Nga Ruben Avxhiu
Në një kohë kur disa janë angazhuar për të rindezur urrejtjet ndërfetare, tre klerikë në Staten Island, New York, përfshi edhe një imam shqiptar, janë nderuar për kontributin e tyre për paqe dhe harmoni në komunitetet ku jetojnë.
Në Banketin e 62 Vjetorit, Shoqata Demokratike e Staten Island ka nderuar me Çmimin Humanitar “Hon. Paul O’Dwyer, pesë personazhe të jetës së përditshme në një nga pesë superlagjet e New York City-t: Të Përndershmin Rev. Dr. Terry Troia, Imam Tahir Kukaj, Rabbi Mendy Mirocznik, si dhe Joseph P. Delaney e Hon. Edwina F. Martin (Esq.)
Në Darkën e mbajtur në 19 tetor, në lokalin “The Crystal Room”, u dhanë edhe një numër çmimesh të tjera të përvitshme.
Imam Tahir Kukaj prej më shumë se dy dekadash punon pa u lodhur për të gjallëruar jetën në komunitetin shqiptar, ku ka luajtur një rol të dorës së parë në ngritjen e Qendrës Kulturore Islamike Shqiptare. Për punën e tij, ai është nderuar nga instancat më të larta të Shtetit dhe Qytetit të New York-ut.
Për gati 5 vite, ai shërben edhe si Kapelan në Departamentin e Policisë së New York-ut.
Së bashku me klerikë të krishterë e hebrej, ai ka organizuar një numër veprimtarish të përbashkëta që shkrijnë në një komunitet të vetëm njerëzit e feve të ndryshme, në një Qytet që e ndajmë të gjithë bashkë pavarësisht se nga vijmë e nga e kemi prejardhjen.
Paul D’Dwyer, emrin e të cilit mban Çmimi Humanitar që jepet çdo vit në Staten Island, ka qenë një udhëheqës irlandezo-amerikan, avokat i të Drejtave të Njeriut, e President i Këshillit Bashkiak të New York-ut. Lufta e tij për t’u dhënë zë komuniteteve të diskriminuara e ka kthyer në një symbol frymëzimi për aktivistët njujorkezë të ditëve tona.
Drejtuesit e Darkës nuk i kursyen lavdërimet e përgëzimet e tyre për Imamin Tahir Kukaj të shqiptarëve, kolegët e tij të feve të tjera dhe personaliteteve të tjera që morën çmime.
“Ndjehem i nderuar”, tha Imam Kukaj, “që isha pjesë e këtyre njerëzve modestë që u nderuan nga Shoqata Demokratike e Staten Island”.