Nga 7 deri më 9 shtator 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një program të avancuar trajnimi mbi “Hetimet komplekse ndërkombëtare/të përbashkëta rreth krimeve të trafikut të narkotikëve” me pjesëmarrjen e gjashtëmbëdhjetë oficerëve të Njësive Antidrogë të Policisë së Shtetit dhe të Akademisë së Sigurisë.
Kjo veprimtari u zhvillua në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, në vijim të kursit të vitit të kaluar për hetimin e drogës të organizuar nga Prezenca në mbështetje të Policisë së Shtetit për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të luftuar krimin e organizuar.
Trajnimi kishte për synim rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për asgjësimin e grupeve të organizuara kriminale të specializuara në trafikun e drogës dhe për një komunikim dhe bashkëpunim sa më efikas të saj me agjencitë partnere ligjzbatuese gjatë kryerjes së hetimeve komplekse ndërkombëtare/të përbashkëta, gjë që është e domosdoshme për një luftë të suksesshme kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.
Ekspertë ndërkombëtarë nga Administrata Amerikane kundër Drogës (DEA), EUROPOL-i, Policitë e vendeve nordike, Policia Kroate dhe Qendra e Zbatimit të Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), i angazhuan pjesëmarrësit në skenarë të rasteve të suksesshme të hetimeve komplekse ndërkombëtare rreth grupeve të organizuara kriminale që merren me trafikun e drogës.
Vitet e fundit, Prezenca e OSBE-së ia ka kushtuar rreth tre të katërtat e veprimtarive të saj të lidhura me policinë trajtimit të kërcënimeve që sjell kriminaliteti i organizuar, duke mundësuar pjesëmarrjen e oficerëve të Policisë së Shtetit në konferenca dhe trajnime për të forcuar kapacitetet e tyre profesionale në hetimin e çështjeve të narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Prezenca do të vijojë të mbështetë agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri duke i rritur kapacitetet e tyre dhe përmirësuar aftësitë e tyre hetimore në çështjet e drogës dhe të krimit të organizuar.