Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Kohët e fundit jam bërë nënshtetas amerikan dhe do të doja të bëja një kërkesë që nëna ime, e cila ndodhet aktualisht në Shqipëri, të marrë green card. Problemi që kam është ky: Babai më vdiq dhjetë vjet më parë dhe nëna ime u rimartua. A mund të fus edhe njerkun në aplikimin që do të paraqes për nënën, në mënyrë që edhe ai të marrë green card-ën, si ajo?
Faleminderit!
BD
Brooklyn, New York
Urime për nënshtetësisë amerikane! Mos harroni të votoni! Për nënën, duhet të paraqisni formularin I-130 (Petition for Alien Relative). Ai është formulari që duhet të paraqisni nëqoftëse jeni nënshtetas amerikan që kërkon të tregojë se ka lidhje gjaku me të afërm të caktuar që duan të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara. Tarifa për formularin I-130 është $535 dhe pagesa e saj është e pashmangshme.
Paraqitja e formularit I-130 përbën hapin e parë në procesin për të sjellë një të afërm në Shtetet e Bashkuara. Vetëm një nënshtetas amerikan që ka mbushur 21 vjeç mund të paraqesë formularin I-130 për prindin. Nënshtetasit amerikanë nuk mund të paraqesin formularin I-130 për gjyshin apo gjyshen, mbesën, nipin, kushërinjtë apo vjehrrin dhe vjehrrën.
Në qoftëse jeni 21 vjeç e lart mund të aplikoni për nënën ose babain. Megjithatë, duhet të paraqisni formularë për secilin nga prindërit, pasi sipas ligjeve amerikane të emigracionit, bashkëshorti/ja e prindit për të cilin paraqitet peticioni për bashkim familjar, nuk përfiton nga lidhja me këtë të fundit, pra nuk është “derivative beneficiary” i tij ose i saj, por nga lidhja me nënshtetasin amerikan që po paraqet peticionin për bashkim familjar. Nuk mund të paraqisni formularin I-130 për njerkun nëse mamaja u martua me të pasi ju vetë kishit mbushur moshën 18 vjeç. Nëse në kohën kur mamaja u martua me njerkun ishit nën moshën 18 vjeç, atëherë mund të paraqisni një peticion më vete edhe për njerkun.
Nevojitet të paraqisni formularin I-130 së bashku me një kopje të certifikatës së martesës së nënës me njerkun, në mënyrë që të vërtetoni që martesa ndodhi përpara se të mbushnit moshën 18 vjeç. Duhet të paraqisni gjithashtu dhe kopje dokumentash që tregojnë se lidhjet martesore të mëparshme qoftë të nënës, qoftë të njerkut (nëse ka patur të tilla), janë mbyllur konform ligjit, si dhe çertifikatën e vdekjes së babait tuaj biologjik. Sigurisht duhet të paraqisni dhe çertifikatën tuaj të lindjes.
Nëqoftëse njerku ju ka adoptuar sipas ligjit, duhet të paraqisni një kopje të vendimit të adoptimit ku tregohet se adoptimi ndodhi kur ishit nën 16 vjeç. Gjithashtu duhet të dorëzoni dokumenta provë që dëshmojnë që keni qenë nën kujdestarinë ligjore të njerkut si dhe keni banuar me të, të paktën dy vjet para ose pas adoptimit. Vetëm gjykata ose një institucion qeveritar i krijuar për këtë qëllim mund ta japë lejen për kujdestari ligjore, dhe kjo zakonisht ndodh në kohën kur ka përfunduar adoptimi. Gjithsesi, nëqoftëse kujdestaria ligjore jepet nga gjykata, apo institucioni qeveritar përkatës përpara adoptimit, llogaritja e periudhës dy vjeçare që keni qenë nën kujdestarinë ligjore të njerkut, që përbën dhe një nga kërkesat në procesin në fjalë, fillon që atëherë.
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) llogarit përafërsisht që kohëzgjatja e procesit shkon nga nga 10 deri në 15 muaj. Kohëzgjatja e procesit varion nga një qendër e USCIS-it tek tjetra. Kur shërbimi i emigracionit aprovon formularin I-130 për bashkim familjar të prindit me fëmijën nënshtetas amerikan, prindi konsiderohet “i afërm” dhe, sipas ligjit të emigracionit, menjëherë për të vihet në dispozicion një vizë. Gjithsesi, një peticion i aprovuar nuk do të thotë që përfituesi merr automatikisht green card ose leje për të emigruar menjëherë në Shtetet e Bashkuara.
Pas aprovimit të peticionit, USCIS-i ia kalon peticionin dhe të gjithë dokumentacionin shoqërues Qendrës Kombëtare të vizave (NVC) për vazhdimin e mëtejshëm të procesit. NVC-ja mban përgjegjësi për mbledhjen e tarifave përkatëse të aplikimit si dhe të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm. Kjo qendër njofton si aplikantin ashtu edhe përfituesin se kur duhen bërë pagesat për procesimin e vizave emigruese si edhe kur duhen dorëzuar dokumentat në mbështetje të aplikimit. Ju vetë, si peticioner, duhet gjithashtu të dorëzoni atë që quhet “Affidavit of Support” (formulari I-864). Ky është një dokument që firmoset nga personi që bëhet garant nga pikëpamja financiare për personin që vjen për të jetuar përgjithmonë në SHBA. Personi që firmos dokumentin në fjalë bëhet sponsor i të afërmit (apo i dikujt tjetër) që po vjen në SHBA. Duhet të keni të ardhura të mjaftushme për t’u bërë sponsor. Nëse nuk keni të ardhura të mjaftueshme, nevojitet një bashkë-sponsor. Formulari I-864 është i ndërlikuar dhe duhet të plotësohet siç duhet, përndryshe marrja e vizës mund të vonohet. Lidhur me këtë formular do të japim më shumë informacion në të ardhmen.
Pasi NVC-ja të ketë vendosur që gjithçka është në rregull, ju cakton intervistën për vizë dhe ia kalon dosjen tuaj ambasadës amerikane. Ky proces njihet si “procesi konsullor.” Prindi juaj do të marrë e-mail-e ose letra (nëse nuk ka adresë e-mail-i) ku shkruhet data dhe ora e intervistës për vizë si dhe udhëzime të tjera përfshirë dhe ato që kanë të bëjnë me kontrollin mjekësor që kërkohet nga emigracioni. Përfaqësuesi konsullor që do të kryejë intervistën do të vendosë nëse prindërit juaj kualifikohen për vizë emigruese në përputhje me ligjin e emigracionit të SHBA-së. Nëse aprovohet dhe u jepet vizë emigruese, zyrtari konsullor do t’u japë dhe pasaportat me vizë si dhe një pako të mbyllur që përmban të gjithë dokumentacionin e paraqitur më parë. Ata duhet të hyjnë në SHBA para datës së skadimit të vizës si dhe, përpara se të udhëtojnë për në SHBA, duhet të paguajnë tarifën përkatëse për vizën e emigracionit. Emigracioni nuk lëshon asnjë green card, pa u kryer më parë pagesa.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]