Zbërthimi i së kaluarës na ndihmon shumë t’i mësojmë të papriturat e së ardhmes. Por kjo nuk mjafton nëse nuk i eliminojmë kurthet që ngre aktualiteti. Dhe një prej kurtheve në të cilat kanë rënë marrëdhëniet bullgaro-maqedone është qasja historiciste e problemeve në mes të këtyre dy vendeve. Rrënjët e kësaj qasjeje janë që në kohën e Krizës Lindore e këndej, atëherë kur Rusia pas triumfit mbi Perandorinë Osmane, përmes Traktatit të Shën Stefanit, zgjeronte ndikimin e vet në Ballkan, duke e përdorur Bullgarinë e Madhe (pjesën evropiane të Perandorisë Osmane) si trampolinë për të shtri influencën e vet në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Kjo ishte edhe arsyeja e mbledhjes së Kongresit të Berlinit (1878), i cili i revidonte të gjitha vendimet e Shën Stevanit dhe garantonte kufinjtë e jashtëm të Perandorisë Osmane, ndërkohë që Rusia vazhdonte të punonte në shkatërrimin nga brenda të kësaj perandorie. Evropa edhe njëherë tentoi por pa sukses të ndalë këtë strategji ruse në Ballkan, duke organizuar Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), e cila nuk prodhoi kurrfarë stabiliteti për popujt e Ballkanit, prandaj ky ishte edhe shkaku i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e cila erdhi pasi ishte krijuar Aleanca Ballkanike, ku Rusia sërish ishte sponzorizuesja kryesore.
Nëse bëjmë një komparacion në mes të rrethanave aktuale dhe atyre që përmendëm më lart, do të shohim se Evropa vazhdimisht është vonuar në ofrimin e zgjidhjeve adekuate për Ballkanin. Dhe kjo ka vazhduar deri në vitin 1919, kur Amerika del si fuqi dominuese politike e diplomatike në Konferencën e Paqës në Paris, atëherë kur Presidenti Wudro Vilson paraqet një platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare të popujve të vegjël të Ballkanit. Është po ajo Amerikë e cila në vitin 1999, pas vonesave të pafalshme të Evropës, u tregua sërish më energjike në ofrimin e zgjidhjeve për Kosovën, që rezultoi në çlirimin e saj nga dominimi serb.
Ka ardhur koha që një zgjidhje e tillë të ofrohet edhe në tejkalimin e ngërçit në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, me angazhimin e një emisari special amerikan i cili duke zbatuar një “buldozer diplomaci” do të ofronte një formulë më pragmatike ku nuk do të lëndohej as sentimenti historik i Bullgarisë as identiteti nacional i maqedonasve etnik. Por e gjithë kjo në bashkërendim me Brukselin, sepse BE deri më tani nuk ka folur me një zë sa i përket tejkalimit të problemeve në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Përvoja historike ka dëshmuar se Evropa është treguar e pafuqishme në mbylljen e vatrave të krizave rajonale, prandaj ka ardhur koha që Brukseli dhe Washingtoni të caktojnë emisarët e tyre special të cilët do të ofronin zgjidhje të koordinuar për Shkupin dhe Sofjen.
Tani ku marrëdhëniet në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë po kalojnë nëpër turbulenca historike të shek. 19, pak kush prej politikanëve në Shkup dhe në Sofje janë të gatshëm ta shikojnë realitetin drejt në sy pa syzet e së kaluarës. Kjo edhe për faktin se kontesti i tanishëm në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mund të tejkalohet me instrumentet e shek. 19, për arsye se, siç thoshte ish kryeministri angelz, Çerçili, Ballkani prodhon histori më shumë se sa është në gjendje ta absorbojë.
