Netanyahu: Trupat izraelite do të kontrollojnë një zonë neutrale brenda Sirisë për një periudhë të pacaktuar

Jerusalem, 17 dhjetor 2024 – Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të martën se forcat izraelite do të qëndrojnë në një zonë neutrale në anën siriane të kufirit, më konkretisht në majën e malit Hermon, “derisa të krijohet një situatë që nuk përbën rrezik për sigurinë e Izraelit”.

Kryeministri Netanyahu njoftoi për këtë të martën nga maja e malit e mbuluar nga bora, më e larta në rajon, e cila ndodhet në anën siriane të kufirit. Kjo me gjasë është hera e parë që një udhëheqës izraelit hyn në territorin sirian.

Kryeministri Netanyahu tha se qëndroi në majën e malit Hermon para 53 vjetësh si ushtar, por rëndësia e kësaj zone për sigurinë e Izraelit është rritur duke marrë parasysh zhvillimet e fundit.

Izraeli mori nën kontroll një pjesë të Sirisë jugore përgjatë kufirit me Lartësitë Golan, të aneksuar më parë nga shteti hebre, duke e quajtur atë një zonë neutrale, pak ditë pasi rebelët rrëzuan nga pushteti Presidentin sirian Bashar Assad. Marrja nën kontroll e zonës është dënuar me kritikët që akuzojnë Izraelin për shkelje të armëpushimit të vitit 1974 dhe për shfrytëzimin e kaosit në Siri për rrëmbim të territorit.

Kryeministri Netanyau vizitoi zonën neutrale me Ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se udhëzoi ushtrinë izraelite që të vendosej aty duke krijuar fortifikime, që tregon për një qëndrim afatgjatë në zonë.

“Maja e Hermonit është sytë e shtetit të Izraelit për të identifikuar armiqtë tanë që janë afër dhe larg”, tha ministri Katz.

Forcat izraelite kanë marrë nën kontroll një zonë të çmilitarizuar afërsisht 400 kilometra katrorë, brenda Sirisë. Zona neutrale midis Sirisë dhe Lartësive Golan u krijua nga OKB-ja pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973. Një forcë paqeruajtëse e OKB-së prej rreth 1,100 trupash ishte e pranishme në atë zonë që atëherë.

Izraeli mori nën kontroll Lartësitë Golan nga Siria gjatë luftës në Lindjen e Mesme të vitit 1967 dhe më vonë i aneksoi, veprim që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar. Maja e malit Hermon ndahet midis Lartësive Golan të aneksuar nga Izraeli, Libanit dhe Sirisë. Vetëm Shtetet e Bashkuara e njohin kontrollin e Izraelit mbi Lartësitë Golan.

(Zëri i Amerikës)   

Comment

*