New York: U shfaq dokumentari “Mirënjohje – Miku i çmuar i shqiptarëve, Sir Noel Malcolm”

Kryevepra e Noel Malcolm për Kosovën: Mbrojtja më e mirë është e vërteta

Nga Beqir Sina

NEW YORK

Në një nga ambjetet e Konsullatës së Republikës të Kosovës në Nju Jork, ditën e hënë, në 13 maj u shfaq filmi dokumentar “Mirënjohje” – me nën titull “Miku i çmuar i shqiptarëve, Sir Noel Malcolm”, kushtuar kontributit të tij për Kosovën.

Dokumentari 37- minutësh  i ndarë në tre pjesë, është i realizuar nga ish ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Mal Berisha.

Enkas nga Oxfordi në New York, për të nderuar me praninë e tij, shfaqjen e filmit erdhi edhe Sir Noel Malcom.

Morën pjesë Ambasadorja e Shqipërisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara, znj. Suela Janina me stafin e saj, diplomatët Arjan Spasse dhe Etrit Bekteshi, Ambasadori Blerim Reka dhe stafi i i tij diplomatik, Ambasadori britanik dhe zv/Perfaqesuesi i Misionit të Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar, z. James Karluki, si dhe diplomatët nga misioni italian dhe ai i Guayanas, në OKB.

Po ashtu  në këtë aktivitet morën pjesë aktivistë të komunitetit, përfshirë aktivistin e njohur të çështjes kombëtare, Harry Bajraktari, Presidenti i Nderit i VATRËS, Agim Rexhaj, deputeti i Partisë Demokratike Isuf Çelaj, biznesmeni nga Kosova, Skënder Thaqi, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami e të tjerë.

Ambasadori Blerim Reka – Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, në cilësinë e mikëpritësit, në hapjen e këtij eventi u shpreh se rëndësia e këtij aktivitetit që ka të bëjë me personalitetin e autorit dhe me temën mjaft të rëndësishme që është marrë në shqyrtim, në një kohë të veçantë për Kosovën.

Ai tha se libri i tij: “Në vitin kur e publikoi, kishte filluar lufta çlirimtare e Kosovës dhe ky libër ndryshoi tërësisht historiografinë deri atëherë spekuluese dhe propaganduese të Serbisë, sepse me fakte zhveshi mitet false të Serbisë për Kosovën. Nga libri i tij, për këto 24-25 vite, çerek shekulli, jo vetëm historia botërore por edhe diplomacia botërore gjeti referenca, argumente të bollshme për të dëshmuar se pse ishte e domosdoshme lufta çlirimtare në vitin 1998”.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha, mbasi falederoi Ambasadorin Reka dhe stafin e konsullatës, tha se sot do të shohim episodin e dytë të “serialit” dokumentar me titullin: “MIRËNJOHJE” kushtuar veprës së historianit britanik, Sir Noel Malcolm, duke ndriçuar historinë e shqiptarëve në Ballkan.

Megjithatë, theksoi ai nuk mund të përmbahem nga përmendja e një fakti : “Puna e historianëve anglezë për të hedhur dritë mbi historinë e kombeve tona ka nisur shekuj më parë. Do të doja të përmendja përkthimin e Historisë së Skënderbeut të Marin Barletit nga Zachary Jones në 1596 nga frëngjishtja në anglishten e mesme të kohës së Shekspirit. Pas 428 vjetësh nga botimi i parë dhe i vetëm në anglisht i atij libri, ndërkohë që disa javë më parë, kjo histori u përshtat në anglishten moderne nga Dr. David Hosaflook dhe tani është e disponueshme në Amazon”.

Ndërsa, duke shprehur kënaqësinë e tij të jashtëzakonshme, ai i dhuroi historianit një nga kopjet e para të librit “Historia e Skënderbeut” Marin Barleti.

“Kjo kopje e librit është një dhuratë për ju”, tha zoti Berisha. .

Pasi permendi autorë të tjer anglezë, si Richard Knolles, Lord Bajronin, Benjamin Disraeli, dhjetëra e dhjetëra autorë britanikë, që janë angazhuar duke shkruar për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, zoti Berisha veçoj dy anglezë, kolonelin Aubrey Herbert dhe Sir Noel Malcolm, dhe ndikimin që ka pasur veprimtaria e tyre ndaj shqiptarëve drejtpërdrejt në historinë e kombit tonë.

Ai tha “I pari është babai i Shoqatës Anglo-Shqiptare të krijuar në vitin 1912 për të ndihmuar në shpëtimin e Shqipërisë nga gjymtimi. Më vonë ai ndihmoi Shqipërinë për t’u bërë anëtare e Lidhjes së Kombeve në vitin 1920 falë ndihmës që mori nga Lordi Robert Cecil, Lordi Balfour dhe historiani i njohur M. Fisher. Anglezi i dytë, puna e të cilit për historinë e Shqipërisë ka pasur ndikim historik, është Sir Noel Malcolm, i cili jo rastësisht është sot President i asaj organizate”.

Libri i tij, i botuar edhe në shqip “Historia e shkurtër e  Kosovës”, ka pasur një ndikim kaq të rëndësishëm në historinë moderne të kombit tonë, saqë ka bindur botën demokratike për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë për të jetuar në liri dhe demokraci, tha Berisha. “Kjo është arsyeja pse unë jam shumë i prirur t’u bëj të njohur njerëzve kontributin dhe ndikimin që ka pasur puna e Sir Noel Malcolm në edukimin e njerëzve në mbarë botën për të vërtetën në lidhje me historinë e shqiptarëve”.

Para se të shfaqej dokumentari “Mirënjohje” kushtuar kontributit të tij për Kosovën,  ish ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha, foli po ashtu edhe për Sir Noel Malcolm.

“Mendova ta bëj këtu edhe si një shenjë shumë e rëndësishme e asaj çfarë është Kosova. Një Kosovë, që para aq vitesh, para luftës, këtu ishte pothuajse e panjohur, ndërsa sot është një vend i cili ka përfaqësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të bësh një aktivitet me Sir Noelin këtu, i cili ka luajtur një rol shumë të madh në ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për ndërhyrjen në Kosovë, për t’i shpëtuar kosovarët nga thundra sebre, për mua është diçka shumë kuptimplotë“, tha autori i filmit/dokumentar “Mirënjohje”, Mal Berisha. “Çështja e Kosovës nuk është një kapitull i mbyllur dhe se duhet angazhimi i të gjithë veprimtarëve shqiptarë kudo në botë: Të punojmë së bashku që ta mbajmë Kosovën të fortë ashtu siç e duam. Sepse ajo në fakt, rënia e Kosovës është rënie për çdo shqiptar. Nuk është rënie për qytetarët e Kosovës. Ajo është një dështim për të gjithë botën shqiptare”.

Mbas shfaqjes së filmit, gazetari Bujar Berisha, aktivistja Lumi Hadri dhe Zv/Perfaqesuesi i Misionit të Perhershem të Mbretërisë së Bashkuar, z. James Karluki, drejtuan pyetje Sir Noel Malcolm.

Kryevepra e Noel Malcolm për Kosovën: Mbrojtja më e mirë është e vërteta

Një çerek shekulli pas botimit të këtij libri, dokumentari i ish-ambasadorit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha, sjell në vëmendje jo vetëm peshën e këtij libri, por ndikimin dhe ardhjen e tij në kohën e duhur. Për vetë Malcolm, qëllimi në atë kohë ishte i qartë. E njëjta gjë tani.

“Unë jam historian dhe besoj se në shkallë shkencore mbrojtja më e mirë është e vërteta. Shpresoj se kam shkruar të vërtetën për Kosovën”, ka thënë Malcolm për librin “Kosova a short story” në insertet e fimit i pyetur nga realizuesi i këtij filmi Mal Berisha .

Dokumentari 37-minutësh shpalos mendimet e shumë njerëzve për Malcolm si; Arian Gjoncaj, Jason Tomes, Charles Moore, Rexhep Ismajli, John Hoghson, Rudina Jasini, Lea Ypi, Robert Wilton, Bejtullah Destani, Edita Tahiri dhe Daut Dauti, të cilët e vlerësojnë kontributin e Malcolm

Folësit e tjerë thanë se ai është historiani që me fakte do t’i hapte sytë botës perëndimore në një periudhë ku Kosova përballej me tmerrin.

Në vitin 1998, kur u pa se shqiptarët e Kosovës nuk do të mund të qëndronin as në shtëpitë e tyre për shkak të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Sir Noel Malcom botoi veprën “Kosova: Një histori e shkurtër”. Ndërsa shqiptarët e Kosovës po përballeshin me luftën nga Serbia, Malcolm përhapi fakte përmes punës së tij. Që përveç sensibilizimit të botës perëndimore, ai po bënte edhe një luftë: atë të ekspozimit të fakteve dhe të vërtetave. Ishte lufta e tij kundër propagandës së aparatit shtetëror serb që nga politika e deri në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë” thanë folësit.

Historia e shkrimit të kësaj vepre – ndër më të lexuarat për historinë e Kosovës – shpaloset në filmin dokumentar “Kosova a short story”, kushtuar veprës së historianit britanik, Sir Noel Malcolm. Me regji dhe skenar të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha, i cil është dokumentari i dyti me radhë i “serialit” të përgatitur për historianin dhe gazetarin Malcolm.

Që në fillim të dokumentarit Malcolm kërkon falje që nuk flet shqip dhe më pas tregon për punën e tij. Më parë, në vitin 1994, do të botonte librin “Bosnja: një histori e shkurtër”. Në atë kohë, Bosnje-Hercegovina ishte në flakë. Dhe në korrik të vitit të ardhshëm ndodhi gjenocidi i Srebrenicës, ku forcat serbe vranë mbi 8000 persona.

“Pas këtij libri kam menduar të shkruaj edhe për Kosovën, pasi që bashkësia ndërkombëtare kishte nevojë ta dinte të vërtetën”, thotë ai në dokumentar. Ai thotë se për librin për Kosovën ka punuar intensivisht për tre vjet, ndërsa sqaron se është një vepër më e plotë se ajo për Bosnje-Hercegovinën dhe se është servirur me burime të panumërta.

“Libri është botuar para fillimit të luftës në Kosovë dhe nuk kam dashur që komuniteti ndërkombëtar të bëjë gabime si në Bosnjë. Shpresoj se ka shërbyer për të parandaluar që ato gabime të bëhen”, thotë ai në dokumentar. Studiuesi 67-vjeçar që mban titullin e nderit mbretëror Sir (Zotëri) ka rrëfyer se Akademia e Shkencave e Serbisë ka mbajtur një konferencë dhe ka botuar një libër për të hedhur poshtë studimin e tij.

“Kjo më ka bërë nder pasi ai publikim nuk paraqet fakte”, thotë ai në dokumentar. Ai është një përkrahës i madh i së vërtetës. Këtë ai e ka përmendur edhe në fjalën e tij pas shfaqjes së dokumentarit.

“Unë jam historian dhe besoj se në shkallë shkencore mbrojtja më e mirë është e vërteta. Shpresoj se kam shkruar të vërtetën për Kosovën”, thotë ai.

Sipas folësve ose si quhen në gjuhën gazetareske “karakteret” thuhet se “Pavarësisht vështirësive që mund të ketë dokumentari si realizim, përmbajtja e tij është jo vetëm një kronologji, por edhe një vlerësim për veprën e Malcolm-it, një prej studiuesve më të mëdhenj në zbardhjen e historisë ndërkombëtare në botë; Në vitin 1998, Sir Noel Malcolm e kishte të qartë se çfarë synonte me një vepër për Kosovën. Sjellja e fakteve ishte e nënkuptuar për një historian të kalibrit të tij, por historia pas veprës “Kosova: një histori e shkurtër” ka një peshë tjetër. Ajo erdhi në një kohë kur bota kishte nevojë të dinte të vërtetën për Kosovën, për të mos u gabuar”

 Ish ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha, realizuesi i këtij filmi dokumentar Filmi/dokumentar “Mirënjohje”, shafqur të hënën(13 maj) në ambjetin e Konsullatës së Përgjithëshme të Republikës së Kosovës në New York, nën kujdesin e Konsullit të Përgjthshëm, Ambasadorit Blerim Reka, kushtuar veprës së Sir Noel Malcolm, në praninë e këtij të fundit, thotë se është “Ekspertiza e Sir Noelit për situatën në Kosovë, është një mësim i vlefshëm sa për Bashkësinë Ndërkombëtare po aq edhe për qëndrimet që duhet të mbajmë ne shqiptarët vetë. Këtë ai e shprehu edhe kësaj radhe në atë ngjarje të rëndësishme për Kosovën.”

Filmi “Mirënjohje/Gratitude” në pamje të parë duket se evokon vlerën e veprës së Sir Noel Malcolm – it, por po aq ai i jep mundësinë këtij dashamirësi realist të popullit tonë që të vazhdojë të këshillojë dhe ndihmojë Kosovën, me ekspertizën e tij për atë që ndodh sot në Kosovë dhe në vetë rajonin e Ballkanit.