New York, 5 janar 2025 – Rreth një mijë persona u mblodhën në Germonds Park, në periferi të New York-ut, për të nderuar familjen Morgan, katër anëtarëshe, e cila u shua fundjavën e kaluar, në New City, në një akt që u kualifikua si vrasje-vetëvrasje.
Ata ndezën qirinj dhe shprehën dhembjen e pikëllimin për katër viktimat e tragjedisë familjare.
Shumica e pjesëmarësve ishin të rinj, moshatarë të dy djemve që u shuan tragjikisht. Shokët e shoqet e shkollës qanë me dënesë për dy shokët e tyre që do t’i kujtojnë me mallë gjithë jetën.
Mes tyre kishte edhe shumë shqiptarë – familjarë, të afërm, miq e të njohur të Ornelës, shqiptares që kishte migruar në Amerikë për një jetë më të mirë.
Watson Morgan, 49 vjeç, gruaja e tij Ornela Morgan, 43 vjeçe, dhe dy djemtë tyre, Liami 10 vjeç dhe Gabrieli 12 vjeç, u gjetën të vdekur në shtëpi, në periferi të Nju Jorkut, të dielën, më 31 dhjetor.
Zyrtarët e policisë thanë se Watson Morgan, rreshter në Departamentin e Policisë në Bronxville, ka qëlluar për vdekje gruan e tij, shpiptaren Ornela Morgan, dhe djemtë e tyre, përpara se të vriste edhe veten.
“Në këtë fazë të hetimit besohet se Watson vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten me një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri”, tha Departamenti i Policisë në Clarkstown.
Katër trupat e pajetë janë zbuluar nga policia të dielën, pak pas mesnatës në banesën e familjes, në New City, në periferi të New York Cityt, pasi Morgan nuk është paraqitur në punë për turnin e mbrëmjes.
(r.m.)