Ngritet aktakuzë kundër 5 të dyshuarve për krime lufte në Kosovë

Prishtinë, 27 dhjetor 2024 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër pesë të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.

Pesë të dyshuarit, me inicialet D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J., akuzohen se në bashkëkryerje dhe si pjesë e një grupi kriminal kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë në rajonin e Gjilanit gjatë luftës.

“Dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjsh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli”, , thuhet në njoftim.

Ata dyshohen se, bashkë me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, i kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur dhe dëbuar civilët shqiptarë gjatë luftës, sipas aktakuzës.

Të pandehurit M.Sh dhe N.S., akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se i kishte ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

(Radio Evropa e Lirë)  

Comment

*