(Fjalë me rastin e përurimit të Vepra 6 të Selman Rizës, 24 prill 2023 në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë)
Sot jam i kënaqur që këtu para jush mund të paraqesim vëllimin e fundit me Vepra 6 të dijetarit të shquar shqiptar të shekullit XX Selman Riza, të lindur më 1909 në Gjakovë. Nga 1922-1925 në Tiranë mbaroi shkollimin fillor, ndërsa nga 1925-1931 për 6 vjet mbaroi nëntë klasët e Liceut Kombëtar në Korçë. Pas përvojës së shkurtë të punës në Ministrinë e Arsimit nga 1932-1936 vijoi dhe mbaroi studimet paralelisht për filologji gjermanike dhe për jurisprudencë në Universitetin e Tuluzës në Francë. Nga 1937-1939 punoi si profesor i gjuhëve frënge, shqipe, latine, gjermane, në Liceun e Korçës, ndërsa pas manifestimit antifashist kundër pushtimit italian më 1939 u transferua në Gjimnazin e Tiranës. Më 1940 e internuan në Ventotene të Italisë, prej nga u lirua në tetor 1941. Nuk pranoi të punonte profesor nën drejtimin e pushtetit kolaboracionist, prandaj komisioni qeveritar ia mori të drejtën për të punuar në arsim. Punoi si sekretar në një firmë private në Durrës deri më 1942, për të vijuar si përfaqësues në gjyq në Prizren (1942-1943), ku zhvilloi veprimtrari patriotike kundër kthimit të dominimit jugosllav në Kosovë. Më 1944 në Tiranë botoi Tri monografina albanologjike dhe bëri gati për shtyp Dokumnetar i kundërtezës shqiptare për çështjen kombëtare në Kosovë, që mbeti pa botuar dhe nuk është gjetur deri sot. Në fund të 1944 u kthye në Tiranë, ku në janar 1945 u burgos si ‘kosovar, irredentist, antijugosllav’. Në prill e nisën për Jugosllavi, por me ndërhyrje nga lart u kthye në burgun e Tiranës deri më 1948, ku qëndroi pa vendim gjykate. Nga janari 1948 deri në gusht 1951 u mbajt po ashtu poa vendim gjykate në burgun e Prishtinës, pastaj u internua në Sarajevë, ku punoi si lektor i gjuhës frënge në Universitetin e atjehsëm. Nga 1954-1955 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, i cili u mbyll në fund të 1955, kur edhe Selman Riza u përzu për në Tiranë, ku i kishte mbetur familja. Më 1952 në Prishtinë botoi Fillimet e gjuhësisë shqiptare dhe Gramatikë e serbokroatishtes, ndërsa më 1954 Diftorët e shqipes dhe historiati i tyne. Pas ekstradimit në Shqipëri nga 1956-1967 punoi në Institutin e gjuhësisë, ku botoi monografinë për nyjat dhe studime të tjera. Më 1959 mori gradën shkencore kandidat i shkencave, ndërsa më 1961 u zgjodh profesor në Universitetin e Tiranës. Më 1964 dorëzoi dorëshkrimin e doktoratës, por ndërkohë ndryshoi sistemi dhe grada e dokotrit të shkencave u suprimua. Më 1965 mori çmimin e Republikës për Emrat në shqipe, tipet e lakimit. Më 1967, për mospajtime shkencore-profesiponale me implikime ideologjike u internua në Berat, ku qëndroi deri më 1970, pa të drejtë botimi. Vdiq më 1988 në Tiranë. La prapa dispensat për 5 autorët më të vjetër të shqipes (1960), dhe versioni i gjerë dorëshkrim 1964, monografinë për foljet në gjuhën shqipe dhe studime të tjera. Më 1979 në Prishtinë botuam veprën Studime albanistike I, ndërsa nga 1996-2009 Akadmeia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi Vepra I-V. Ndërkohë në Tiranë u botuan pas vdekjes dhe pas rënies së komunizmit 5 autorët më të vjetër dhe Foljet në gjuhën shqipe. Akademia e Shkencave e Shqipërisë më 2009 botoi një vëllim me Vepra të zgjedhura të S. Rizës. Më 1992 Presidenti i Shqiprisë Sali Berisha i akordoi Medlajen ‘Mësues i popullit’, ndërsa më 1993 ‘punonjës i shquar i shkencës dhe teknikës’. Më 2005 Presidenti Ibrahim Rugova i akordoi medaljen e artë ‘Lidhja e Prizrenit’. Më 2009 Akadmia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës shënoi 100-vjetorin e lindjes së S. Rizës, me ç’rast, sipas amanetit të tij, mbetjet mortore të tij u sollën në vendlindjen e tij në Gjakovë, ku u vendos dhe bbusti i tij – portret i punuar nga skulptori Ismet Jonuzi. Më 2009 Dukagjini nga Peja botoi dorëshkrimin e tij Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme.
