Prishtinë, 11 nëntor 2021 – Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe autoritetet e Beogradit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, më 16 nëntor, të cilin e ka paralajmëruar Bashkimi Evropian.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se më 16 nëntor pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, çështjet e hapura dhe rrugën përpara në dialog.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kohët e fundit nuk ka shënuar ndonjë përparim dhe se ai ka ngecur në nivelin teknik, marrë parasysh që për një kohë relativisht të gjatë nuk ka pasur ndonjë takim të nivelit të lartë të përfaqësimit politik.
Shkuarja në Bruksel me qasje të ndryshme për tema
Nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një përgjigje me shkrim, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë të mbahet më 16 nëntor të këtij viti, në Bruksel, në kuadër të rundit të dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh.
“Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë. Data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel liderësh varet nga rrjedha e procesit dhe dakordimi për çështjet në nivel kryenegociatorësh”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit të Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë ka konfirmuar për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se drejtori i asaj zyre, Petar Petkoviq, i cili kryeson ekipin negociator të Serbisë në dialogun me Kosovën, do të marrë pjesë në dialogun e planifikuar për 16 nëntor në Bruksel dhe se sipas marrëveshjes së mëparshme, tema kryesore do të jetë të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Petkoviq, ditëve të fundit, ka dhënë një sërë deklaratash për shtyp, duke kritikuar autoritetet e Kosovës për refuzimin e bisedimeve për formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por, autoritetet e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë se do të bisedohet për çështjen e Asociacionit.
Lushaku: Pa pajtim paraprak politik, s’ka bisedime për Asociacionin
Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë që përgjithësisht, takimet e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel po vazhdojnë, por tashmë është e dukshme që nuk ka pajtim ndërmjet palëve për temat kryesore dhe takimet e nivelit të lartë të përfaqësimit kanë ngecur.
“Unë mendoj që Asociacioni është temë politike dhe para së gjithash, pasi që të ketë takime teknike, është qasje politike çështja e Asociacionit dhe nuk mund të ketë asnjë zgjidhje dhe asnjë pajtim, nëse nuk ka një pajtim paraprak politik”, thotë Lushaku-Sadriu.
Popov: Simulim i bisedimeve
Drejtori i Qendrës për rajonalizim nga Serbia, Alleksandar Popov, vlerëson paralajmërimi për vazhdimin e dialogut në Bruksel është vetëm “simulim” i bisedimeve ndërmjet dy palëve dhe konsideron që Kosova dhe Serbia, në fakt, nuk e dëshirojnë dialogun.
Këtë, sipas tij, e vërtetojnë edhe ngjarjet e dy muajve të fundit, kur autoritetet e Kosovës dërguan njësitë policore në veri të vendit për zbatimin e reciprocitetit për targat, ndërkaq autoritetet serbe dërguan forca ushtarake në kufi me Kosovën.
Një aksion tjetër i autoriteteve të Kosovës në veri, me arsyetimin për luftimin e krimit të organizuar, kishte ngjallur pakënaqësi në mesin e popullatës serbe e cila është shumicë në atë pjesë të Kosovës.
“Të dy palët gjejnë një arsye që dialogu të mos ndodhë. Ndoshta do të mbahet sërish një takim i nivelit të lartë, një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, por nuk besoj se do të ketë një rezultat pozitiv, nëse nuk ndryshon diçka në qasjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, për të përdorur disa mundësi, për të ushtruar presion mbi të dyja palët”, theksoi Popov.
Më herët, Qeveria e Kosovës dhe presidentja e këtij shteti, Vjosa Osmani, kanë thënë se Kosova nuk do të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, pasi ajo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Por, president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 10 nëntor ka thënë para gazetarëve se, Kosova do të formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel, ose në të kundërtën, siç ka theksuar ai “faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë”.
Zyrtarët evropianë kanë hedhur poshtë pretendimet se dialogu është bllokuar për shkak të mospajtimeve për zbatim të Marrëveshjes për Asociacion.
Lushaku-Sadriu shpreh mendimin që përderisa nuk ka një agjendë dhe nuk ka diskutime për temat kryesore, nuk mund të thuhet se dialogu Kosovë-Serbi është duke bërë një ecje përpara.
Porosia e (mos)vizitës së Escobarit
Aktualisht, në rajon është duke qëndruar zëvendësndihmëssekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka vizituar Bosnjë e Hercegovinën dhe po viziton Malin e Zi. Por, në kuadër të kësaj vizite të rajonit, nuk është janë paraparë as Kosova dhe as Serbia.
Lushaku-Sadriu thekson se mosardhja në Kosovë dhe në Serbi e diplomatit Escobar, mund të shihet edhe si një mesazh për mospërparimin e të dy vendeve në dialogun e Brukselit.
“Normalisht që mund të jetë një mesazh i qartë për Serbinë dhe Kosovën. Mund të jetë për shkak të implikimeve sa i përket përparimit në dialog. Por, mund të ketë edhe arsye të tjera, të cilat janë në interes të SHBA-së dhe që këto dy shtete, faktikisht kanë mundur që të mos jenë pajtuar ose të mos kenë qëndrime në harmoni me qëndrimet amerikane”, thekson Lushaku-Sadriu.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.
Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.
(Bekim Bislimi, REL)