Fjala e plotë e hartuar me rastin e konferencës për Doktrinën e së Djathtës
Nga Lindita Komani
Njeriu lind vetëm në këtë botë, por është një qenie që jeton në shoqëri. Jeta shoqërore është një marrëdhënie që nis dhe zhvillohet brenda familjes me babanë, nënën, vëllezërit, motrat, e të afërmit. Të jetuarit në shoqëri vijon me rritjen e fëmijës në çerdhe, kopsht, shkollë, në punë dhe në jetën publike.
Jeta shoqërore është e tillë për fëmijët që kanë fatin të lindin në një familje, pasi familja është inkubatori i njerëzimit. Ajo e ruan këtë rol për njeriun gjatë gjithë jetës së tij.
Është e qartë pra, që në zhvillimin nëpër të cilin kalon njeriu nuk është vetëm, por bashkëvepron, merr mbështetje e mbështet të tjerë njerëz drejt arritjeve.
Dhe në themel të këtij zhvillimi si faktori kryesor formues për gjithsecilin individ është familja.
Kjo është dëshmuar në mijëra vite shoqëri njerëzore, është dëshmuar nga librat e shenjtë të feve, dhe dëshmohet edhe nga psikologjia e cila deri diku është përpjekur të marrë vendin e tyre në 100 vitet e fundit.
Në familje prindi është përgjegjësi kryesor për edukimin e fëmijëve, duke pasur përgjegjësinë e madhe për të dhënë shembullin e tij para tyre.
Edmund Burke shkruan se liria nuk mund të ekzistojë aty ku morali mungon. Dhe ne sot e dimë se as morali nuk mund të ekzistojë në mungesë të familjes.
Fëmija teksa rritet mban përgjegjësinë për të çuar përpara trashëgiminë familjare, për t’u kujdesur për prindërit e moshuar, duke kthyer sadopak nga mbështetja që ka marrë prej tyre në rritje.
Pavarësisht qindra viteve pushtimesh dhe gjysëm shekulli komunizëm që kanë synuar të zhbëjnë qenien shqiptare, ne ia kemi dalë të mbijetojmë dhe të sjellim deri në shekullin XXI traditat më të shenjta të familjes.
- Por si po zhvillohet njeriu dhe familja shqiptare sot, kur edhe Shqipëria nuk është imune ndaj tendencave të imponuara nga globalizmi?
- Si mund të ndihmojë më mirë shteti?
- Ç’rol duhet të ketë PD në hartën politike shqiptare për të siguruar që njeriu shqiptar dhe familja shqiptare si shtylla bazë për mbështetjen e tij të zhvillohen në mënyrë të shëndoshë?
Më lejoni të ndaj me ju disa skena nga jeta e përditshme e njeriut dhe familjes shqiptare, në kohërat dhe ditët që sot po jetojmë – në epokën e inceneratorëve, në epokën e vulës së humbur, në epokën e Mek Gonigallit, në epokën e parave të fshehura në kutinë e aspiratorit:
- Kam parë me sytë e mi, në një qendër tregtare diku në Tiranë, një fëmijë rreth 4 vjeç, teksa luante një lojë me kompjuter. Në këtë lojë, me pafajësinë më të madhe, fëmija vriste njerëz me mitraloz. Ndërkaq, e ëma, e ulur pranë tij, shtynte kohën me celular.
- Po sjell tek ju një skenë tjetër të regjistruar në një nga shkollat tona: dy fëmijë 6 dhe 8 vjeç krenohen për faktin se shohin Big Brother Albania VIP bashkë me prindërit para se të flenë. Këta fëmijë, këta telespektatorë të kujdesshëm të një programi kaq të famshëm, nuk arrijnë të rrinë në një vend, ngjiten sipër karrigeve, flasin me zë të lartë, konfliktohen me grupin, duke u përpjekur të imitojnë atë që kanë parë në televizor.