Selman Rizën e kam takuar për herë të parë më 1972 krejt rastësisht në rreshtin e fundit të sallës së Kuvendit Popullor në Tiranë, ku mbahej Kongresi i Drejtshkrimit. Pak më gjatë patëm rastin të bisedonim në kohën kur u mbajt Kuvendi I i studimeve ilire po më 1972. Bisedat tona silleshin kryesisht në fushën e gjuhësisë së përgjithshme, në çështje të teorisë së shenjave, të ideve të gjuhësisë strukturale pas Saussure-it, etj. Më 1974 më dërgoi një letër-fletore në të cilën ekspononte idetë e tij për një teori të intelektologjisë, për kritikën e teorisë së Saussure-it paralelisht me teorinë e Aristotelit dhe për hapin e tij drejt teorisë për të menduarit dhe të shprehjes së atij të menduari në një tërësi bashkë me aspektet e shenjës, që ai e quante intelektologji dhe komunikativistikë. Këtë letër e botova te revista Fjala në Prishtinë dhe bëri përshtypje gjithandej. Binte në sy që puna e tij hulumtuese për nyjat, për përemrat e për kategoritë e tjera gramatikore të shqipes në Tiranë kishte mbetur e botuar vetëm në revista. Vetëm studimi për Emrat, sistemi i lakimit ishte botuar si libër i veçantë. Në Tiranë më parë ishte botuar vepra e tij ndërkohë e heshtur Tri monografina albanologjike më 1944, ndërsa në Prishtinë për aq pak kohë sa kishte vepruar i lirë kishte botuar librat Fillimet e gjuhësisë shqiptare, Gramatikë e serbokroatishtes dhe Pronorët e shqipes. Bashkë me Hilmi Aganin dhe Besim Bokshin më 1978 bëmë gati një përzgjedhje të Studimeve albanistike I, Rilindja, Prishtinë më 1979, ku u përfshinë disa prej studimeve të tij me rëndësi për kategoritë gramatikore të shqipes të botuara nëpër revista në Tiranë. Ky botim u prit shumë mirë në qarqet profesionale-shkencore në Prishtinë, në Tiranë dhe jashtë. Pas vitit 1981 komunikimi u ndërpre tërësisht. Vdiq më 1988. Më vonë mora vesh se as telegrami i ngushëllimeve për familjen nuk paskësh arritur.
Në letrën e përmendur dhe në shënimet e mëvona ai kishte shprehur dëshirën që me trashëgiminë e tij intelektuale gjuhësore të merrej autori i këtyre rreshtave. Pas rënies së komunizmit Ali Dhrimo botoi dorëshkrimet për Pesë autorët më të vjetër dhe për Foljet në gjuhën shqipe, ndërsa Engjëll Angoni në librin e tij botoi fragmente studimesh të mbetura dorëshkrim. Vetë pata mundësi të merresha me çka ishte ruajtur si dorëshkrim vetëm pas viteve 2000. Më 1996 në kuadër të projektit afatgjatë të botimit të veprave të albanologëve të traditës, që tash ka kaluar mbi 30 vëllime, në ASHAK botuam vëllimin Vepra 1 të S. Rizës, ndërsa më 1997 Vepra 2. Pas vitit 2000 pata mundësinë të shihja pjesën tjetër të dorëshkrimeve dhe kështu botuam vëllimet me radhë. Më 2009, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, sipas amanetit, i sollëm mbetjet mortore në vendlindjen e tij në Gjakovë. Ndërkohë mora dhe 13 fletoret dorëshkrim Mendime të pashkëputur të një vazhde së vetme, që i botuam te Dukagjini. Në gjithë këtë periudhë më ndihmoi i biri akademik Emin Riza, specialist i shquar në fushën e arkitekturës tradicionale shqiptare dhe anëtar i jashtëm i ASHAK-ut, i cili për arsye shëndeti nuk mundi të ishte me ne sot. Gjej rastin ta falënderoj edhe këtu për ndihmën që më ka dhënë.
