportiv. Dizdari, e ka filluar karrierën si një anëtar i stafit të përditshmes “Bashkimi i Tiranës” në vitet gjashtëdhjetë, dhe më pas për 17 vjet, ai ka qenë edhe kryeredaktor i gazetës më të vjetër sportive në Shqipëri, ” Sporti Shqiptar”. Ai, publikon revistën e vetme sportive në Shqipëri “Futbolli Shqiptar” dhe ka botuar rreth 18 libra shqip sportiv me historinë e sportit shqiptar (marrë nga kopertina e një prej librave të tij).
E pashë të nevojshme t’i përmendja shumë shkurtimisht disa nga arritjet e dy personave më lart, për t’i vlersuar ato, por edhe për ta bërë de-facto arritjen e Eqrem Konçit në fushën e shahut. Armillotta shkruan për Eqremin: “Po kush është Eqrem Konçi? Ai ka marrë pjesë në tre Olimpiada me rezultate mbi mesataren; 42 gara 17 + 15 = 10-, 58.3%. 1960: 6+6 = 6-, 50.0%. 1962: 6+5=3-, 60.7%. 1970: 5+4=1-, 70.0%. Një kulminim i shkëlqyer. Ai ka qenë fituesi i “Turneut Internacional të Tiranës” më 1965, ku doli barazim me Bujar Hoxhën. Më 1967 shpallet Kampion i Shqipërisë. Arritje këto, që duke i bashkangjitur dhe medaljen e argjendtë të Siegen e ngrenë atë ndër shahistët më të mirë të historisë shqiptare.” (Giovanni Armillotta, Dalla Olimpiade 1960 alla medaglia d’argento di Eqrem Konçi nel 1970 (Storia degli scacchi albanesi: parte II), 2009).
Giovanni e zbuloi Eqremin, shkruajti gjatë për këtë gjë. Gjithsesi, ne kurrë s’do ta merrnim vesh arritjen historike të Eqrem Konçit nëqoftëse s’do të ishte për Besnik Dizdarin. Ky i fundit do të shkruante: “Duke vazhduar me botimet në faqet e “Bota Shqiptare”, Nr. 138 (15 tetor 2005), Dr. Armillottà zbuloi një titull tjetër të madh ndërkombëtar në sportin shqiptar: i injoruar në atdheun e vet. Medalja e argjendit në Olimpiadën XIX të shahut në Siegen të Gjermanisë në vitin 1970, marrë nga Eqrem Konçi në tavolinë R2: Nënkampion olimpik!” (Besnik Dizdari, Befasi e madhe e Dr. Giovanni Armillota, 2009). Po të futemi në uebsitin www.olimpbase.org, që është enciklopedia e shahut online, mund të shohim mjaft qartë emrin e Eqrem Konçit dhe renditjen nr 2. Gjithsesi, unë po e bashkangjis dhe foton nga ky uebsit. Pra Shqipëria ka një nënkampion olimpik dhe nuk begenis as ta përmend. Po shtete si ShBA, Anglia, Gjermania që i kanë medaljet me qindra do të kishin bërë luftë për ta patur dhe një medalje më tepër. Sepse medaljet janë krenari kombtare, nuk shkelen me këmbë, as nuk harrohen.
