Prishtinë, 22 janar 2025 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj një të dyshuari për sulmet ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, para komunës së Zveçanit, në maj të vitit 2023.
Në njoftim thuhet se i akuzuari, me inicialet M.D, dyshohet se më 29 maj të vitit 2023, në bashkëveprim dhe koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serbë nga Kosova, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve të forta, i kishte sulmuar dhe kanosur pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
“Prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal”, u tha në njoftim.
I akuzuari M.D. ka qenë njëri nga protestuesit serbë që kanë sulmuar me mjete të forta, mjete piroteknike dhe armë pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës që e kishin marrë në mbrojtjen e ndërtesës së komunës së Zveçanit. Protestuesit, midis të cilëve kishte edhe eksponentë të krimit të organizuar dhe pjesëtarë të strukturave paralele të sigurisë që financoheshin e kontrolloheshion nga Beogradi, kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Deri më tash janë arrestuar dhjetra të dyshuar për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, e 29 majit 2023 në Zveçan. Shumica e tyre janë liruar nga paraburgimi dhe të mbrohen në liri.
Në sulmet e 29 majit 2023 janë lënduar 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve kanë marrë lëndime të rënda. Së paku tre pjesëtarë të kontigjentit hungarez të KFOR-it janë gjymtuar nga dëmtimet që u janë shkaktuar me mjete të forta.
Për shkak të dhunës në veri majin e vitit të kaluar, por edhe sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, KFOR-i rriti praninë ushtarak në Kosovë.
(r.m.)