Pas përmbledhjes së dorëshkrimeve që ishin ruajtur në Arkivin e tij personal të përfshira bashkë me veprat e botuara në 5 vëllime, pas botimit të monografisë Pasionet dhe përsimet e Selman Rizës ASHAK 2009 ku përfshihej deh Dosja 2B e përndjekjes policore të tij 1956-1988, i hyra kërkimit për ç’kishte mbetur pa u përfshirë në botimet e deriatëhershme. Kështu lindi ky vëllim.
Në dijeninë time, kanë mbetur pa u gjetur dhe përfshirë traktati 200 faqesh “Për dokumentarin e kundërtezës shqiptare (mbi çështjen nacionale të Kosovës)”, që, sipas pohimeve të tij në shënimet autobiografike, e kishte lënë në shtyp në Tiranë më 1944, por që nuk është gjetur deri sot; teksti për lëvizjen politike në Kosovë i vitit 1943, që Fadil Hoxha e quante ‘broshurë’, e që mendojmë se duhet të jetë dorëshkrimi i paplotë që gjetëm në arkivin e Kosovës, botohet në këtë vëllim; studimi i tij për Elena Gjikën, që ishte parashikuar të paraqitej si tezë doktorate në Vjenë, prej të cilit kemi gjetur vetëm fragmente të vogla dhe Manuel i gjuhësisë së përgjithshme, dorëshkrim i mbetur në Prishtinë më 1955, por që deri sot nuk është gjetur. Në 100-vjetorin e lindjes së tij në Tiranë u botua vëllimi Vepra të zgjedhura.
Megjithë kujdesin dhe kënaqësinë që të botonim të gjitha veprat e Selman Rizës në serinë që mori tashmë 27 vjet, me këtë rast dua të përsëris diçka që kisha thënë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij: kam frikë se në kulturën shqiptare të shekullit XX vepra e Selman Rizës mund të mbetet e vulosur nga një paradoks: moralisht deri në fund emancipuese, shkencorisht e thelluar, kritikisht rrugëhapëse, pretendimisht rithemeluese, ajo nuk pati një jetë normale ndër bashkëkohësit, ndërsa në proceset e integrimit të pasardhësve në rrjedhat normale të dijes pa kufij, ajo mund të mbetet e shkëputur dhe disi pezull. Pa fajin e saj, ajo do të mbetet një si monument, ndonjëherë i gjymtuar, për të folur për “lirinë” dhe gjendjen tonë të shpirtit, për mendësinë tonë në një kohë.
‟As bisht i Ballit, as shtojcë e Frontit”
Në tetor apo nëntor 1943 Selman Riza kishte “nxjerrë edhe një trakt për të argumentuar e popullarizuar këtë platformë aq konforme me aspiratat e kosovarëve dhe drejtësinë ndërkombëtare”, ku, gjithë duke agjituar me parullën “as bisht i Ballit, as shtojcë e Frontit”, çka kishte përmendur dhe dhe K. Hazbiu në letrën për E. Hoxhën me rastin e kthimit në Shqipëri më 1955, vepronte “për krijimin e një lëvizjeje irredentiste antifashiste kundër rikthimit eventual në Kosovë të dominacionit jugosllav të cilësdo kredo ideologjike dhe të cilitdo rend shoqëror (pastë për të qenë)”. Traktin të nënshkruar nuk e kemi gjetur, por në Arkivin e Kosovës kemi gjetur një dorëshkrim prej 9 faqesh të formatit të madh, për të cilin, në bazë të kaligrafisë, të gjuhës, kuptohet, edhe të faktit se është klasifikuar në dokumentacionin për S. Rizën, edhe pse faqja ku mund të jetë nënshkrimi mungon, kemi prurë bindjen ta identifikojmë si tekst të Selman Rizës, dhe pikërisht si tekstin për të cilin ka folur edhe ai vetë në shënimet biografike. Këtë dokument e sjellim tani të tejshkruar. Dorëshkrimi nuk është i plotë.