- Një vëzhgim i thjeshtë i programeve për fëmijë në një televizion privat të nxjerr para syve filma vizatimorë që shfaqen pa asnjë filtër për fëmijët 3-10 vjeç: (1) kafshë që përndiqen nga njerëz dhe të cilat për vetëmbrojtje vrasin njerëzit; (2) foshnja që linden në fabrika prodhimi bebesh dhe që shpërndahen me postë në familje nëpër gjithë botën sipas porosive – në mbyllje të filmit, familja e cila paraqitej në inkubator për të marrë beben e porositur përbëhej nga dy burra; (3) në një film tjetër për fëmijë, një djalë 6-7 vjeç që rekrutohet nga një shërbim sekret me lejen e familjes e përbërë nga dy mama.
- Çdo vëzhgim i thjeshtë i portaleve që mund të hapen pa asnjë pengesë nga fëmijët përmes kompjuterit apo celularëve na tregon fare qartë: Materiali pornografik është i pranishëm në thuajse çdo portal shqiptar lajmesh.
- Kemi parë vajza në fillim të adoleshencës së tyre që bëhen temë e ditës për shkak të videos që pushton rrjetet dhe që i tregon ato teksa rrihen me njëra-tjetrën.
- Kemi parë djem adoleshentë që në bashkëpunim me njëri-tjetrin vënë nën presion shoqen e klasës dhe e kërcënojnë me video intime. Për të mbrojtur veten vajza i nënshtrohet shfrytëzimit seksual disamujor prej tyre.
- Kemi parë një vajzë afrikane e cila keqtrajtohet dhe humb jetën në Shqipëri në mënyrën më të thjeshtë dhe makabre të mundshme.
- Jemi të gjithë dëshmitarë se numri i adoleshentëve shqiptarë që marrin drogë është dyfish më i lartë se numrit i të rriturve. Trendet e abuzimit me drogë dhe alkool për moshat 13-14 vjeç janë bërë pjesë edhe në kronika televizive.
- Sipas një studimi të CRCA, 38% e dënimeve për krime godasin të rinjtë. Sipas statistikave të INSTAT, në rastin e dhunës në marrëdhënie dashurie, 88.9% e dhunuesve kanë qenë djem të rinj në moshën 25-34 vjeç.
- Papunësia dhe mungesa e mundësive për zhvillim të talentit, paga të mira, edukim dhe shëndetësi cilësore janë edhe arsye kyçe për largimin e të rinjve, por edhe të rriturve, gjë që çon në ndarjen e familjeve ose në shpërnguljen e tyre përfundimtare nga vendi (gjë që është trajtuar në fjalimin e mbajtur për shpopullimin).
- Për të mbuluar shpenzimet mesatare një familjeje me 4 persona i duhen rreth 85 000 lekë në muaj. Sa familje janë të pamundur dhe nuk e arrijnë këtë nivel të ardhurash mujore me të cilat të mbulojnë një jetesë të dinjitetshme?
- Burri dhe gruaja janë dy qenie identike në dinjitet, por të ndryshme në rolin e tyre në shoqëri. Në Shqipëri dinjiteti i gruas shkelet dhe kjo manifestohet qartësisht në objektifikimin e gruas dhe në shkeljen e të drejtave të saj, duke nisur nga e drejta për jetë dhe për të mos u dhunuar.
- Me dhjetra gra janë vrarë nga burrat e tyre në vitet e fundit dhe sot janë kthyer ne statistika të frikshme.
- Shqipëria sot numëron zyrtarisht 153 gra të vrara në 12 vjetët e fundit. Vetëm përgjatë vitit 2022, janë bërë 4 mijë denoncime të dhunës në familje dhe janë dhënë 2400 urdhra vetëmbrojtjeje për gratë dhe vajzat.
- Nuk duhet të harrojmë një traumë të madhe të shoqërisë sonë, asnjëherë të trajtuar si duhet: faktin që në vitet 1990-2000 me mijëra vajza shqiptare janë trafikuar nga djem e burra shqiptarë nëpër rrugët e Europës si prostituta.
- Mes tyre shumë kanë qenë të fejuara apo të martuara me këta djem/burra. Nga ana psikologjike vlen pyetja: Si ka mundësi që ka ndodhur kjo? A mund të ndodhë përsëri?
