Nënshkruhen marrëveshjet për ndërtimin e urën mbi Bunë dhe për hapjen e pikës kufitare në Shënkoll

Poggoricë, 27 shkurt 2023 – Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënshkruan disa marrëveshje ndërshtetërore me interes për të dy vendet. Marrëveshjet u nëshkruan në mbledhjen e përbashkët të qeverive të të dy vendeve që u mbajt të hënën në Podgoricë.

Ndër marrëveshjet e nënshkruara nga Abazoviqi e Rama janë marrëveshja për ndërtimin e një ure në lumin Buna, në bgre të detit dhe marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shënkoll – Pulaj.

Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Malit të Zi dhe Shqipërisë u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për bashkëpunimin në fushën e energjisë.

Gjithashtu u nënshkrua një marrëveshje në fushën e menaxhimit të përbashkët të qëndrueshëm të peshkimit në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna, një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve dhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale.

Në mbledhje u nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, një memorandum bashkëpunimi në fushën e sportit dhe programi i bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve për periudhën 2023-2025.

(r.m.)