Kanuni në Burgun e Prishtinës 1949
Sa kishte qëndruar në burg në Prishtinë Selman Riza kishte shkruar studimin Mbi kanunin e Lek Dukagjinit dhe rendin shoqëror që i përgjigjet, që ishte ruajtur në Beograd. Këtu e sjellim të përkthyer shqip dhe të transkriptuar frëngjisht. Ka gjithsejtë 61 faqe të formatit A4 të fletoreve me pagjinim 1-61 serbisht dhe 1a-61a frëngjisht. Është shkruar në burgun e Prishtinës me kërkesën e një të cilësuari si Druže… / Cammarade…
Në këtë studim me strukturë monografie Selman Riza shqyrtonte çështjen e Kanunit të Lek Dukagjinit, më parë se nga aspekti juridiko-etnologjik, nga aspekti i një interpretimi sociologjik. Ai merrej me Kanunin përkitazi me rendin shoqëror që i përgjigjet atij. Në vështrimin e tij rendi shoqëror malësor-fisnor i Shqipnisë së Veriut nuk dilte i njësueshëm me asnjë prej rendeve shoqërore të njohura të vendosura nga teorikët e socializmit shkencor, kështu që e shihte të nevojshme të diskutonte arsyet përse u lanë në heshtje specifikat shoqërore të fiseve malësore dhe dobinë që do të kishim nga ai shqyrtim. Diskutimet e tij shtrihen në kapituj të veçantë për transformimet e komunitetit primitiv në shoqëri skllavopronare, pastaj për transformimin nga komuniteti primitiv në fiset malësore, për federativitetin në raportet brendafisnore dhe ndërfisnore te fiset malësore, federativitet që ndërlidhet me paaftësinë e rendit shoqëror përkatës për të bërë aparatin shtetëror dhe për arsyet e mbijetesës në ato rrethana. Diskutimet e tij ndërlidhen sidomos në shqyrtimet për mungesën e aparatit shtetëror – pa-shtetësinë në shoqëri në përgjithësi dhe në fisin malësor në veçanti, pra në fisin malësor-alpin, edhe te zviceranët e te baskët, çka e justifikonte shqyrtimin si një rend të veçantë shoqëror. Konceptimin e pa-shtetësisë fisnore ai e vinte në përqasje me të proklamuarën pa-shtetësi komuniste, gjithnjë duke diskutuar për konceptimet e shtetësisë, për të kuptuarit e qeverisjes, në një anë, dhe të pa-qeverisjes, në anën tjetër. Diskutonte përmbledhtazi reflekset për vështrimin konceptual të shtetit si përbërës të rendit shoqëror përkatës, për aspektet imperialiste të shtetit lidhur me pushtetin, për degjenerimet e mundshme edhe në shoqërinë komuniste drejt kuazi-imperializmit të përkohshëm dhe më tej drejt llojit të qeverisjeve klasore, etj., në tërësi lidhur me shtetesinë primitive në shoqëritë komuniste, etj. Diskutonte po ashtu për arsyet se përse sociologjia borgjeze e reduktonte shtetësinë në qeverishmëri, etj., për të arritur te kapitulli i fundit, ku synonte të shprehte pikëpamjen e vet për vëllimin konceptual të shtetit. Duhet të mbajmë parasysh derisa lexojmë këtë tekst disa aspekte me rëndësi: formimin e S. Rizës si filolog e si jurist, mëtesat e tij të përhershme në fushën e gnoseologjisë, manifestimin e mëtesave për të zhvilluar pikëpamjet e tij për rendin shoqëror dhe për interpretimet sociologjike lidhur me të dhe njohjet e detajuara të së drejtës zakonore shqiptare si rast i veçantë i shoqërisë alpine-fisnore, por edhe dy fakte me rëndësi: autori i tekstit ndodhej në burg në Jugosllavi, e cila kishte interesa të drejtpërdrejtë për një pjesë të bashkësisë malësore shqiptare, me akuza të paformuluara në gjyq të natyrës politike, çka e ndërlikon pozitën e subjektësisë së tij, derisa po shprehej jo vetëm për çështje të Kanunit dhe të rendit shoqëror që mund t’i përgjigjej atij, po edhe pak më tej për çështje të shtetësisë/ pa-shtetësisë, për raportet midis Shtetit dhe Lirisë, etj.
