Larnaka, 9 mars 2024 – Në portin e Larnakës, në Qipro, po ngarkohet sot ndihma humanitare për Gazën, në anijen e një organizate bamirëse spanjolle, në atë që pritet të jetë dërgesa e parë përmes një korridori detar mes Qipros e Gazës.
Të premten, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se korridori detar mund të fillojë të jetë funksional, në kuadër të përshpejtimit të përpjekjeve perëndimore për të lehtësuar krizën humanitare në rajonin palestinez të shkatërruar nga lufta.
Anija “Open Arms” pritet të niset për në Gazë këtë të shtunë.
“Ekipet e World Central Kitchen janë në Qipro duke ngarkuar paleta me ndihma humanitare në një anije që do të niset për në veri të Gazës,” tha organizata bamirëse përmes një deklarate të premten.
Në fjalimin e tij për gjendjen në vend të enjten, Presidenti Joe Biden njoftoi se i kishte kërkuar ushtrisë amerikane të ndërtojë një port të përkohshëm në brigjet e Rripit të Gazës.
Pentagoni tha të premten se për ndërtimin e portit të përkohshëm mund të duhen 60 ditë kohë dhe mund të jetë e nevojshme që për këtë të përshihen 1 mijë anëtarë të personelit amerikan.
Ndërkohë edhe sot vazhdoi dërgimi i ndihmave humanitare përmes rrugëve ajrore në Gazë. Ushtria jordaneze lëshoi pako me ndihma humanitare në Rripin e Gazës, në bashkëpunim me vende të tjera, Egjiptin, Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Belgjikën.
Kombet e Bashkuara thonë se 2.3 milionë banorët e Gazës janë duke u përpjekur për të gjetur ushqim dhe mbi 500,000 përballen me uri.
Ndërkohë, shpresat për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit përpara muajit të Ramazanit, i cili fillon më 10 mars, duket se janë venitur.
Duke folur dje për gazetarët, në Pensilvani, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha se “dukej e vështirë” arritja e marrëveshjes deri të dielën.
Lufta në Gazë nisi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ndaj Izraelit, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 persona dhe u morën 250 pengje.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 30 mijë palestinezë.
(Zëri i Amerikës)