Ideja për të krijuar komision historianësh që do të zgjidhnin këtë kontest, është joproduktive, sepse komisionet e tilla janë mbetje të së kaluarës , të cilët në vend se të hapin udhë, i mbyllin dhe më tepër. Praktika ka dëshmuar se komisionet e tilla prodhojnë më tepër krizë dhe ngërçe, përmes vijave të kuqe që vazhdimisht vizatohen në tryezat e bisedimeve. Këto janë edhe ato xixat që frymëzojnë konfliktet e brendshme dhe si ushqim i doktrinave të ndryshme nacionaliste. Ka plot njerëz që besojnë se këto konflikte nuk mund të ndodhin, sepse këtu e kemi NATON-n, por kjo është një mendësi e gabuar sepse NATO i siguron vetëm kufinjtë e jashtëm të shteteve anëtare, por jo edhe territoret brenda shteteve. Hapësira e një shteti menaxhohet nga resurset e atij shteti, qoftë në planin politik e ekonomik, por dhe në atë të sigurisë. Për rrjedhojë, thellimi i mosppajtimeve në mes të Sofjes dhe Shkupit mundet të reflektohet në marrëdhëniet e brendshme etnike në Maqedoninë e Veriut, sepse një identitet i lënduar i maqedonasve don të thotë konflikt i brendshëm me shqiptarët. Zatën ky është edhe lajtmotivi i diplomacisë ruse, e cila duke ngadalësuar tejkalimin e ngërçit në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, synon të largojë sa më shumë ndikimin Perendimor, sidomos të BE-së, NATO-s dhe SHBA-së në Ballkan. Prandaj shpiken vijat e kuqe, si veglat kryesore të bllokadave eurointegruese. Një qasje e tillë anakronike e kontraproduktive duhet sa më parë të ndërpritet, sepse janë pengesë e integrimit të Maqedonisë në BE. Mosintegrimi, siç dihet, ka pasoja të shumta, kurse kjo më së paku iu konvenon qytetarëve tanë, sidomos shqiptarëve.
Me trajtimin e problemeve aktuale, siç janë ato për pakicat, gjuhën, identitetin, çështjet territoriale, kontestet historike, nuk do të ishin shumë të rëndësishme kundrejt çështjeve të tjera, përfshi edhe ato të integrimit, që edhe janë thelbësore në rastin konkret.
Kontributi i historianëve dhe studiuesve të tjerë duhet të jetë në një linjë me frymën e re të mirëkuptimit rajonal dhe proceseve euro-integruese. Kjo mund të arrihet vetëm nëse historiografia përfshihet në pragmatizmin e politikave bashkëpunuese dhe në krijimin e perspektivave për popujt dhe vendet tona.
Problemet e hapura në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të kenë një dioptri krejt tjetër, më moderne dhe më kreative. Të dyja vendet tona, më shumë se për hijet e së kaluarës, kanë nevojë për mirëkuptim të ndërsjellë dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse ngrihen komisione qeveritare të mirëkuptimit në Shkup dhe në Sofje, të cilët do të vepronin në kontinuitet dhe problemin do ta trajtonin si proces, e jo si ngarkesë historike. Një hap i vogël, por pozitiv është hedhur me caktimin e një mediatori nga ana e Maqedonisë së Veriut, i cili po punon më tepër nga prizmi pragmatik e jo historik. Kjo gjithsesi do të kontribuonte që i gjithë ky proces të përfshihet në axhendën e eurointegrimeve, për arsye se e ardhmja e Ballkanit është gjeopolitikë euro-atlantike, kurse Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të ngelin në hartën e kësaj gjeopolitike. Shkupi dhe Sofja duhet të jenë më inkurajues në gjetjen e pikave që i bashkojnë interesat e tyre për një të ardhme evropiane dhe kjo mund të arrihet nëse punohet në ngritjen shkallës së besimit dhe mirëkuptimit reciprok.
Një model jo i largët që shërbeu si çelës për të mbyllur problemet e hapura rajonale ishte kontesti Maqedoni-Greqi, i cili u tejkalua vetëm në saje të modaliteteve pragmatike të politikave të mirëkuptimit dhe besimit reciprok. Paraprakisht kemi edhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila u tregua si një udhërryëfyes i avancuar në tejkalimin e dallimeve ndëretnike brenda një shoqërie, ku kontributi i faktorit politik shqiptar ishte mjaft inkurajues. Kjo është vërejtur edhe në finalizimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila nuk do ta kishte shkëlqimin e vet pa përfshirjen e faktorit politik shqiptar. Ky i fundit gjithmonë ka qenë garantues i stabilitetit të vendit, madje edhe me një kosto të lartë politike-elektorale, sepse në fushata zgjedhore gjithmonë dilej me axhendën eurointegruese, e shumë më pak me tema të karakterit nacional.
Mirëpo në rastin e Bullgarisë, gjërat kanë ndryshuar. Faktori politik shqiptar pati qëndrim parimor deri sa nuk mori përgjegjësi direkte, për arsye se më vonë u pa që kjo përgjegjësi filloi të prodhojë efekte negative. Në opinionin publik e intelektual maqedonas tash më faktori politik shqiptar po targetohet pa të drejtë si gjoja frenuesi kryesor i normalizimit të marrëdhënineve bullgaro-maqedonase. Mjafton të ndiqen reagimet ndaj ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, i cili anatemohet dhe paragjykohet edhe për veprime për të cilat ai nuk është përgjegjës i drejpërdrejt. Ndonëse pati vullnet të mirë, faktori politik shqiptar ra një grackë që s’e kishte menduar, duke marrë përgjegjësi që nuk i takonin, aq më tepër kur oligarkive politike në Sofje e Shkup sikur iu konvenonte status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska, kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë si një aleat që do të mund ta nxirrte nga ngërçi i marrëdhënieve të tensionuara me Bullgarinë.