Intelektologjia dhe signoteknia
Në këtë vëllim janë përfshirë dhe pjesët që lidhen me gjuhën, me gjuhësinë dhe eventualisht me ndonjë referim për teorinë e njohjes nga Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme, Dukagjini, Pejë 2009. Këto shënime flasin për një lexim jo-sipërfaqësor të teorive strukturale për gjuhën, gjithsesi të parakohshme në Prishtinë, e të pakohshme në Tiranë. Diskutimet e atilla, po të ishin lejuar, mund ta çonin mendimin gjuhësor shqiptar në rrafshe të tjera. Të gjitha këto është dashur të përballeshin me vërejtjet e kujdestarëve ideologjikë.
Në studimet e tij nuk do të gjejmë diçka si traktat apo nyjëtim të plotë të këtyre ideve. Por ka të dhëna të shpërndara nëpër shënimet dhe në veprat e tij. Pikënisja e tij ishte kjo: me reduktue veset e logjikës aristoteliane dhe të gjuhësisë së përgjithshme, në atë mënyrë që të dy disiplinat e ngushta të ishin në gjendje të integroheshin në bazë të një teorie të përgjithshme për metodologjinë shkencore: intelektologjia; gjuhësia në teknikën e komunikimit – signo-teknia. Logjika e Aristotelit duhej të transformohej nga një shkencë normative-preskriptive në një shkencë të përgjithshme përshkruese-shpjeguese për të menduarit. Donte ta theksonte faktin se ishte i pari që po paraqiste një shkencë të integruar për tërësinë e signifikimit dhe të të menduarit.
A ka qenë e mundshme që konceptet e Rizës të nxisnin krijimin e një teorie të re për prodhimin e diskursit, diçka si kritika e strukturalizmit në vitet ’70, apo më tej në suaza të gjuhësisë kognitive? Është sfiduese të mendosh për këtë ide, sidomos nëse marrim parasysh se nga fundi i jetës së tij Riza kishte shprehur ambicien e madhe për një projekt që mendonte se ‟nuk ishte vetëm ëndërrim”, por që sot mund ta vlerësojmë ndoshta vetëm si ëndërrim, sepse nuk kemi në dorë diçka më shumë: “Themelimin nga një austriak, të “Psikanalizës” jo gjithandej së padiskutueshme ta pasojë themelvënia, prej një shqiptari, e një “Intelektanalize” më pak së kundërdëshmueshme, ja (jo ëndrra, por) projekti i fazës fundore së jetës sime”.
Për ta pasqyruar gjendjen në të cilën e kishte ndjerë veten ai në moshën 60-vjeçare po sjellim një shënim të lënë në Fletore I: “Kur të jetë përshkuar njeriu nëpër një numër aq të madh rreziqesh aq të mëdhenj dhe provash aq të mëdha (siç je përshkuar ti), atëherë arritja – pa gjymtim të trupit, njollosje të emrit dhe shterpëzim të mendjes – deri në moshën 60 vjeçare (që ke arritur ti), është një fat nga më të lakmueshmit për një emigrant jo-ekonomik (siç je ti).”
Për mendimin tim Selman Riza mbetet në gjuhësinë shqiptare linguisti (i përgjithshëm) në tentativë. Puna dhe fati i tij mund të ngrenë diskutime në të ardhmen. Fati dhe trajtimi i tij në momente të rëndësishme të jetës, ashtu si në zhvillimet intelektuale flasin krejtësisht deprimueshëm për trajtimin dhe qëndrimet tona ndaj mendjes dhe individëve vërtet të ndritur që ka falur natyra edhe midis nesh. Selman Riza në reflektimet e tij kishte lënë dhe një shënim ku tregonte se si e mendonte ai rrjedhën e dijes albanologjike-linguistike në të ardhmen e saj: në vlerësimet e tij “gjuhësia shqiptare nuk mund të bëhet shkencë gjuhësore pa u pamvarësuar nga historicizmi hindo-evropianist si dhe nga konfuzionizëm-verbalizmi ruso-sovjetik”.
Me këtë vëllim përfundon seria e botimit Vepra të Selman Rizës.