- Në vitin 2020 Shqipëria numëronte 6.16 martesa për një mijë banorë, pothuajse dyfishi i normës mesatare të Bashkimit Europian. Në vitin 2020 u regjistruan 1.5 divorce për një mijë banorë, nga vendet me norma më të larta divorci (1.4-1.6) sipas Eurostat. Shqipëria me këto shifra rezultoi të ishte vendi i parë në rajon për divorce.
- Pavarësisht përdorimit në rritje të kontraceptivëve, për të cilën nuk gjen statistikë përveçse nga biseda me farmaciste dhe emigrimit masiv në 7-8 vitet e fundit, numri i aborteve është i lartë. Në periudhën 2015-2019 shënohej një total prej rreth 29 000 abortesh. Në vitin 2015, 83.6% e grave që abortuan ishin të papuna, në 2019, 63.1% e tyre ishin të papuna.
- Shqipëria numëron rreth 30,000 fëmijë jetimë, pra kemi mjaftueshëm për të populluar një qytet të vogël. Shumica jetojnë ose në familjet e origjinës së prindërve, ose me njërin nga prindërit. Janë më pak se 300 fëmijë nëpër institucione. Vetë familjarët sakrifikohen dhe ofrohen që t’i mbajnë nëpër familje dhe jo në institucione.
- Të moshuarit sot përbëjnë rreth 13% të popullsisë dhe tendenca është në rritje, duke pasur parasysh emigrimin masiv të moshave më të reja. Pensionet e ulta që u bëjnë të pamundur jetesën me dinjitet si dhe braktisja janë dy tema që i prekin drejtpërdrejt të moshuarit.
- Vërehet një fokus çproporcional mbi çështjet LGBT, sidomos i financuar nga jashtë, në raport me tema të tjera të rëndësishme që prekin individin dhe familjen në Shqipëri, sikurse kuptohet qartë që janë këto që sapo u përmendën.
- Vërehen gjithashtu provokime të orkestruara për të futur në debatin publik tema që nuk i përkasin fare realitetit shqiptar, sikurse cilësimi i nënës dhe babait si prindi nr.1 dhe nr.2.
- Përballë kësaj situate, përpara këtyre shifrave aspak optimiste, dhe përballë këtyre aktorëve që amerikanët i quajnë “foreign actors” – që në fakt janë aktorë dhe faktorë aspak dashamirës ndaj trashëgimisë tonë, identitetit tonë, të ardhmes tonë ashtu siç ne duam ta jetojmë, kombi shqiptar mund të ketë vetëm një përgjigje masive – rezistencën, sa më të organizuar, sa më të informuar, sa më të mirë-strukturuar.
- Si mund të organizohet qëndresa ndaj atyre që synojnë dizintegrimin e thelbit tonë identitar? Ka disa rrugë, dhe padyshim pafundësisht shumë mënyra. Jo të gjitha këto janë efektive. Por, disa prej tyre janë të domosodoshme.
- Rruga e parë dhe më e rëndësishmja– është politizimi i çështjes. Identiteti kombëtar dhe ruajtja e substancës së këtij identiteti është një çështje kardinale, është një çështje ekstremisht sensitive, dhe jo pa qëllim “shoqëria e hapur” damkos çdo përpjekje për të politizuar çështjet e tilla “të dala mode”, apo “të konstruktuara nga nacionalizmat e vjetëruara”.
- Por unë them se identiteti kombëtar, dhe pikërisht ruajtja e substancës së tij, ka të bëjë absolutisht me të tashmen dhe të ardhmen shumë të afërt. Ka të bëjë me fëmijët, me pornografinë, me shkatërrimin e vlerave themeltare që mbajnë familjen, këtë familje shqiptare që po mban në këmbë Shqipërinë, në një moment kur kjo Shqipëri nuk ka asnjë shtyllë tjetër që e mban në këmbë – pasi kanë rënë institucionet, ka rënë drejtësia, ka rënë miti i agjentit të ndershëm të FBI-së, ka rënë miti i ambasadorit të gjithëditur e të paanshëm amerikan, është dëmtuar roli i shkollës si mbartëse e vlerave kombëtare, dhe po rrezikohet familja – shtylla e vetme e mbetur që mban në këmbë atë që jemi dhe atë që duam të jemi.