Nëse tejkalimi i ngërçit në mes të Bullagarisë dhe Maqedonisë së Veriut shikohet ekskluzivisht nën prizmin e kontesteve e sherreve historike, atëherë marrëdhëniet në mes të dy vendeve vështirë se do të shënojnë ndonjë përparim kurse e ardhmja e përbashkët e të dy popujve do të groposet dikund në istikamet e shekujve të kaluar.
Nëse i hedhim një sy marrëdhënieve në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë, do të vërejmë se më shumë ka gjëra që i bëjnë bashkë se sa që i ndajnë këto dy shtete. Prandaj në vend se të punohet që gjërat e përbashkëta të avancohen dhe të marrin një dimension të ri të mirëkuptimit reciprok, Shkupi dhe Sofja sikur po parapëlqejnë që gjatë gjithë kohës ta mbajn shikimin në retrovizorët e historisë, por edhe këtë e bëjnë gabimisht, sepse nuk kanë arritur të gjejnë një formulë përbashkuese që do t’iu ofronte kompromis dhe avancim nga pozita zero. Ende Sofja dhe Shkupi, bie fjala, nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët sa i përket trajtimit të Holokaustit, një çështje kjo mjaft delikate e cila kërkon qasje profesionale dhe kurajo qytetare. Në fakt, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut mund të bien dakord që këtë çështje t’ia lënë Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) për ta trajtuar, me kusht që të dy shtetet respektive t’i pranojnë rekomandimet e kësaj organizate kredibile e që do të përfshihen në marrëveshjen finale të mirëkuptimit në me të dy vendeve.
Elitat politike në Sofje dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste e egocentrike të problemeve.
Në radhë të parë, duhet hequr dorë nga praktika e demoduar e formimit të komisoneve të historisë, dhe së dyti urgjentisht duhet anuluar rezolutat e Bullagaris dhe Maqedonisë së Veriut, të miratuara kohë më parë nga parlementet e këtyre dy shteteve, e të cilat ishin të motivuara gabimisht nga një frymë retrograde që tani po kërkon largimin e trupave të NATO-s nga kjo pjesë e Ballkanit.
Moszgjidhja e kontestit bullgaro-maqedonas është një derë e hapur për ndikimin rus në Ballkan, sidomos tani kur Kremlini pas dështimeve në Ukrainë do të mundohet ta kompenzojë fuqinë hegjemoniste në rajonin tonë, duke motivuar fërkime sporadike në BeH e Kosovë, që do të ishin parapërgatitje e një konflikti më të madh rajonal. Propaganda ruse po punon një kohë të gjatë që pakënaqësitë sociale dhe korrupcionin institucuional të përdorin si vatra pakënaqësie për një destabilizim më të gjerë.
Paqja dhe stabiliteti rajonal do të varej shumë nga raportet që kanë në mes veti shtetet fqinje. Gjithsesi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund të ndjekin modelin franko-gjerman për të instaluar më tepër siguri dhe paqe në këtë pjesë të Evropës Juglindore, shtete këto të cilat i tejkaluan animozitetet mes veti duke ngritur komision të përbashkët franko-gjerman në Berlin dhe Paris, i cili me vite të tëra është marrë me çështjet delikate që kishin ngarkuar raportet historike në mes të dy vendeve. Evropa u bë definitisht ambient paqësor pikërisht në saje të këtij mirëkuptimi të arritur franko-gjerman.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet sa më pare të përpilojnë një master plan të ri bashkëpunimi ku prioritet do të kishin temat nga ekonomia, turizmi, transporti, kultura, shkenca e jo temat e nxehta të historisë, të cilat duhet të kalojnë në një proces të ngadalshëm të valorizimit të së kaluarës nën optikën e perspektivës euro-atlantike. Gjithashtu është e gabuar ideja që të gjitha këto problem të hapura të vendosen brenda një kornize të caktuar kohore për t’u zgjidhur. Çdo kornizim e dëmton procesin e përafrimit, prandaj limitet kohore duhet të mënjanohen nga vokabulari diplomatik i të dy vendeve, në mënyrë që e ardhmja të mos bëhet peng i së kaluarës. Por, kjo duhet të ketë një inkurajim konkret nga Brukseli, duke përshpejtuar procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të evitohen rreziqet që vijnë nga influncimet ruse në rajon.
Shkup, 11 maj 2022
(Autori është drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup)