Ngritet aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte ndaj shqiptarëve

Prishtinë, 16 maj 2024 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër dy serbëve të dyshuar për krime të luftës kundër popullatës civile.

“Z.K dhe D.K., gjatë kohës se luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, të veshur me uniformë të policisë dhe të armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tyre, kanë marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Më këtë në bashkëkryerje Z.K dhe D.K., kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të  Konventave të Gjenevës nga neni 146 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Dy të akuzuarit gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2023.

(r.m.)