- Kur flas për politizimin e mbrojtjes së familjes, flas për përqasjen e informuar, të struktuar dhe të mirë-përgatitur të Partisë Demokratike, ndaj këtij problemi, larg çdo elektoralizimi të cekët të tij. PD e vendos familjen instiktivisht dhe qenësisht në thelb të qenies së saj. Ky thelb duhet artikuluar në programe dhe politika – jo thjesht nominale, jo thjesht populiste. Nuk ka pse të ketë PD asnjë kompleks për vendosjen e familjes aty ku ajo është – në ADN-në e saj si forcë politike. Dallimi i vetëm mes PD dhe çdo partie tjetër që e ngre këtë kauzë qëndron në atë, se për PD integriteti i panegociueshëm i familjes shqiptare nuk është, dhe as ka për të qenë ndonjëherë, thjesht një togfjalësh.
- Hapësira për veprim është e madhe. Ajo përfshin:
- Politikat fiskale për të rritur mirëqenien e familjes: (1) me ulje taksash për familjet në nevojë, për familjet ku mungon një prind, për gjyshërit e të afërmit e fëmijëve jetimë që rriten në shtëpitë e tyre, për familjet me shumë fëmijë, për lindjen e më shumë fëmijëve në kushtet kur po shihen pasoja të para të uljes së lindshmërisë; (2) me subvencionime aty ku është e mundur në kushtet buxhetore. Si shembull për këtë do të sillja Partinë Popullore Austriake e cila Bonusin për Familjen e ktheu në pikë kyçe për fushatën e fundit elektorale që e solli në krye të qeverisë.
- Politikat e edukimit: (1) edukim i prindërve për të qenë prindër më të mirë; (2) edukimi i fëmijëve për të marrë sa më shumë virtyte dhe për të përjetuar një zhvillim sa më të kujdesshëm njerëzor dhe që i çon jo drejt lirisë pa fre që është një keqinterpretim i lirisë, por drejt lirisë për të shkëlqyer të bazuar në praktikat më të mira të psikologjisë pozitive dhe besimit në Zot. Shkollat duhet të jenë zgjatime të edukimit në familje. Prindërit duhet të kenë zërin e tyre në hartimin dhe miratimin e teksteve shkollore. Për këtë një shembull i rëndësishëm vjen nga shteti Virxhinia në SHBA, ku guvernatori aktual Glenn Youngkin i fitoi zgjedhjet pikërisht me këtë premtim. Prindërit gjatë kohës së COVID-it kur mësimi bëhej online, kishin kuptuar më në fund plotësisht se çfarë u mësohej fëmijëve të tyre. U organizuan, protestuan dhe fituan.
- Politikat e mbrojtjes: (1) monitorim i materialit mediatik për të penguar çdo lloj përpjekjeje për të tjetërsuar mendjen e fëmijëve (materiale dhune, pornografie, perversiteti); (2) monitorim i materialit mësimor që iu përcillet fëmijëve në shkolla; (3) mbrojtja e fëmijëve, e grave dhe e të moshuarve si pjesë më vulnerabël të shoqërisë; (4) mbrojtja e bebeve të palindura, duke ofruar mundësinë për konsulencë për gratë dhe vajzat shtatzëna para se ato të marrin vendim për abort, si dhe duke promovuar mbështetjen e qendrave të shtatzanisë.
- Së dyti: përtej politizimit të çështjes, i cili është aspekti më i rëndësishëm i saj, vlen të përmendet edhe ngritja dhe përfaqësimi i vazhdueshëm dhe bindës i kësaj kauze, përtej politikës, në të gjitha aspektet e shoqërisë dhe institucionet e saj, në atë që njihet si “shoqëri civile”, të cilën aktorët e shoqërisë së hapur përpiqen ta depolitizojnë deri në de-faktorizim total. Por ky diskutim të dashur miq, kërkon një trajtim më të hollësishëm në një konferencë tjetër.