Prishtinë, 18 shtator 2023 – Nesrete Kumnova, kryetare e organizatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dorëzuar të hënën kallëzim penal kundër Velko Odalloviqit, kryetarit të Komisionit për Personave të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kumnova ka thënë se Odalloviq ka qenë gjatë luftës në Kosovë kryetar i “Qarkut të Kosovës” dhe dyshohet se “ është i përfshirë dhe mban përgjegjësi komanduese për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
“Velko Odalloviq duhet të japë përgjigje për krimet e kryera nga forcat e Serbisë gjatë luftës në Kosovë, dhe jo të mbajë përgjegjësi për zbardhjen e tyre”, ka thënë mes tjerash Kumnova.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Në mesin e të zhdukurve është edhe djali i vetëm i Kumnovës, Albijoni.
Më 2 maj, Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për një Deklaratë për Personat e Zhdukur.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka thënë se një vendim i tillë jep shpresë për qasjen në dokumentet e shënjuara si “konfidenciale”.
(REL)