Kronologji e jetës së Selman Rizës
1909 Lindi më 25. 12. 1909 në Gjakovë.
1922 Kapërceu ilegalisht kufirin jugosllavo-shqiptar
1925 Mbaroi shkollën plotore gjashtëvjeçare në Tiranë
1931 Kreu për 6 vjet 9 klasat e Liceut Kombëtar në Korçë
1931-1932 Punoi si Sekretar i dytë i Seksionit fillor në Ministrinë e Arsimit të Shqipnisë
1932-1936 Mbaroi studimet universitare në Toulouse të Francës paralelisht për filologji gjermanike dhe për drejtësi
1936-1939 Profesor i frëngjishtes, shqipes, latinishtes e gjermanishtes në Liceun e Korçës
1939 Si antifashist e pjesëmarrës në manifestimet kundër pushtimit italian u largua nga Liceu i Korçës dhe u transferua në Gjimnazin e Tiranës
1940 Në muajin shkurt u internua në Ventotene të Italisë
1941 U lirua nga internimi në muajin tetor
Nuk pranoi të punonte profesor nën drejtimin e pushtetit kolaboracionist. Komisioni qeveritar ia mori të drejtën për të punuar në arsim.
Sekretar në firmën tregtare private “Kruja-Myshketa” në Durrës
1942 korrik, dhjetor 1943: përfaqësues juridik në gjyq në Prizren; veprimtar kundër rikthimit të dominimit jugosllav në Kosovë
1944 Bëri gati për botim veprn 200 faqesh Dokumentar i kundërtezës shqiptare për çështjen kombëtare në Kosovë; mbeti e pabotuar dhe dorëshkrimi nuk gjendet
Botoi Tri monografina albanologjike, Tiranë
Në korrik u largua për në Prizren
Në shtator e tërhoqi familjen nga Prizreni në Tiranë
Në dhjetor u kthye në Tiranë
1945 Në janar e arrestuan si “kosovar, irredentist, antijugosllav”; në prill me urdhër të K. Xoxes e nisën për Jugosllavi, por nga rruga e kthyen me urdhër të E. Hoxhës
1945-1948 Burg në Tiranë, pa vendim gjyqi; K. Xoxe më 1948 ua dorëzoi jugosllavëve
1948 (janar) – 1951 (gusht) burg në Prishtinë, pa vendim gjyqi as proces gjyqësor
1951-1953 Internim në Sarajevë, ku punoi si lektor i frëngjishtes në Universitet
1952 Botoi Fillimet e gjuhësisë shqiptare dhe Gramatikë e serbokroatishtes në Prishtinë
1953 Botoi Diftorët e shqipes dhe historiati i tyne në Prishtinë
1954-1955 Punues shkencor në Institutin albanologjik të Prishtinës
1955 Në dhjetor u ekstradua në Shqipëri
1958 Botoi monografinë për nyjat në Tiranë
1959 Kandidat i shkencave
Dorëzoi monografinë për pronorët e shqipes
1961 Mori gradën Profesor në Universitetin Shtetëror të Tiranës
1964 Dorëzoi disertacionin e doktoratës, por ndërkohë ndryshoi sistemi dhe nuk u bë mbrojtja
1965 Çmimi i Republikës për shkencë në Tiranë
Emrat në shqipe, tipet e lakimit
1967 U internua në berat për arsye ideore e politike
1970 U pensionua dhe u kthye në Tiranë, pa të drejtë botimi
1979 Në Prishtinë te Rilindja u botua përzgjedhja e veprave Studime albanistike 1
1988 Vdiq dhe u varros në Tiranë
1992 Medalja “Mësues i popullit” nga Presidenti i Shqiprisë Sali Berisha
1993 Medalja “Punonjës i shquar i shkencës dhe teknikës” nga Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha
1994 Instituti i Gjuhësisë dhe i letërsisë i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në Tiranë botoi Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore të mbetur dorëshkrim na 1966
1996-2009 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në Prishtinë botoi Vepra 1-5
2002 Shtëpia botuese Toena në Tiranë botoi Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe nga dorëshkrimi i vitit 1964
2005 Medalja e artë “Lidhja e Prizrenit” nga Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova
2009 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës shënoi 100-vjetorin e lindjes; u riatdhesuan mbetjet mortore të Selman Rizës në Gjakovë, u inaugurua busti i tij po në Gjakovë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Studimeve Albanologjike botoi Vepra të zgjedhura të S. Rizës në një vëllim
Shtëpia botuese Dukagjini në Pejë botoi dorëshkrimin Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme