Prishtinë, 11 shtator 2024 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Njëri ndër të akuzuarit kryesorë është udhëheqësi i grupit të armatosur, Milan Radoiçiq, i cili ka pasur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale të grupit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është ngritur pas punës disamujore n٥ grumbullimin e provave.
“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, tha Isufaj në një konferencë për media.
Të akuzuarit ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, si edhe për financim të terrorizmit dhe për shpëlarje të parave.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë luajtur role të ndryshme brenda grupit criminal, duke filluar nga organizimi e drejtimi i veprimtarive terroriste e deri te financimi dhe shpëlarja e parave.
Prokuroria e Posaçme tha se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, makina të blinduara e mbi 1200 armë.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, tha se gjatë hetimeve janë bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet të tjera, për të siguruar dëshmi të rëndësishme.
“Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për të siguruar provat që ndihmojnë në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”, tha ai.
Abazi tha se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe me të pandehur, ndëresa si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektronike, 1,266 armë dhe pajisje të tjera. Ai tha se gjatë procesit të hetimeve janë sekuestruar edhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme.
“Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete e mëtejshme kriminale për të goditur grupet financiare”, tha ai.
Abazi tha se gjatë hetimeve janë siguruar edhe prova për financimin e grupit.
“Fondet janë transferuar përmes rrjeteve të ndërlikuara financiare, duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushë”, ka tha ai.
Kryeprokurori Isufaj dhe prokurori Abazi nuk deshën të komentonin për përfshirjen e shtetit të Serbisë në organizimin e grupit ose të sulmit terrorist në Banjskë.
Sulmi terrorist në Banjskë u krye më 24 shtator të vitit 2023. Grupi i serbëve të armatosur e sulmoi policinë e Kosovës, ku u vra oficeri i policisë Afrim Bunjaku. Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve me policinë që zgjatën pothuajse tërë ditën.
Policia e Kosovës gjeti sasi të mëdha armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake e logjistike në zonën e manastirit të Banjskës, ku ishin strehuar pjesëtarët e grupit.
Milan Radoiçiqi, atëherë nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi, e mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit.
Kosova akuzoi Serbinë për organizimin dhe mbështetjen e grupit dhe kërkoi që sulmuesit të dorëzohen në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë. Beogradi e ka mohuar të jetë përfshirë në sulm, ndërsa pjesëtarët e grupit I ka cilësuar serbë të Kosovës të revoltuar nga veprimet e Prishtinës.
Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, u ndalua nga autoritetet serbe pasi e mori përsipër sulmin në Banjskë. Por, një ditë më pas, një gjykatë në Beograd e liroi atë nga paraburgimi, duke ia ndaluar largimin nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe duke i ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.
Sulmi ishte cilësuar si terrorist nga autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë të cilët kanë kërkuar vënien e autorëve para drejtësisë.
(r.m.)