Nënpresidenti i Paraguajit Hugo Velazquez të premten tha se do të jepte dorëheqjen dhe do të tërhiqej nga gara për presidencën, pasi Shtetet e Bashkuara e përcaktuan për korrupsion domethënës, duke e shpallur person të padëshiruar.
Zoti Velazquez e mohoi akuzën, por tha se, për të “mbrojtur” partinë e tij, ai do të paraqiste dorëheqjen javën e ardhshme.
“Flas me qetësi sepse nuk e kam bërë atë për të cilën më akuzojnë”, tha ai për radion lokale Monumental. “Po flas me ndërgjegje të pastër”.
Departamenti Amerikan i Shtetit akuzoi zotin Velazquez më herët të premten për përfshirje në akte korrupsioni domethënës.
Në një deklaratë të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken thuhet se bashkëpunëtori i zotit Velazquez, Juan Carlos Duarte i kishte ofruar ryshfet një zyrtari publik paraguaian për të “penguar një hetim që kërcënonte nënpresidentin dhe interesat e tij financiare”.
Ryshfeti i ofruar ishte mbi 1 milion dollarë, tha në një deklaratë ambasadori amerikan në Paraguaj Marc Ostfield.
Juan Carlos Duarte tha se kishte dhënë dorëheqjen dhe do të bashkëpunonte me autoritetet, por nuk komentoi drejtpërdrejt mbi akuzat.
“Jam i befasuar. Do të vihem në dispozicion për informacionin përkatës që kërkojnë”, tha ai për agjencinë Reuters, duke shtuar se kishte dhënë dorëheqjen sepse “kam një pozicion publik dhe më duhet të nderoj institucionet”.
Familjarët e ngushtë të zotërinjve Velazquez dhe Duarte ishin gjithashtu në listën e sekretarit Blinken.
Departamenti i Shtetit në korrik akuzoi ish-presidentin e Paraguajit Horacio Cartes për “korrupsion madhor” dhe pengimin e një hetimi penal ndërkufitar.
Ai i hodhi poshtë akuzat në atë kohë si “të pabaza dhe të padrejta.” (VOA)