Ja dhe tabela e ndeshjeve, ku u shpall nënkampion:
N Konçi-Magnús Sólmundarson (Islanda) 0-1
N Konçi-Karl Janetschek (Austria) 1-0
B Konçi-Alan Grant Kerr (Nuova Zelanda) 1-0
N Konçi-Javier Alzate (Colombia) 0,5-0,5
N Konçi-Leslie Leow (Singapore) 0,5-0,5
N Konçi-Eliseo Gonzáles (Rep. Dominicana) 1-0
B Konçi-Carlos Espinoza (Perù) 0,5-0,5
B Konçi-João Mário Ribeiro (Portogallo) 0,5-0,5
B Konçi-Maurice Kennefick (Irlanda) 1-0
N Konçi-Paul Milbers (Lussemburgo) 1-0
Si e njoha unë
“Erdhi xhaj Qeremi, erdhi xhaj Qeremi!” – bërtisja nëpër oborr sa herë e dëgjoja motorrçikletën e tij teksa zbriste në rrugicën tonë të shtëpisë. Ai, ashtu i qeshur dhe pse gjithmonë melankolik, përpiqej të hynte në oborrin tonë më tre rrotakun zhurmues. Tre rrotaku ishte falë luftës së miqve të tij inxhinierë tek elektromjeksorja, por dhe doktorë, që mezi ia siguruan, mëpas ata e modifikuan duke u përpjekë ta bënin sa më të rehatshëm për të. Ai ishte i paralizuar prej vitesh, kështu tre rrotakun e kishte mjet transporti personal. Ishte i vetmi person që njihja asokohe të paralizuar (sakat) dhe ky fakt ishte shumë mbreslënës tek unë përgjatë fëmirisë sime, ende s’e kuptoj pse më bënte aq përshtypje. Unë nga natyra isha fëmi shumë kureshtar, dhe ai e shihte këtë natyrë çapkëne dhe kështu më dhuronte gjithmonë shëtitje pafund mbi tre rrotakun. Ishte një rutinë e këndshme, sepse fill mbas shëtitjes unë vrapoja në shtëpi merrja kutinë e vogël të shahut, s’di sa nga ju e mbajnë mend, ku gurët e lojës nguleshin si kunja në fushën e shahut me vrima, me ngjyra bardh e zi. Ndër vite arrita ta “perfeksionoj” lëvizjen mat me tre lëvizje falë xhaj Qeremit. Ende sot në skutat e shtëpisë time të vjetër në Tiranë janë librat pafund mbi shahun dhe kutiat e shumta që Eqremi më dhuronte mua e tim vëllai. I shkruajta këto pak rreshta me dashurinë atnore karshi xhaj Qeremit, i cili nuk pati fatin të bëhej baba, por që iu dedikua mbesave të tija pa kursim. Në veçanti Anila Konçit, të cilës dhe ia dedikoj këtë artikull shumë modest. I thashë këto fjali se i ndjeva shpirtërisht për një njeri të zgjuar e shumë të thjeshtë si Eqrem Konçi. Edukata dhe përulja që ai tregonte me këdo ishin virtyte që gdhendën tek unë veç cilësi të mira. Edhe pse tashmë ka vite që është ndarë nga jeta, ai ishte dhe mbetet një nga miqt më të afërt të tim eti.
Përse ky mohim?
Eqrem Konçi është krenari atdhetare për një vend të vogël si Shqipëria, e cila arritjet në sport përtej kufijve tanë kombtar i ka me kokrra. Ai është kampion absolut! I pari shqiptar që ka marrë medalje. Atëhëre përse ky mohim? Mbase komunistave nuk i shkonte për shtat fitorja Eqremit, duke qenë se nuk rridhte nga një familje komuniste. Apo përse përfaqsonte ekipin Tirana, të deklasuarit e shekullit. Ose thjesht injoranca, tipike shqiptare në të tilla raste. Po mbas ’90 përse vazhdon ta injoroi shteti shqiptar këtë kampion? Sepse ne jemi shtet rrumpall! A nuk është mjaftueshmërisht e trishtë fakti se atij kurrë nuk iu komunikua se ishte fitues me medalje argjendi në një Olimpiadë? Them se po, është e tmerrshme t’i dedikosh jetën një sporti, të kapësh majat, e të ta privojnë kënaqësinë. Këtë gjë nuk e përtyp dot as Dr. Armillotta, i cili në të njëjtin shkrim të përmendur më lart shkruan: “Nuk e kishte vënë re as Teodor Siliqi, i cili në librin e tij “Fitoret tona me shahistët e 5 kontinentëve” (Tirana, 8 Nëntori, 1980) shkruan se në Siegen “suksesin më të rëndësishëm në klasifikim individual midis shahistëve tanë e arriti mjeshtrin Konçi më 70% të ndeshjeve të fituara duke zënë vendin e 7-të midis 57 shahistëve të tavolinës së vet” (f. 150). Më vjen keq që Konçi vdiq pa e ditur se ai kishte fituar medaljen e argjendtë.” Një pikëpyetje e madhe. Përse ende në 2015 nuk e vlerësojmë këtë sportist, paçka se Besnik Dizdari është përpjekur nëpër zyra që ta njohin arritjen historike të Eqrem Konçit, i cili nga inxhinier elektromjeksorë na del përcipërisht nënkampion bote. Uroj të bëhet drejtësi! Uroj të mësojmë nga gabimet! Mjaft më e trajtuam elitën si dorë e tretë.