Një tjetër aktivitet i ngrohtë zhvilluar në kryeqytetin helen në ambientet e Ambasadës Shqiptare të Athinës, hallkë e zinxhirit të pandërprerë të nismës festive e mikpritëse për bashkatdhetarët nën simbolikën “Nëntorit Shqiptar”, u realizua me sukses të shtunën në datën 20 të këtij muaji historik për mbarë shqiptarinë. Siç dëftonte dhe titulli i aktivitetit në fjalë “Nëntori Shqiptar në shpirtin e një artisti” të ftuar qenë artistë të suksesshëm dhe veprat e tyre.
Me dëshirën për njohjen dhe promovimin e artit tonë bashkëkohor si dhe vetë personaliteteve përfaqësues të disa zhanreve, në komunitetin shqiptar të Athinës e më gjerë, e kryesisht arteve pamore, Ambasadorja e nderuar Luela Hajdaraga së bashku me Oficeren rezultative, Koordinatore për Diasporën Joneda Dodaj, patën dritësinë të ftonin për krijimin e një ekspozite spontane, të përgatitur pjesën më të madhe live në ambientet e Ambasadës e cila përcolli mjaft emocione dhe aromën kremtuese të Festave të Nëntorit, të disa nga artistëve më në zë të arteve vizive ndërkohë që mbrëmja qe ideuar gjithashtu me ndikime të theksuara nga kultura dhe trojet kosovare prej përfaqësuesit të shtetit më të ri të Evropës në Greqi, zotit Fitim Gllareva.
Të pranishmit u nderuan nga prezenca e Ambasadores shqiptare zonja Luela Hajdaraga dhe fjalët e saj të ngrohta mbi vëmendjen e saj personale të artit të secilit prej autorëve e debutuesve, kush për jehonën e gjatë të aktivitetit të vet krijues, e kush duke prezantuar veprat e veta të hershme, apo dhe të përgatitura enkas për atë mbrëmje; si dhe nga prezenca e Kreut të Zyrës për Interesat e Kosovës, zotit Gllareva, i cili qe përkujdesur personalisht për të sjell pranë artistëve një potpuri atdhetare poezish të zgjedhura nga autor të njohur e tepër të dashur kosovar. Gjithashtu miqtë patën rastin të njihen me literaturë dhe foto të peizazheve të truallit të lashtë dardan, vende historike, piktoreske e destinacione turistike sjellë pikërisht për mbrëmjen duke shtuar emocionet tek të gjithë të pranishmit. E bukur qe dhe surpriza që ruajtën autoret e talentuara të përzgjedhur për të recituar gjatë aktivitetit për zotin Gllareva, teksa përfshinë ndërmjet vargjeve, të interpretonin edhe një poezi për Kosovën të autorësisë së tij. Sigurisht dhe ndjenja e bashkëpunimi të pandarë që zonja Hajdaraga e ritheksojë edhe në këtë takim, ndërmjet dy përfaqësive shqiptare që përherë sjell kënaqësi të pamasë për të gjithë bashkatdhetarët tanë.
Aktivitet të tilla gjejnë përgëzimet dhe falënderime nga anëtarët e komunitetit shqiptar të Greqisë për Ambasadën e tyre, që ndonëse kushtet e vështira të organizimit të secilit takim, prej pandemisë globale i kufizojnë mundësitë e pjesëmarrjes, apo të zhvillimit më të gjerë, ndikojnë pozitivisht në ngritjen e marrëdhënieve më të mira, e aq të nevojshme të emigrantëve me shtetin amë, dhe Ambasadës, gjithashtu ndërmjet organizmave që ata kanë ndërtuar në shtetin helen e respektit reciprok ndërmjet secilit anëtar. Prandaj “Nëntori shqiptar” me të gjitha stacionet e veta si një maratonë festive me etapa të shumëllojta e gjithëpërfshirëse, në rrjedhën e nismave të tjera të mëparshme, jo vetëm është mirëpritur e frekuentuar përzemërsisht por kanë krijuar dhe atmosferën e mirë e të begatë për më tepër arritje e ide të reja në vazhdën e këtyre marrëdhënieve.
“Gazeta Diaspora Shqiptare”