Jerusalem, 22 dhjetor 2022 – Benjamin Netanjahu njoftoi të mërkurën në mbrëmje se ka arritur të formojë me sukses një koalicion të ri për të qeverisur Izraelin.
Njoftimi i hap rrugë kthimit të tij në pushtet, në cilësinë e kreut të qeverisë më të djathtë në historinë e vendit. Njoftimi pak përpara përfundimit të afatit, që skandonte në mesnatë, vjen pas disa javësh negociata të vështira me aleatët e tij.
Zoti Netanjahu thotë se ai pret të përfundojë marrëveshjen për ndarjen e pushtetit me partnerët e tij, brenda javës së ardhshme. Edhe nëse do të shënojë sukses në këtë drejtim, zoti Netanjahu pritet të përballet me një detyrë të vështirë në vazhdim.
Ai do të kryesojë një koalicion të dominuar nga partnerë të ekstremit të djathtë dhe ultra-ortodoksë, që mund të izolojnë një pjesë të madhe të publikut izraelit, të ndezin konfliktin me palestinezët, si dhe ta fusin Izraelin në një kurs përplasjeje me aleatët e tij më të afërt.
(Zëri i Amerikës)