NGA GRUA E DASHURUAR NË STATUJË DHE RIKTHIMI…

– Në ditën kur lindi poetja amerikane Maya Angelou – 

Sot më bëri përshtypje një tjetër gjë, kalimi nga grua e dashuruar në statujë, shikoja me ngulm imazhet dhe doja të thosha diçka…

Shpesh jeta na ngrin, gurëzohet, madje pa statujë fare, pa kujtesë dhe art. Dhe kërkova poezinë si një lloj ngushëllimi, atje ku gjaku është kthyer në bojë shkrimi, sipas Eliotit. 

Po risjell dy poezi të Maya Angelou-t dhe një shënim timin për to. 

Visar Zhiti

DASHURIA KUSHTON AQ SA Ç’JEMI NE…

   …poezia e Maya Angelou-t godet si dashuria, si shiu, si britma, si era në kthesë, si protesta, si tufa yjesh, si një bisedë mes miqsh të gabuar dhe jo të gabuar, si e vërteta, si një gënjeshtër e bukur arti, si ëndërr, si psherëtima, si flatra e një engjëlli, si një çast i fortë jete. Përherë.

Sepse ajo ka jetuar në të gjitha ditët, e gjithë me të gjithën…

E ku s’ka punuar poetja amerikane Maya Angelou, kam shkruar në datëlindjet e saj të mëparshme, shofere tramavaji, por dhe dëshirash, shtoj tani, kamariere, por sillte në tryezë dhe një gëzim, striptiste dhe bota ishte lakuriq, balerinë, vallëzonte e ardhmja me krahët e saj, këngëtare, e sotmja këndon, gazetare, ty të duhet dhe lajmi se ç’bëhet, profesore, dija të duhet patjetër, qytetaria, ka qenë dhe aktiviste Maya, të mbrojmë të drejtat, na duhet indinjita dhe të qenit bashkë si njerëz, jo si turmë, po ajo ishte poete, pra di të bëjë çdo punë, edhe tani që s’është… 

Por është poezia e saj më shumë se kujtimi. Si premtim jete përhapet kudo ai frymëzim që i priu dhe Maya-s, që e bëri të dashurën e popullit të saj…

Sot ka datēlindjen dhe rrugët kanë pranverë dhe të duket se dëgjon zërin e saj: ec për të qenë njeri i bukur.  

Ne rritemi, – përsërit ajo, – përmes llahtarit që ushqejmë të nesërmet tona dhe… Të guxojmë, është vetëm dashuri ajo që na përbën ne. 

Ta dëgjojmë sa nuk është vonë, statujat e harresës presin, se jo të gjithë e dimë. Dhe nuk e dimë çdo ditë, desha të thosha. Që është dhe datëlindje poezie…

Maya Angelou

NE, QË NA PREKU NJË ENGJËLL

Ne se si u çmësuam me guximin

dhe mërgonim larg ngazëllimeve

duke u futur në guackat 

                                           e vetmive tona,

Por dashuria e la tempullin e saj

                             të lartë dhe të shenjtë

na doli para syve

të na çlironte jetën.

Dashuria arriti,

me trenin e saj erdhën kënaqësitë,

kujtesa e hershme e dëshirave,

historitë e vjetra të dhimbjeve.

Nëse sërish do të guxojmë,

Dashuria do t’i këputë 

                                 zinxhirët e frikës

                                  nga shpirtrat tanë.

A nuk u lodhëm me druajtjet tona?

Hovi i dritës së dashurisë

të na japë guxim të bëhemi guximtarë

dhe befas kemi për të parë

që dashuria e gjithë kushton 

                                aq sa ç’jemi

                                e do të jemi përherë.

Është vetëm dashuri

ajo që na përbën ne.

Maya Angelou

NE RRITEMI

Lavdia le të bjerë përreth nesh,

teksa rënkojmë

                                 me dënesë

në shkretimet e Kryqit.

Kemi endur

tapete e rroba të mëndafshta

dhe kemi veshur lakuriqësinë tonë.

Jemi zvargur

kateve të këtij planeti të trishtë

dhe kemi fluturuar 

                                     përtej zogjve 

                                     dhe përmes reve

                                     dhe fantazive tona.

Me urrejtje dhe dëshpërim të verbër

ç’tmerre kemi sjellë

                                  për vëllezërit tanë

                    dhe motrat tona të dëlira…

Pavarësisht ne rritemi

përmes llahtarit me të cilin ushqejmë

të nesërmet tona.

Ne rritemi.

Përktheu Visar Zhiti