Nga Bostoni në Gjilan për heroin Xheladin Beqiri (Karadaku) që dha jetën për lirinë e Shqipërisë

Artur Vrekaj

Gjilan, 3 Shtator 2024

Udhëtojmë për në Gjilan bashkë me Subi Çako, veprimtar i komunitetit Shqiptar të Boston, që i mban gjallë lidhjet e tij me vëndlindjen edhe përkëtej Atlantikut. Tashmë kemi edhe Labërinë e Boston, një organizatë premtuese për këngën e bukur polifonike ku vepron edhe Subiu. Vite më parë Subiu ka qënë edhe kryetar i shoqatës Atdhetare e Kulturore Nivica në Tepelenë. Deri në Time Square të Nju Jorkut e nxori fjalinë e mirëseardhjes :Mirësevini në vëndlindje!, për takimin e brezave të 28 Gushtit 2024 për Nivicën e Rexhinin që Subiu organizoi bashkë me Pajtimin, Julianin dhe kryepleqtë e të dy fshatrave.

Ndërsa përshkuam rrugën e kombit na bëri përshtypje përshëndetja e ngrohtë dhe vëllazërore e policisë së Kosovës në doganën e Morinës.

Unë kthehesha sërish në Kosovë pas 25 vjetësh, ndërsa edhe Subiu e kishte për herë të dytë në Gjilan.

Shtëpitë, fshatrat urbane të Kosovës që kaluam janë vërtetë një terapi e veçantë njerëzore kur udhëton në këto troje Shqiptare.

Takimin e parë në Gjilan e bëmë me Hafiz Kabashin që erdhi nga Vitia. Hafizi është veprimtar i komunitetit Shqiptar në Boston dhe ish-kryetar i shoqatës Kosova. Na u bë më e gëzueshme dita në Kosovë kur u takuam me Hafizin, aq më shumë që ne njihemi prej vitesh, prej veprimtarive atdhetare që kemi zhvilluar së bashku. U mblodhëm 3 vatranë në Gjilan.

Vizita në vëndin ku lindi Xheladin Beqiri ishte një dëshirë e brendshme, – thotë Subiu. E kisha vendosur të vazhdoja përpjekjen time që ky hero duhej me patjetër të njihej e të prezantohej edhe në Gjilan për veprën e madhe të heroizmit që na la, për gjakun e tij që derdhi për lirinë e Shqipërisë.

Më pas me ne u bashkua mësuesi i gjuhë-letërsisë Agim Kajtazi, nipi i heroit Xheladin Beqiri. Pikërisht, me Agimin shkuam në vëndlindjen e e heroit, në fshatin Dragancë, mbi 10 kilometra larg nga Gjilani. Rrugës për në Dragancë biseda rrodhi vetëm për heroin Xheladin Beqiri.

Përmbi 90 vjet nuk kishte lajm për heroin Xheladin Beqiri në Dragancë. Edhe për një vëlla tjetër të Xheladinit nuk dihet ende se si iku dhe nuk erdhi më lajm për të.

… Ndërkohë mbërritëm në vëndin ku ka qënë shtëpia e prindërve të Xheladinit në Dragancë. Kjo shtëpi e ŕrënuar ka ende gjysmat e mureve të dhomës së ndjenjes me dy kamare të brendshme në të dy anët e oxhakut plus themelet e dhomave.

Subiu mori me vete dy gurë të vegjël nga këto mure të shtëpisë së heroit Xheladin Beqiri për ti patur si kujtim nga kjo vizitë.  

Rrënojat e shtëpisë së heroit janë në një pllajë të bukur Shqiptare në gji të Karadakut, ashtu sikundër Xheladini e mbajti për emër të tij gjatë Luftës Karadakun.

Agimi e ka vizituar Nivicën dhe patjetër është mrekulluar kur ka parë në sheshin kryesor bustin e heroit Xheladin Beqiri.

Qëllimi i kësaj vizite përkujtimore është programimi i punës për prezantimin e heroit Xheladin Beqiri në komunën e Gjilanit për ta përjetësuar emrin e tij në vëndlindjen e tij. Është frymëzuese vepra heroike e këtij trimi të Kosovës, është shprehja më e lartë e atdhedashurisë. Shqipëria dhe Kosova nderohen me veprën e tij heroike. Heronjtë tanë e kanë bërë NJË trupin martir të Shqipërisë Natyrale. Gjaku i tyre kuron plagët e tokës ndër breza.

Jeta e Xheladinit në Nivicë është e njohur dhe veprimtaria e tij në luftë është e dokumentuar.

Agim Kajtazi me minidokumentarin “Gega i Nivicës” sjell portretin e heroit Xheladin Beqiri përmes fjalëve të bashkëkohësve të tij partizanë, por edhe pasqyron dokumenta shtetërore për përjetësimin e veprës së heroit në Shqipëri.

Një plak në një dasëm i kërkon Xheladinit të këndonte një këngë…….

 dhe heroi këndoi me çifteli:

“Nga Kaçaniku der në Boletin, tan Kosova asht mblu në tym”.

Mustafa Matohiti, Bexhet Mema, Xheladin Beqiri, Ali Lala dhe Dalip Seferi më 1 Prill 1942 formojnë çetën Partizane të Kurveleshit.

Më 15 Gusht 1943 në Vithkuq formohet Brigada e Parë Sulmuese dhe  Xheladin Beqiri, Karadaku emërohet zëvëndëskomandant i batalionit të Parë.

Në Popçisht deri më 8 Prill 1944, pothuaj Karadaku dihej i vrarë, por në majë të malit të Popçishtit po atë ditë shfaqet Karadaku me veshjen karakteristike të Kosovës me qillota.

Më 6 Qershor 1944, Xheladini bashkë me 23 partizanë të tjerë u vra në Qafën e Gjarprit si komandat i batalionit të Parë.

Kooperativa e Nivicës mbajti një periudhë kohe emrin e tij. Në Shqipëri heroi Xheladin Beqiri nderohet me bust në Nivicë, Qafë të Gjarprit ku ra heroikisht dhe në muzeun e Tepelenës.

Kuvendi Popullor i Shqipërisë me dekret nr.4660 datë 22 Nëntor 1969 i jep titullin e lartë Hero i Popullit Shqiptarit nga Draganca e Kosovës, Xheladin Beqir Beqirit, Karadakut.

Do të vinte mbrëmja e bukur e 3 Shtatorit 2024 dhe ne do të takoheshim me profesorin Ismet Azizi, kryetar i shoqatës Kosova për Sanxhakun. Me profesor Ismetin njihemi më herët në distancë për punën e tij atdhetare e studimore që bën me vite për Shqiptarët e Sanxhakut. Me librat e tij për Sanxhakun dhe konferencat akademike e kanë bërë Peshterin e Pazarin e Ri këto vite të ndihet edhe më Shqiptaria, të hapërojë kombi Shqiptar. Studjuesët Ismet Azizi dhe Ali Dacaj mbahen mend për ekspozitën Sanxhaku-histori e dhimbjes kombëtare që rrugëtoi në 20 qytete të trojeve Shqiptare.

Është një fat i madh që takohemi për punë të tilla atdhetare, u shpreh Ismeti. Ne flisnim sikur njiheshim prej kohësh. Subi Çako ndihej tashmë vërtet i lehtësuar shpirtërisht pas kësaj bisede disaorëshe. Dukej sikur amaneti i heroit Xheladin Beqiri që të kthehej prapë në shtëpi me emrin e Karadakut ishte realizuar.

Një takim kaq i ngrohtë sikur të jemi në shtëpi, aty në shëtitoren e  Gjilanit që gumëzhinte nga rinia. Një qytet i gjallë e me jetë ku flitej për djalin e tyre, për heroin e përbashkët, për përjetësimin e tij edhe në Gjilan pse ai e përjetësoi Karadakun me gjakun e Tij.

Puna ende vazhdon për ta përjetësuar emrin e heroit me emrin e një rruge në Gjilan, me bust në vëndlindje apo edhe me akademi përkujtimore si heroi që bashkoi zemrat e Kosovës me Shqipërinë.

U kthyem prapë në Boston me kujtimet më të bukura nga Shqipëria e Kosova, por më shumë se pas 90 vjetësh në Gjilan u fol enkas për heroin Xheladin Beqiri, Karadaku.

Falenderojmë nipin e heroit që mban emrin e tij Xheladin Beqiri (I riu), që jeton në Sarandë, i cili na prezantoi me kushëririn e tij, vëllain tonë Agim Kajtazi që na u gjend me gjithçka dhe na shoqëroi gjatë gjithë kohës.

Fotot origjinale janë përgatitur nga Subi Çako.