Netanyahu bisedoi me Putinin, e kritikoi qëndrimin e Rusisë lidhur me Gazën

Tel Aviv, 10 dhjetor 2023 – Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një bisede telefonike me liderin rus, Vladimir Putin, të dielën, e ka kritikuar Rusinë për qëndrimin e saj në lidhje me luftën në Rripin e Gazës, raporton REL.

Zyra e Netanyahut, në një komunikatë për media, ka bërë tëditur se lideri izraelit ka shprehur pakënaqësinë e tij me qëndrimet e përfaqësuesve të Rusisë në Kombet e Bashkuara dhe në forumet tjera ndërkombëtare.

Rusia e mbështeti të premten një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që bënte thirrje për ndaljen e luftës së Izraelit në Gazë, e cila, megjithatë, u bllokua nga Shtetet e Bashkuara që përdorën veto.

Sipas komunikatës, Netanyahu ka shprehur “kritika të ashpra për bashkëpunimin e rrezikshëm mes Rusisë dhe Iranit”.

Izraeli është duke u përballur me kritika dhe thirrje për një armëpushim, sepse i ka vrarë mijëra palestinezë civilë dhe i ka zhvendosur gati 85 për qind të 2.3 milionë banorëve të Gazës brenda territorit të rrethuar, ku, sipas OKB-së, nuk ka mbetur me asnjë vend i sigurt për t’u strehuar.

“Secili vend që do të goditej nga një sulm kriminal e terrorist siç është goditur Izraeli, do të përgjigjej me po të njëjtën forcë që është duke e përdorur Izraeli”, citohet t’i ketë thënë Netanyahu Putinit.

Netanyahu ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e Rusisë për lirimin e izraelitëve me pasaportë ruse, të cilët po mbaheshin peng nga Hamasi.

Rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, u vranë gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor, ndërsa më shumë se 240 të tjerë u morën peng. Gjatë një armëpushimi të përkohshëm njëjavor u liruan një pjesë e pengjeve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.

Megjithatë, besohet se mbi 130 pengje janë duke u mbajtur ende peng nga Hamasi në Gazë.

Si përgjigje ndaj atij sulmi, Izraeli po kryen operacione ushtarake shkatërruese në Rripin e Gazës.  Mbi 17.400 palestinezë janë vrarë dhe rreth 46.000 janë pagosur në sulmet izraelite nga toka dhe nga ajri. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin palestinez, më se 70 për qind e viktimave janë gra dhe fëmijë. Shumë të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga bombat.

(r.m.)