Cyrih, 14 janar 2023 – “Uashingtoni po ushtron presion mbi Prishtinën dhe Beogradin për të gjetur një kompromis. Sipas amerikanëve, edhe Brukseli duhet të intensifikojë më shumë ndërmjetësimin në këtë rast”, shkruan mediumi zviceran Neue Zurcher Zeitung.
“Ka qenë emisari i rangut më të lartë që Uashingtoni ka dërguar në Ballkan për vite me radhë, Derek Chollet, nënsekretar i shtetit në Ministrinë e Jashtme, që vizitoi këtë javë kryeqytetet e dyja vendeve. Bëhet fjalë për parandalimin e një ‘metastaze të dhunës’ në rajon, tha diplomati për mediat në Kosovë.
Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, një krizë në Ballkan është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit, tha Chollet. Në fakt, që nga sulmi rus, amerikanët kanë intensifikuar angazhimin e tyre në rajon. Pas përpjekjeve të pasuksesshme nën administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, presidenti aktual, Joe Biden vendosi një të dërguar special për Ballkanin. Që nga fundi i vitit 2021, ky ka qenë diplomati i karrierës Gabriel Escobar”, shkruan ky medium.
“Detyra e tij kryesore është të mbështesë Bashkimin Evropian në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Negociatat nën patronazhin e Brukselit për një dekadë nuk kanë dhënë asnjë përparim të vërtetë. Në vend që të punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme, palët bëjnë pazare për çështje teknike si targat e veturave apo kartat e identitetit. Më pas ndërkombëtarët luajnë rolin e zjarrfikësit”, shkruan Neue Zurcher Zeitung.
“Formula e Cholletit, të cilën ai ua dorëzoi palëve në mosmarrëveshje gjatë udhëtimit të tij, nuk është befasuese. Prishtina duhet t’u lejojë serbëve të Kosovës – rreth pesë për qind të popullsisë – më shumë vetëvendosje. Në këmbim, Beogradi do ta njihte të paktën pjesërisht pavarësinë e ish-krahinës. Së fundi, BE-ja duhet të përshpejtojë procesin e integrimit të Ballkanit – si një nxitje për palët dhe për të zmbrapsur ndikimet ruse dhe kineze.
Kjo është në përputhje edhe me strategjinë e Brukselit. Por pa konsensusin e shteteve anëtare, ndërmjetësuesve të BE-së u mungon fuqia negociuese. Gjashtë shtete të BE-së nuk e kanë njohur as Kosovën. Në BE, Gjermania është e vetmja peshë e rëndë që dëshiron të ecë përpara me integrimin e rajonit”, shkruan medium zviceran.
Uashingtoni ka pak ndikim në politikën e BE-së për Ballkanin.
“Kosova pavarësinë ua ka borxh amerikanëve. Prandaj është e parashikueshme që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të heqë dorë nga rezistenca për krijimin e një Asociacioni gjysmë autonom të komunave me shumicë serbe”, shkruan Neue Zurcher Zeitung.
“Nga ana tjetër, nuk ka gjasa që Beogradi të lëvizë në këmbim dhe të paktën ta njohë në heshtje ekzistencën e Republikës së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq kundërshton kategorikisht anëtarësimin e Kosovës në OKB (si rezultat i njohjes de facto). Në Beograd thuhet se një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës është e pranueshme. Por asgjë nuk dihet se si mund të duket kjo”, shton ky medium.
Presioni i Gjermanisë ndaj Serbisë
“Pra, presioni do të duhet të rritet për ta detyruar Beogradin në negociata reale. Në çdo rast, Perëndimit nuk po u pëlqen sjellja e Serbisë sepse qeveria vazhdimisht po refuzon të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Amerikanët kanë pak burime për të bindur Serbinë të ndryshojë kurs. Berlini, nga ana tjetër, ka ndikim më të madh falë investitorëve të rëndësishëm në vend.
Është mjaft e imagjinueshme që toni mes Berlinit dhe Beogradit të bëhet më i ashpër. Sido që të jetë, tabloidet serbe, të varura nga qeveria, tashmë kanë filluar të vënë në shënjestër gjermanët”, shkruan Neue Zurcher Zeitung.
(Telegrafi)